Popullsia e Shqipërisë po bie në mënyrë dramatike prej rënies së shpejtë të lindjeve.
Të dhënat e sotme të INSTAT tregojnë se numri i bebeve të lindura në 6-mujorin e parë ishte 12.7% më i ulët në numër se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në 6-mujorin e parë 2023, ishin 10,283 lindje nga 11,781 në 6-mujorin e parë 2022.
Megjithatë shtesa natyrore ishte pozitive, pasi vdekjet ishin më të ulëta se në 6-mujorin e parë.
INSTAT raportoi se shtesa natyrore e popullsisë për tremujorin e dytë 2023 rezulton pozitive, duke regjistruar 465 lindje më shumë se sa vdekje.
Numri i lindjeve për tremujorin e dytë 2023 është 5.119, duke shënuar rënie me 8,2%, krahasuar me tremujorin e dytë 2022.
Numri i vdekjeve për tremujorin e dytë 2023 është 4.654, duke shënuar një rënie prej 8,1%, krahasuar me tremujorin e dytë 2022
Në tremujorin e dytë 2023, pesë qarqe të vendit regjistrojnë shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në shtatë qarqet e tjera, shtesa natyrore e popullsisë është negative.