Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 31-vjeçarin Gleard Gushollin, i cili akuzohet se mori peng dhe dhunoi barbarisht një 28-vjeçare, me të cilën ishte i lidhur.
Për Gushollin janë ngritur akuzat heqje e paligjshme e lirisë dhe dhunë në familje nëpërmjet kanosjes dhe kërcënimit për vrasje.
Ndërsa për 4 të arrestuarit e tjerë, Bledi Kateshin, Erlin Kateshin, Besmir Nucellarin dhe Arjan Shetan Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë “Detyrim paraqitjeje”.
28-vjeçarja u mor peng dhe u dhunua fizikisht nga partneri i saj, Gleard Gusholli. Ajo tregoi se me Gushollin është njohur rreth një vit e gjysëm më parë dhe ky gjest i tij sipas saj u bë për hakmarrje.
Siç tregoi Rezi për mediat, të dy ishin njohur në Gjermani dhe ajo e kishte ndihmuar 31 vjeçarin Gleard Gusholli të mjekohej, pasi dinte gjuhën shqipe. Aty ka nisur njohja e tyre dhe prindërit e 28 vjeçares, të cilët jetonin prej 30 vitesh në Gjermani, i kanë ndihmuar të jetonin bashkë.
Mirëpo, vajza thotë se që në ditët e para Gleardi kishte nisur ta dhunonte dhe prindërit e saj pasi e kishin marrë vesh këtë, e kishin përzënë 31 vjeçarin nga Gjermania. Pas një periudhe gati 3 mujore të ndarë, dy të rinjtë kanë rinisur të komunikojnë dhe vajza ka braktisur Gjermaninë për të bashkëjetuar me Gleardin.