“Asnjëherë nuk më shkoi në mëndje se do të humbnim, madje edhe atëherë kur bombat po binin mbi ne”.Këto ishin fjalët e Armin Lehmanit, një anëtar fanatik 16-vjeçar i Rinisë Hitleriane, që bashkë me mijëra adoleshentë u dërguan në Berlin në fillim të prillit 1945, për ta mbrojtur kryeqytetin gjerman nga Ushtria e Kuqe sovjetike, që po përparonte me shpejtësi.
Lehman u zgjodh si ndërlidhës, duke dërguar dhe marrë mesazhe nga salla e komunikimeve radiofonike në kancelarinë Rahjut për tek udhëheqësi në rënie Adolf Hitleri. Në prillin e 76 viteve më parë, Hitleri ishte strehuar në një bunker nëntokësor që ndodhej pranë godinës së kancelarisë dhe që njihej si Führerbunker.
Lehman duhej të ishte dëshmitari okular i ditëve të fundit të njeriut që e kishte gjunjëzuar Gjermaninë. Bunkeri, që përbëhej nga dy vend-strehime të lidhura më njëra-tjetrën, u përfundua me faza të ndryshme midis viteve 1936-1944.
Hitleri u vendos në bunkerin e nëndheshëm bashkë me partneren e tij Eva Braun dhe anëtarët e ngushtë të stafit që më 16 janar 1945. Qilimat dhe tapetet e shtrenjtë mbulonin dyshemetë e bunkerit, ndërsa veprat artistike të marra nga kancelaria ndereshin nëpër mure, përfshirë pikturën e preferuar të Hitlerit ku shfaqej Frederiku i Madh.
Hitleri do të jetonte plot 105 ditë në bunker. Ai bënte shëtitje të përditshme nëpër kopshtet elegante të kancelarisë, i shoqëruar nga qeni i tij i dashur Blondi. Kjo ishte një nga kënaqësitë e fundit që i kish mbetur.
Por ndërsa Ushtria e Kuqe filloi avancimin e saj drejt kryeqytetit, dhe predhat e para nisën të binin mbi kancelari dhe kopshtet e saj, iu mohua edhe kjo kënaqësi. Dita e fundit që Hitleri doli jashtë bunkerit ishte në mëngjesin e 20 prillit, që përkonte me 56 vjetorin e tij të lindjes.
Në atë moment ai dukej shumë ndryshme nga pushtuesi triumfator i6 viteve më parë. I varur nga qetësuesit e fuqishëm që i jepte mjeku i tij personal, dr.Teodor Morel, dhe duke u dridhur dukshëm nga Sëmundja e Parkinsonit, ai dukej shumë më i moshuar se vitet që mbante mbi supe.
Fyhreri përshkroi rrugën për në kopshtin e kancelarisë tashmë të shkatërruar, dhe u shpërndau disa medalje fëmijëve të Rinia Hitleriane. Ndër ata që takuan Hitlerin atë ditë ishte edhe Armin Lehman. Ai mori një Kryq të Hekurt nga Fyhreri për trimërinë e treguar gjatë një beteje, në të cilën ai kishte shpëtuar 2 shokët e tij në fillim të janarit.
Djali nuk mundej ta besonte kur Hitleri e kapi nga faqet duke e përkëdhelur.“Ne të gjithë e adhuronim. Ne ishim të përkushtuar të ndiqnim rrugën e tij edhe pse po vriteshim nga plumbat e Aleatëve”- do të kujtonte më vonë ai. Pak minuta më vonë, Hitleri u rikthye në bunkerin e tij dhe nuk doli më kurrë prej andej.
Të nesërmen, ai urdhëroi atë që kishte mbetur nga forcat e tij që të sulmonin sovjetikët që po përparonin, por urdhrat e tij nuk u morën parasysh. Kur e dëgjoi këtë, Hitleri u tërbua nga inati dhe për herë të parë e pranoi se lufta ishte e humbur. Tashmë ishte vetëm çështje kohe para se Berlini të pushtohej dhe sovjetikët të mbërrinin në Führerbunker.
Gjashtë ditës që pasoi ai e kuptoi se lufta ishte e humbur, Hitleri mori lajmin se Hajrih Himlerin po përpiqej të negocionte dorëzimin e Gjermanisë tek amerikanët. Duke shkumëzuar nga zemërimi, Hitleri e shpalli Himlerin tradhtar, teksa nxori jashtë dhe pushkatoi përfaqësuesin e tij të SS, Herman Fegelein.
Fakti që Fegelein ishte kunati i Eva Braunit, nuk ndikoi aspak tek diktatori nazist. Kur nisën ta braktisin edhe komandantët e tij besnikë, Hitleri e kuptoi se fundi i sundimit të tij ishte i afërt. Ndërkohë në bunker mbërriti lajmi se Benito Mussolini ishte kapur, ekzekutuar dhe se trupi i tij ishte varur me kokë poshtë në Milano.
I vendosur të mos pësonte të njëjtin poshtërim, Hitleri vendosi të vetëvritej. Eva Braun i tha Hitlerit se do të vdiste bashkë me të. Çifti u martua menjëherë pas mesnatës së 29 prillit në një ceremoni civile. Pas ceremonisë Hitleri u tërhoq në studion e tij bashkë me sekretaren e tij, Traudl Junge, për t’i diktuar testamentin.
Në të, ai edhe një herë fajësoi hebrenjtë për problemet e Gjermanisë. Të nesërmen, Hitleri mori lajmin se trupave që mbronin Berlinin po u mbaronin municionet, dhe se ishte vetëm çështje kohe para se forcat sovjetike të mbërrinin tek bunkerin. Hitleri e kuptoi që koha e tij kishte mbaruar.
“Ai ishte si një fantazmë. Nuk dukej se më shihte mua apo askënd tjetër. Ai vështroi vetëm përpara, i përhumbur në mendime. Në atë moment, bunkeri u trondit nga një dridhje e fortë e shkaktuar nga një predhë. Dukej shumë më i sëmurë se 10 ditë më parë në pritjen me rastin e ditëlindjes, kur unë e takova për herë të parë. Dukej sikur vuante nga verdhëza. Fytyra e tij ishte e zbehtë”- kujton më vonë Lehman.
Pasi udhëzoi mjekun e tij që ta helmonte qenin e tij Blondi për të provuar efektivitetin e kapsulave të cianidit që kishin ndërmend të pinin ai dhe Eva, Hitleri dhe nusja e tij e re i thanë lamtumirë stafit dhe u tërhoqën në dhomën e tyre. Atje Braun vrau veten me cianid ndërsa Hitleri qëlloi veten me pistoletë.
Sipas udhëzimeve të tij, trupat u nxorën në kopshtin e Kancelarisë dhe u dogjën pjesërisht.
Bunkeri u pushtua nga forcat sovjetike më 2 maj. Trupat e Hitlerit dhe Braun u identifikuan më vonë nga dhëmbët e Fyhrerit. Ato u varrosën dhe zhvarrosën disa herë para se të copëtoheshin dhe të hidheshin në lumin Elba në vitin 1970.
Armin Lehman arriti të shmangte kapjen nga sovjetiket, duke u dorëzua tek amerikanët. Ai u detyrua të shihte monstruozitetin e regjimit kur amerikanët e çuan atë të shihte tmerret e një kampi nazist të vdekjes. Ai hoqi dorë po atë ditë nga bindjet e tij, dhe vendosi të bëhej një aktivist i paqes. Lehman e kaloi pjesën tjetër të jetës së tij duke udhëtuar nëpër botë dhe duke promovuar paqen, tolerancën dhe jo-dhunën, në disa aktivitete të mbajtura në mbi 150 vende.
Ai vdiq në Kos Bej të Oregonit, SHBA, më 10 tetor 2008.
Burimi: https://www.history.co.uk/article/life-in-the-f%25C3%25BChrerbunker-hitlers-final-days
Përshtatur nga Tirana Today