Autoritetet italiane informojnë se gjatë ditës së sotme e ende në zhvillim po ekzekutohet operacioni i koduar “Doppio giocco”, (Lojë e dyfishtë) i koordinuar nga Drejtoria e Antimafias së Ankonës e shtrirë në provincat italiane të Ancona, Fermo, Macerata, Pesaro-Urbino e Frosinone si dhe në Shqipëri, Spanjë e Belgjikë.
Ky operacion ka çuar në shkatërrimin e një trafiku ndërkombëtar lëndësh narkotike me vlerë 35 milionë euro duke çuar nën urdhër ndalimi 12 persona shqiptarë e italianë, të akuzuar si anëtarë të një grupi të strukturuar kriminal.
Gjatë hetimit të një procesi investigativ kompleks që nisi në muajt e parë të vitit 2020. ku morën pjesë forcat speciale të Drejtorisë Qendrore të Romës, Policia e Krimit Ekonomik si dhe repartet operative antidrogë, u dokumentua baza e këtij grupi kriminal në rajonin e Marche e shtrirja e tij në degëzime të ndryshme në të gjithë territorin evropian ku trafikohej kokainë e hashash në sasi të mëdha.
Transporti bëhej me automjete të modifikuara për të fshehur sasi të mëdha droge.
Koka e këtij grupi kriminal ishin dy vëllezër shqiptarë me banim në Porto Sant’Elpidio, rajoni Marche, bashkëpunëtorë të afër të tyre ishin po shqiptarë që banonin në Montemarciano (Ancona) e që ishin ortakë me trafikantë italianë.
Të ardhurat nga trafiku i drogës fshiheshin pas një sipërmarrje anonime tregtimi autoveturash.
Gjatë hetimeve janë arrestuar 8 korrierë droge e janë kapur 50 kg kokainë e janë sekuestruar 5 automjetet të modifikuara.
Hetimet kanë dokumentuar një trafik droge me mbi 700 kg kokainë e hashash me një vlerë prej 35 milionë euro.
Gjatë gjithë fazave hetimore sipas autoriteteve italiane janë ekzekutuar 12 arrestime me burg e 22 persona të vënë nën hetim me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës e pjesëmarrje në organizim kriminal.
Me urdhër të Prokurorisë së Ankonës ndaj personave të arrestuar është ekzekutuar dhe sekuestrimi paraprak për pasuri me vlerë mbi 1 milionë euro.