Një parcelë me 250 rrënjë kanabis është zbuluar dhe asgjësuar nga Policia në fshatin Belinë të Bashkisë së Patosit. Grupi hetimor ka mundur të zbulojë dhe autorët e kësaj veprimtarie, duke prangosur babë e bir.
Të arrestuar janë shtetasit Artjan dhe Albjon Gremi, pasi droga është gjetur në oborrin e shtëpisë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, bazuar edhe në inteligjencën informative se në një banesë në fshatin Belinë kishte të kultivuara bimë narkotike, kanë ushtruar kontroll dhe në një sipërfaqe toke pas banesës së shtetasit Artjan Grembi, kanë gjetur të mbjella 250 bimë kanabis.
Bimët e dyshuara narkotike cannabis sativa u asgjësuan nëpërmjet djegies dhe në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve arrestuan në flagrancë shtetasit babë e bir, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.