Vetëm pak javë më parë portieri i Francës dhe kapiteni i Tottenham, Hugo Lloris u ndalua nga policia pasi ishte duke i dhënë makinës në gjendje të dehur nga policia angleze. Në gjyq, Lloris pranoi gjithçka, duke rrëfyer se ishte penduar për veprimin e kryer. Gjykatësi i çështjes u shpreh se gjoba korrespondon me atë që 31-vjeçari kishte bërë, duke qenë se vuri në rrezik jetën e pasagjerëve në makinë, kalimtarëve dhe makinave të tjera që qarkullonin.
Ai doli pozitiv në testin e alkoolit, duke qenë dyfish sipër normës së lejuar. Policët raportuan se kampioni i Botës nuk arrinte të qëndronte në këmbë e se kishte nevojë për ndihmë që të zbriste nga makina. Gjoba ndaj tij është 50 mijë paundë dhe heqje patente për 20 muaj.
Nuk u kursye as Tottenhami me portierin e tij. Klubi londinez e gjobiti kapitenin me 300 mijë paundë, ose 2 javë rrogë, pasi ai e deklaroi veten fajtor për dhënie të makinës në gjendje të dehur. Gjithsesi, atij nuk do t’i hiqet shiriti i kapitenit, me vendimin që u mor nga trajneri Mauricio Pochettino.