Duke marrë shkas nga rasti i Kacifas, vrarë nga RENEA në Bularat të Gjirokastrës, ka reaguar një aktivist i të drejtave të njeriut në Greqi. Konkretisht, aktivisti Kampagiannis, njëkohësisht avokat i çështjes së shqiptarit Marnikollaj, rikthen në vëmendje rastet e shqiptarëve të vrarë në shtetin fqinj.
Në një postim të gjatë në Facebok, avokati sqaron dyshimet lidhur me çështjen e Marnikollajt, si dhe jep detaje për mediat shqiptare, ku thekson se çështja dhe kërkimi i drejtësisë vazhdon.
Njëkohësisht, avokati grek bën thirrje që autoritetet greke të vijojnë punën për zbardhjen e plotë të çështjes së Marnikollajt, por edhe të shqiptarëve të tjerë, të cilët kanë mbetur të vrarë në Greqi në rrethana të dyshimta.
Më poshtë sqarimi i avokatit grek, përkthyer nga Tirana Today:
Familja e Konstandinos Kacifas ka të drejtë të kërkojë zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes së të afërmit të saj, bashkë me autoritetet greke, pasi i ndjeri ishte edhe shtetas grek. Prandaj zbardhja e vdekjeve të shtetasve shqiptarë në territorin e Greqisë, që vënë në dyshime përgjegjësinë e Policisë greke është po kaq e rëndësishme: që një shtet të jetë në gjendje të mbrojë shtetasin e tij pa akuzën e hipokrizisë, ai duhet të ofrojë garancitë që meriton.
Duke marrë pra shkak nga kjo, dhe jo nga fraza e famshme “për këtë nuk thoni asgjë”, publikoj një deklaratë publike të kohëve të fundit të mediave shqiptare për zbardhjen e rrethanave të vdekjes të Pëllumb Marnikollaj, i cili humbi jetën nga rënia nga dritarja e komisariatit të Policisë Patision në 3/8/2016. Dy vite më pas, familja e Pëllumbit nuk ka akses të dosja e çështjes duke qenë se nuk janë ngritur akuza ndaj personave specifikë (edhe pse është filluar marrja në pyetje për vrasje).
Duke marrë shkas nga publikimet e mediave shqiptare, për sa i përket zbardhjes gjyqësore të vdekjes së shtetasit shqiptar Pëllumb Marnikollaj, pas rënies së paqartë nga kati i dytë i komisariatit të Policisë Patision në Athinë, në 3/8/2016, do të donim të informojmë mediat për sa më poshtë:
Pas veprimeve të familjes së të ndjerit Pëllumb Marnikollaj dhe dëshmisë së të atit gjatë hetimit paraprak, Prokurori i Athinës filloi ndjekjen penale për veprën penale “Vrasje me dashje” ndaj personave të paidentifikuar. Hetuesja që mori përsipër zbardhjen e çështjes nuk bëri hetime të tjera dhe e dërgoi çështjen/dosjen te Prokurori kompetent për të ndërmarrë veprimet e veta. Vendimi për hetime të tjera të çështjes nuk është marrë ende, çka do të thotë që dosja nuk është arshivuar. Si avokat i familjes Marnikollaj, kemi dorëzuar ekspertizën mjeko-ligjore të realizuar në spitalin e Tiranës, e cila vërteton fakte të mjaftueshme për veprime kriminale të bëra ndaj të ndjerit Pëllumb Marnikollaj.
Pra, presim nga drejtësia greke zbardhjen e gjithanshme të çështjes, ngritjen e akuzave ndaj personave specifikë dhe ngarkimin me përgjegjësi penale aty ku kjo është me vend.
Gjithsesi, familja Marnikollaj, ka treguar vullnet të plotë për vënien e drejtësisë për t’iu drejtuar të gjitha autoriteteve ligjore, kombëtare dhe ndërkombëtare.
Athinë, 18/10/2018,
Avokati në prokurë i familjes Marnikollaj,
Thanasis Kampagiannis.