Policia e Vlorës ka bërë të mundur ndalimin e dy personave pas gati 30 minutash ndjekje, pasi kishin vjedhur një automjet.
Uniformat blu bëjnë me dije se u vu në pranga 22-vjeçari Arben Zanaj i cili drejtonte automjetin e vjedhur dhe gjithashtu në pranga ka rënë edhe një 17-vjeçar që ishte pasagjer.
NJOFTIMI:
Vodhën një automjet në “Plazhin e Ri”, në Vlorë, reagimi në kohë i Policisë bëri të mundur lokalizimin dhe ndalimin pas rreth 30 minutash ndjekjeje, të 2 shtetasve që kishin vjedhur automjetin.
Policia vuri në pranga një 22-vjeçar që drejtonte automjetin e vjedhur dhe një 17-vjeçar që ishte pasagjer në këtë automjet.
Shërbimet e Policisë që patrullonin në territor, për garantimin e rendit dhe sigurisë, morën njoftim për vjedhjen në një lavazh, të një automjeti në pronësi të shtetasit S. G., në afërsi të “Plazhit të Ri”, Vlorë. Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë dhe forcat “Shqiponja”, falë reagimit në kohë dhe si rezultat i kontrollit të territorit, lokalizuan automjetin dhe u vunë në ndjekje të tij. Pas rreth 30 minutash ndjekjeje, bënë të mundur bllokimin e automjetit, të cilin po e drejtonte shtetasi A. Z., 22 vjeç dhe kishte pasagjer shtetasin A. H., 17 vjeç, banues në Vlorë. Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Z., 22 vjeç, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. H., 17 vjeç, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.