Ministri i ri i Brendshëm, Taulant Balla, do të mbajë sot një takim me drejtues të ministrisë e strukturave të varësisë për të komunikuar prioritetet e detyrës së tij.
Taulant Balla u betua dy ditë më parë para presidentit të Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj, ku mori zyrtarisht detyrën e ministrit të Brendshëm, pas shkarkimit të Bledi Çuçit.
Kuvendi miratoi të enjten dekretin e Presidentit të Republikës për emërimin e Taulant Ballës në postin e ministrit të Brendshëm, me 75 vota pro, 16 kundër, 1 abstenim.
Karrierën politike, Taulant Balla e nisi ne vitin 2004, ku shërbeu si këshilltar i kryeministrit të asaj kohe Fatos Nano. Ai u zgjodh për herë të parë deputet i Librazhdit në vitin 2005, në moshën 28 vjeçare dhe prej asaj kohe nuk ka munguar në Kuvendin e Shqipërisë. Pas zgjedhjeve të vitit 2017, Taulant Balla u emërua kryetar i grupit parlamentar socialist.
Njëkohësisht, ai u emërua Kryetar i Delegacionit të Parlamentit të Shqipërisë në Parlamentin Europian dhe Zëvendës Kryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian. Pas dorëheqjes së Gramoz Ruçit, Balla u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Partise Socialiste post të cilin e mbajti deri pas zgjedhjeve të vitit 2021, ku u zëvendësua nga Damian Gjiknuri. Balla është deputet i Qarkut te Elbasanit dhe drejtues politik për Partine Socialiste në Qarkun Fier.