Dalin detaje të reja lidhur me vrasjen e 63-vjeçarit Petrit Zifle. Shqiptari u vra në Korfuz pak ditë më parë, ndërsa media greke shkruajnë se autor është një anëtar i Agimit të Artë.
Ngjarja e rëndë ndodhi në Dragotina më 25 nëntor, ndërsa sipas banorëve të zonës, ai ishte konfliktuar me fjalë një ditë para vrasjes në një lokal me autorin. Mësohet se shkak i konfliktit ka qenë një debat me karakter etnik.
Autori i ngjarjes rezultoi pikërisht 44-vjeçari nga Korfuzi, që është anëtar i Agimit të Artë në Lefkimi, madje dhe përfaqësues i kësaj partie në ditën e zgjedhjeve.
Vrasësi kishte hapur debat për jo grekët dhe për çështjen e Maqedonisë në lokal dhe aty kishte ndërhyrë dhe Zifle. Pjesëtarët e tjerë në lokal i kanë ndarë dhe autori është larguar më pas duke kërcënuar Ziflen, të cilit në Greqi i flisnin Petro. Më pas vrasësi i ka bërë pritë dhe e ka vrarë 63-vjeçarin shqiptar, trupin e të cilit e ka hedhur në një hendek, ku u gjet.