Rritet bilanc tragjik i viktimave nga mbytja e anijes së peshkimit me rreth 700 emigrantë në ujërat greke një javë më parë.
Mediet vendase shkruajnë se numri i viktimave ka shkuar në 82 nga 79 që ishte. Emigrantët e shpëtuar janë 104, ndërsa rezultojnë të zhdukur gati 400 emigrantë.
Tragjedia me mbytjen e anijes ndodhi të mërkurën e kaluar në Pylos në afërsi të Kallamatës. Anija kishte destinacion Italinë, ndërsa ishte nisur nga Tobroku, Libi.
Anija e peshkimit plotë me emigrantë nga Afganistani, Pakistani, Siria dhe Palestina. OKB-ja ka bërë thirrje për një hetim mbi menaxhimin e tragjedisë nga Greqia, mes pretendimeve që duhet të ishin ndërmarrë më shumë veprime më herët për të nisur një përpjekje shpëtimi në shkallë të plotë.
Zyrtarët grekë thonë se kur roja bregdetare iu afrua anijes për t’i ofruar ndihmë, emigrantët refuzuan dhe thanë se donin të vazhdonin udhëtimin drejt Italisë.