Sot është një ditë e rëndësishme, pasi Shqipëria do të drejtojë një nga seancat më të rëndësishme në Këshillin e Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).
Do të jetë pikërisht kryeministri Edi Rama që do të drejtojë seancën e nivelit të lartë, ku marrin pjesë krertët e kartë të shteteve të ndryshme.
Seanca nis në orën 11.00 dhe tema e diskutimit do të jetë “mirëmbajtja e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”.
Kjo seancë në Këshillin e Sigurimit është cilësuar si më të rëndësishmet të dekadës së fundit, pasi debat i hapur i nivelit të lartë duhet të mobilizojë botën në përpjekjet e saj të përbashkëta për të dënuar luftën e për të rritur trysninë ndaj Rusisë, për të kthyer rrugë dhe për t’i lënë vend nisjes së procesit të paqes së drejtë.
Veç liderëve botërorë, në këtë seancë të Këshillit të Sigurimit pjesëmarrës do të jetë për herë të parë edhe Ukraina, që përfaqësohet nga presidenti Volodymyr Zelensky.
Krerët e shteteve dhe të qeverive të anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, si dhe, më gjerë, të anëtarëve të Kombeve të Bashkuara, përfshi Ukrainën, do të kenë mundësi të shprehin pikëpamjet e tyre dhe të shkëmbejnë ide, jo vetëm rreth luftës që po zhvillohet dhe pasojave mbi Ukrainën e popullin e saj, por edhe për ndikimin që po prodhon lufta mbi paqen e sigurinë ndërkombëtare, zhvillimin ekonomik dhe veprimin shumëpalësh.
Kujtojmë që Rama sot e nisi ditën me një foto nga oborri i OKB-së, teksa shkruante: “sot Shqipëria do të ulet në krye të tryezës së Këshillit të Sigurimit, për të drejtuar një nga seancat më të rëndësishme të dekadës së fundit, ju uroj të gjithëve një ditë të mbarë”.