Leku po fiton terren këtë javë në kursin e këmbimit me Euron. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane këmbehej të enjten me 106.23 lekë, në rënie me 0.7 lekë që nga fundi i javës së kaluar. Kursi Euro-Lek ka zbritur në nivelin më të ulët që prej datës 22 gusht.
Edhe shumica e valutave të tjera po ndjekin rënien e Euros. Paundi Britanik zbriti në 122.54 lekë, niveli më i ulët që prej mesit të muajit gusht. Franga zvicerane zbriti në 110.06 lekë, edhe kjo në nivelin më të ulët prej një muaji.
Dollari Amerikan ngelet poshtë nivelit të 100 lekëve, por megjithatë të enjten shënoi një rritje të lehtë dhe u këmbye me 99.67 lekë.
Edhe muaji shtator po konfirmon pozitat e forta të Lekut në kursin e këmbimit valutor. Megjithëse periudha e pikut e sezonit turistik ka kaluar, monedha europiane nuk ka arritur një ringritje të qëndrueshme. Mes datave 23 dhe 25 gusht, kursi i Euros dhe fitoi pothuajse pesë pikë brenda tre ditëve, duke arritur deri në nivelin e 110.67 lekëve.
Por, ashtu siç ka ndodhur disa herë të tjera këtë vit, forcimi i Euros ka rezultuar shumë afatshkurtër. Me shumë të ngjarë, rritja i detyrohej një kërkese të përqendruar nga një ose disa subjekte të mëdha.
Për shkak të përmasave të vogla të tregut valutor, por ndoshta edhe të një lloj pasigurie që ka shkaktuar luhatshmëria e kursit gjatë këtij viti, kërkesat e mëdha dhe të papritura sjellin një rritje të forta dhe përtej normales të kursit të këmbimit të Euros.
Por, në momentin ku këto kërkesa përmbushen, kursi i këmbimit të Euros gradualisht bie pranë niveleve të mëparshme. E njëjta gjë ndodhi edhe këtë herë, me Euron që tashmë është kthyer në nivelet e një muaji më parë.
Ekspertët mendojnë se efekti i turizmit në kursin e këmbimit tashmë paraqitet më i shtrirë në kohë. Nëse deri para disa vitesh këto efekte shtriheshin kryesisht gjatë muajve korrik dhe gusht, zgjatja e sezonit ka bërë që ndikimi sezonal në kurs të jetë i prekshëm edhe në muajt qershor dhe shtator. Numri rekord i turistëve të huaj këtë vit ka bërë që oferta valutore të ngelet e lartë, ndërsa kërkesa nuk paraqet lëvizje të rëndësishme. Kjo mund të shpjegohet edhe me faktin që shumë subjekte i kanë blerë rezervat e nevojshme të valutës qysh në muajt e verës, me qëllimin për të përfituar nga kursi i ulët.
Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, deficiti i llogarisë korrente ka shënuar nivelin më të ulët historik për 6-mujorin e parë të vitit, në rënie me 27.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në krahun tjetër, edhe oferta e shtrënguar e Lekut po luan një rol në forcimin e monedhës kombëtare. Agregati monetar M2 po shfaq ritme të dobëta të rritjes, duke pasqyruar efektet e politikave monetare dhe fiskale me tendencë shtrënguese.
Banka e Shqipërisë e ka rritur vetëm njëherë normën bazë këtë vit dhe aktualisht ajo qëndron në nivelin 3%. Por, kreditimi në muajt e fundit ka shfaqur një tendencë të qartë ngadalësuese. Ngadalësimi reflekton pjesërisht edhe forcimin e Lekut dhe efektin korrektues të kursit të këmbimit mbi ofertën totale monetare.
Ndërkohë, suficiti buxhetor në muajin korrik ishte pranë nivelit të 45 miliardë lekëve, gati tre herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./Monitor