Interi duket se ka marrë një drejtim tjetër që nga momenti kur në klub është emëruar si administrator Bepe Marota. Ish-drejtuesi i Juventusit po ndjek me interes situatën e futbollistëve me eksperiencë, me të cilët beson se mund të përforcojë radhët e klubit në sezonin e ardhshëm për t’u munduar të ngushtojë distancën me bardhezinjtë.
Pasi përflitet prej ditësh se zikaltërit kanë një akord parimor me Diego Godin, në radhët e tyre mund të vijë përsëri në verë një tjetër emër i njohur dhe me shumë eksperiencë në arenën ndërkombëtare, një lojtar të cilin Interi e kërkonte prej një dekade, Arjen Roben.
Sipas mediave italiane, përfaqësuesit e lojtarit ua kanë ofruar futbollistin holandez zikaltërve, duke i bërë të qartë se do të ishte një destinacion i preferuar në verë, kur atij t’i përfundojë kontrata me Bajern Mynih. Interi ka mbajtur “shënimet” e rastit, pasi pavarësisht moshës së holandezit, klasi i tij është i padiskutueshëm dhe mbretet një lojtar i cili mund të bëjë diferencën në Itali apo në arenën ndërkombëtare.