Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, në një prononcim për media para fillimit të samitit dy-ditor të udhëheqësve të BE-së, foli edhe për Kosovën e Serbinë.
Ai gjatë fjalës së tij mbështeti idenë për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë, me qëllim uljen e tensioneve mes tyre.
Michel tha se konferenca do duhet të mbahet sa më parë dhe në të të merrin pjesë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti si dhe shtetet e BE që janë duke u marrë për shtensionimin e situatës në veri dhe SHBA.
“Mendoj se ka ardhur koha që të kemi një qasje globale, pastaj të kemi hapa të qartë në drejtim të normalizimit.
Dua të them se ne e mbështesim edhe idenë për të organizuar, sa më parë që të jetë e mundur, një konferencë së bashku me disa shtete anëtare të BE-së”, tha Michel, duke theksuar edhe nevojën e koordinimit me SHBA-në.
Kutojmë që idenë për një konferencë të nivelit të lartë e dha kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me autoritetet e larta të BE.
“Është koha për një konferencë të nivelit më të lartë, të thirrur nga Franca e Gjermania, me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, ku të dyja palët të mos ngrihen nga tryeza e dialogut, deri në nënshkrimin e një marrëveshjes së plotë të normalizimit, përfshirë natyrisht edhe dakordësimin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës”, i shpreh Rama më 27 qershor.