Mbrojtësi me origjinë shqiptare i krahut të majtë, Riza Durmishi, i cili aktivizohet tek Lacio, nuk ka impresionuar këtë sezon, edhe prej minutave të pakta që ka pasur në dispozicion. Ai erdhi nga Betisi, pësoi një dëmtim në bërryl, por tashmë vuan edhe me problemet e shpinës, që nuk po e lënë të stërvitet rregullisht.
Në një intervistë për mediat daneze, vendi i cili edhe përfaqëson në nivel kombëtaresh, Durmishi tregon dramën që po kalon. “2018-a ishte viti më i keq i karrierës. Dëmtimin e shpinës e kam pasur që kur luaja te Brondbi, por në fillim e mora si diçka të thjjeshtë që do kalonte.
Por, këtë vit u përkeqësua dhe më bëri të rrija në stol disa ndeshje, dhe kështu as nuk u grumbullova me Danimarkën për në Botëror. Më pas kalova te Lacio, luajta disa ndeshje, dhe u dëmtova sërish, këtë herë në bërryl. Të gjitha këto ndodhën prej fajit tim. Luajta shumë gjatë me një dëmtim në shpinë.
Po e rrëfej këtë gjë tani, por e dinë doktorët dhe fizioterapistët te Betisi, por edhe te Danimarka. Edhe trajner Age Hareide te Danimarka e di se përtej dëmtimit, bëra gjithçka munda për të qenë i gatshëm për Botërorin. Në 2016, injektoja qetësues në trup, të luaja kundër Polonisë, tre ditë më vonë luajta ndaj Malit të Zi, sërish me qetësues. Të gjithë në kombëtare e dinë çfarë bëra që të futeshim në Botëror, dhe unë të arrija në nivelin tim.
Mbaj mend që pas ndeshjes së parë me Betisin, në 20 shtator 2016, rashë përpara shtëpisë sime, dhe për fat të mirë im atë gjendej pranë meje. Më thanë që e kisha, sepse kisha marrë shumë qetësues. Mungova për një muaj, por u ktheva më herët se sa pritej të luaja për kombëtaren. Bëra gabim, dhe jam i ndërgjegjshëm për këtë. Por kur je kaq i ri, dhe mendon se ke gjithë botën në këmbë e se mund të arrish gjithçka, këto janë pasojat.
Gjithmonë dy vitet e fundit luaja me ndonjë ngjitës në shpinë, që më ndihmonte të mos ndjeja dhimbjet. Duhej t’i shkoja pas që kur më ndodhi dëmtimi. Në vitin e parë te Betisi, në moshën 22-vjeçare, ishte një nga mbrojtësit më të mirë në La Liga, madje mora vlerësime edhe nga një legjendë si Visente Del Boske. Në vitin e dytë pastaj, luajta me shumë dhimbje, shkruan panorama.
Nuk është se dua të justifikohem, por këmba ime e djathtë ishte gjithmonë 20%-30% e frenuar, nuk kisha shpërthimin e duhur. Kam qenë në Sevilje për të bërë disa kontrolle, prandaj nuk kam luajtur me Lacion ndeshjet e fundit. Shpresoj që më në fund të gjejmë një zgjidhje për shpinën, që më ka ndjekur për dy vite. Nuk marr më qetësues dhe ndihem mirë, por duhet të shohim si do shkojë gjendja ime. Do më duhet edhe një javë të rinis stërvitjen. Nëse gjithçka shkon mirë, nuk kam frikë të them se 2019 do të jetë viti im.”