Kompania ajrore që operon nga Shqipëria, Wizz Air ka hequr nga sistemi tre destinacione të rendësishme, të shpallura me bujë vetëm dy muaj më parë, sicc janë Liverpooli, Edinburgu dhe Birminghami.
Përmes një njoftimi për shtyp në qershor të këtij viti, Wizz Air tha se do të fillonte në fund të 2023 fluturimet nga Tirana për në këto tre qytete krahas Londrës, por duket se gjithçka ka ndryshuar pas lajmit se nga Shqipëria do të fluturojë edhe një kompani tjetër ajrore, sicc është RyanAir.
Lajmi për mosfillimin e fluturimeve për Edinburgun u konfirmua edhe nga zëdhënesi i Wizz Air sipas HeraldScotland.com.
Përballë konkurrencës së një operatori më të madh dhe me flotë e destinacione më të shumta, Wizz Air duket se është tërhequr duke preferuar Italinë, si një treg më i lehtë për shkak të numrit të madh të shqiptarëve, raporton AlbEu.com.
Ky ka qenë një vit me fitime kolosale për kompanitë ajrore, përfshi edhe ato që fluturojnë nga Shqipëria, por fatkeqësisht nuk është reflektuar në përmirësim të shërbimit, pasi shpesh avionët funksionojnë më shumë si autobusë, me vonesa dhe trajtim të padenjë të udhëtarëve.
Krahas vonesave, aeroporti i Rinasit nuk ofron as minimumin e shërbimit sicc është check in online duke njoftuar sëfundmi pasagjerët që të shkojnë në aeroport tre orë para fluturimit duke konfirmuar mungesën e kapaciteteve apo aftësisë për të menaxhuar udhëtarët.