Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj, u krye nga 6 persona, 4 prej tyre britanike, një shqiptaro-britanik dhe një portugez. Portugezi është personi që qëllon mbi Nikulajn, ky që shihni në videon e marrë nga kamera të lokalit ku u vra biznesmeni në Shëngjin.
Janë të gjithë të shpallur në kërkim, pasi rezultojnë se kanë dalë nga Shqipëria.
“Edmond Haxhia Done, me shtetësi shqiptare dhe britanike, Ruben Saraiva, shtetas portugez, Harry Simson, shtetas britanik, Thomas Mithan, shtetas britanik, Steven Hunt, shtetas britanik, Harriet Bridgeman, shtetase britanike”.
Informatori kryesor është ky shtetas anglez që shihni në këtë foto të marrë nga kamerat e sigurisë, kur u jepte informacion bashkëpunëtorëve.
Nga hetimet e kryera nga Policia dhe Prokuroria e Lezhës, rezultoi se ngjarja kishte motiv gjakmarrjen. Kamerat e sigurisë dhe verifikimet në sistemin TIMS, treguan se autorët kanë ndjekur për disa kohë Nikulajn, deri në realizimin e vrasjes.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, tha për mediat se hetuesit kanë prova biologjike që i lidhin këta persona me ngjarjen.
“Si rezultat i hetimeve janë dokumentuar veprimet e autorëve të dyshuar, nga momenti i organizimit, deri në momentin e vrasjes së 51-vjeçarit Ardian Nikulaj si dhe e gjithë dinamika dhe itineraret e përshkruara nga ekzekutori dhe të gjithë shtetasit e tjerë të përfshirë si organizatorë dhe bashkëpunëtorë në kryerjen e kësaj ngjarjeje. Nga veprimet procedurale të kryera për këtë ngjarje janë siguruar prova shkencore biologjike të pakundërshtueshme që i përkasin autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale. Përsa i përket automjeteve të përdorura për kryerjen e krimit nga autorët e dyshuar është dokumentuar përdorimi i tyre nga personat e dyshuar për një periudhë kohore për realizimin e vrasjes”.
Për shkak se të gjithë janë larguar jashtë vendit, Rrumbullaku tha se Policia e Shtetit është duke bashkëpunuar me autoritetet e huaja për të bërë të mundur arrestimin e autorëve.
“Grupi hetimor po bashkëpunon me partnerët dhe strukturat ligjzbatuese ndërkombëtare, për kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale, të cilët janë larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë, pas kryerjes së krimit.”
Gjatë hetimeve për ngjarjen, policia gjithashtu sekuestroi dhjetëra pamje nga kamerat e sigurisë para dhe pas ngjarjes, që kanë bërë të mundur ringritjen e itinerarit të ndjekjes.
Ardian Nikulaj u vra mesditën e 19 prillit në lokalin e tij në Shëngjin me 6 plumba nga shtetasi portugez Ruben Saraiva, i cili u ndihmua nga 5 bashkëpunëtorët e tjerë në sigurimin e mjeteve dhe informacion.