Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti sot Ambasadoren e ShBA Yuri Kim, me rastin e përfundimit të misionit në Shqipëri.
Kryetarja Lindita Nikolla vlerësoi kontributin e Ambasadores Yuri Kim në forcimin e partneritetit strategjik dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe ShBA si edhe bashkëpunimin e ngushtë me Kuvendin e Shqipërisë.
“Misioni Juaj në Shqipëri ishte mjaft i suksesshëm. Gjatë shërbimit Tuaj u shënua 100-vjetori i marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara; Shqipëria filloi negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian; avancoi reformat e rëndësishme, sidomos reformën në drejtësi, vijimin e vetting-ut, plotësimin dhe bërjen funksionale të organeve të qeverisjes së sistemit, i dha fund kulturës së pandëshkueshmërisë; u rrit roli i Shqipërisë në zhvillimet, bashkëpunimin dhe integrimin rajonal; u forcua partneriteti strategjik shembullor mes Shqipërisë dhe ShBA në NATO dhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së; ShBA mbështetën dialogun Kosovë-Serbi dhe zgjidhjen sipas Planit Evropian të këtij dialogu dhe bashkëpunimit mes dy vendeve”, theksoi Kryetarja Nikolla.
Kryetarja Lindita Nikolla i uroi Ambasadores Yuri Kim suksese në vijimin e karrierës në Departamentin e Shtetit dhe shprehu bindjen se kudo që të punojë dhe kudo që të ndodhet, do të jetë gjithmonë një mike e mirë e shqiptarëve dhe e Kuvendit të Shqipërisë.
Ambasadorja Yuri Kim falenderoi Kryetaren Lindita Nikolla për vlerësimet dhe vuri në dukje se ishte me fat që shërbeu në Shqipëri në kohë domethënëse për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, por edhe në kohë të vështira të zhvillimeve ndërkombëtare.