Ka marrë një hov të ri armatosja e Serbisë me arsenal të rëndë luftarak nga Rusia. Ministri i Mbrojtjes serbe, Aleksandër Vulin, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Moskë, ka thënë për Sputnik-ut se Beogradi do të marrë dhuratë nga Rusia 60 mjete të rëndë të blinduara luftarakë. Bëhet fjalë për 30 tanke T-72S, si dhe 30 mjete të blinduara zbulimi.
Rusia i ka ofruar dhuratë në paketën e 7 Mig 29. Gjithashtu Beogradi ka vendosur të blejë edhe tre helikopterë Mi-17 dhe 4 Mi-35. Vulin tha se tanket dhe autoblindat do të mbërrijnë në Serbi në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm. Ministri serb i mbrojtjes u takua në Moskë me homologun e tij rus, Sergei Shoigu.
Ata së bashku morën pjesë në ceremoninë e mbylljes së manovrave ushtarake ku u përfshinë disa shtete aleate të Rusisë. Pse i duhen Serbisë gjithë këto armë? Po i blen për t’u përgatitur për ndonjë konflikt të armatosur, apo thjesht po bën tregti me Moskën? Përgjigja e ministrit serb të tregon një sinjal jo shumë të paqartë.
“Unë jam shumë mirënjohës ndaj Federatës Ruse dhe personalisht ministrit Shoigu dhe, natyrisht, Presidentit Vladimir Putin, të cilët mbështesin plotësisht të drejtën e Serbisë për të vendosur kur është fjala për Kosovën. Moska do të mbështesë çdo vendim që Serbia do të marrë”, tha Vulin.