Dy shtetas, babë e bir, janë vënë në pranga pasi tentuan t’i merrnin një biznesmeni, shumën 100 000 euro, me anë të mashtrimit.
Policia e Shtetit njofton se bëhet fjalë për shtetasit B. V., 54 vjeç dhe A. V., 24 vjeç, banues në Tiranë.
Në cilësinë e provave materiale sekuestrohen 70.000 euro, 2 automjete, 5 celularë, 3 karta SIM, 1 laptop, 2 USB dhe 1 tablet.
Njoftimi:
Njësia “E” për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSH, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, falë rritjes së besimit të qytetarëve, për të denoncuar pranë strukturave policore, raste të veprimtarisë kriminale me qëllim përfitimin e vlerave monetare, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, ka organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Telegram”.
Gjatë këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit B. V., 54 vjeç dhe A. V., 24 vjeç (babë e bir), banues në Tiranë.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi F. Gj., banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasit B. V. dhe A. V. do të merrnin shumën 100 000 euro nga një biznesmen. Shtetasi F. Gj. ka organizuar këtë veprimtari kriminale, duke iu prezantuar biznesmentit si zyrtar i lartë dhe duke i kërkuar shumën e parave, gjatë komunikimeve në rrjetet sociale.
Pas identifikimit, shtetasit B. V. dhe A. V. janë mbajtur në vëzhgim nga shërbimet operacionale të Policisë, deri në momentin kur janë arrestuar në flagrancë, para se të merrnin shumën e parave nga biznesmeni.
Nga veprimet e thelluara hetimore dyshohet se këta 3 shtetas janë autorë edhe të një rasti tjetër të ngjashëm, të ndodhur në muajin mars të këtij viti, në Tiranë, ku me anë të mashtrimit, duke u prezantuar si zyrtarë të lartë, i kanë marrë një shumë të madhe parash një biznesmeni.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 70 000 euro, 2 automjete, 5 celularë, 3 karta SIM, 1 laptop, 2 USB dhe 1 tablet.
Vijon puna për kapjen e shtetasit F. Gj. dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të kryer në bashkëpunim me 2 shtetasit e arrestuar.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim.
Policia e Shtetit falënderon qytetarët, për rritjen e besimit për të denoncuar në strukturat policore, raste të tilla, por dhe raste të tjera të paligjshmërive, në të gjitha fushat që ato shfaqen.
Policia e Shtetit fton qytetarët, operatorët ekonomikë në shkallë vendi dhe të dëmtuarit e tjerë, në rast se kanë dijeni apo dyshojnë për veprimtari kriminale të kësaj natyre, që ta denoncojnë atë pa hezituar, në strukturat policore në të gjithë vendin, duke i garantuar se Policia e Shtetit i ka të gjitha kapacitetet në burime njerëzore dhe operacionale, që të ndëshkojë cilindo që implikohet në këtë veprimtari krininale dhe në çdo paligjshmëri tjetër.