Nga Jonathan Hillman “The Washington Post”/ Në fillim të këtij muaji, 16 udhëheqësit e shteteve të Evropës Qendrore dhe Lindore u mblodhën rreth një fuqie të vetme të huaj në Sofje të Bullgarisë. Forca mbledhëse, nuk ishte Bashkimi Evropian, Rusia apo Shtetet e Bashkuara, të cilat historikisht kanë lidhjet më të thella kulturore, politike dhe të sigurisë në këtë rajon.
Në vend të tyre, në qendër ishte Kina – ashtu si gjithnjë e më shumë nëpër botë. Në vitin e tij të shtatë, samiti “16 + 1” përfaqëson në mënyrë të përkryer markën iluzive kineze të multilateralizmit. Duke bërë bashkë shumë vende, Pekini ofron tablonë e jashtme të përfshirjes dhe ndërtimit të konsensusit.
Deklaratat zyrtare në samit, konfirmuan mbështetjen ndaj Organizatës Botërore të Tregtisë dhe Kombeve të Bashkuara, dy shtyllat kryesore të multilateralizmit, që janë gjithnjë e më shumë nën presion. “Ne duhet të mbështesim multilateralizmin”- u tha të pranishmëve kryeministri kinez Li Keqiang.
Por, nën sipërfaqe, formati 16 + 1 i Kinës, është krejtësisht i ndryshëm nga praktikat dhe institucionet multilaterale, që ajo pretendon se mbështet. Kina dhe partnerët e saj, nuk bien dakord me një grup të përbashkët rregullash, që kanë ndonjë ndikim të rëndësishëm në sjelljen e tyre. Asnjë nga rezultatet nuk vjen me konsensus.
Multilateralizmit të Kinës i mungon thellësia, dhe ai mbështetet në miklimin e egove të shteteve të tjera dhe lidhjet dypalëshe të lëkundura. Quajeni më mirë “Lajkatarizëm”. Aty ku kjo qasje ka përfitime, ato ndodhi kryesisht në Kinë. Nën maskën e pjesëmarrjes më të gjerë, Kina favorizon qeveritë e vendeve ku rregullat e investimeve janë më pak strikte, duke siguruar angazhimin e kompanive kineze për të ndërtuar projekte të mëdha.
Për shembull, ekonomia e Bosnjës, është afërsisht një e treta e madhësisë së Kroacisë, por nuk është ende subjekt i rregullave të prokurimit të BE-së, që kërkojnë oferta të hapura. Vitin e kaluar, ky vend mori 10 herë më shumë investime kineze, sipas të dhënave të mbledhura nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Samiti ofron përparësi praktike dhe politike. Këto tubime vjetore, u mundësojnë zyrtarëve kinezë të fokusohen me efektivitet mbi ekonomitë e vogla. Dhe kur Kina zbret në qytet, samitet e saj janë më pak mbledhje bordesh, dhe më shumë audicione. Në thelb, 16 vende konkurrojnë për vëmendjen e një vendi tjetër.
Kina i përdor variante të këtij këtij modeli në rajone të tjera, duke u pozicionuar në qendër të samiteve në Afrikë dhe Amerikë Latine. Kjo është diplomacia e aftë, por nuk është multilateralizëm. “Lajkatarizmi”, kalon gjithashtu përmes vizionit të politikës së jashtme të presidentit kinez Xi Jinping.
E prezantuar në vitin 2013, nisma e Brezit dhe Rrugës e Kinës, synon të çojë Pekinin pranë qendrës së çdo gjëje, përmes projekteve të reja të infrastrukturës së madhe, marrëveshjeve tregtare, shkëmbimeve kulturore dhe një sërë lidhjesh të tjera. “Së bashku, ne mund të ndërtojmë një bashkësi të gjerë interesash të përbashkëta”- tha Xi pra një audiencë prej gati 30 krerë shtetesh dhe përfaqësuesish nga më shumë se 130 vende dhe 70 organizatash ndërkombëtare,
në Pekin vitin e kaluar.
Brezi dhe Rruga, është një lëvizje mjeshtërore gjeopolitike. Duke e përfshirë atë në mitologjinë e Rrugës së Mëndafshit, Xi është duke i shitur botës një rend botëror me ne qendër Kinën. Në vend se të hartohen harta që përshkruajnë të gjitha rrugët që çojnë në Pekin, rreth 70 shtete janë bërë pjesë zyrtare e nismës.
Kombet e Bashkuara, OBT-ja dhe institucionet e tjera tradicionalë të multilateralizmit, kanë shprehur të gjitha shkallë të ndryshme, mbështetjeje për një nismë që mund të dëmtojë më tej efektivitetin e tyre. Në praktikë, Brezi dhe Rruga, është një “det” marrëveshjesh dypalëshe midis Kinës dhe vendeve pjesëmarrëse, duke përfshirë shumë tregje, ku pak të tjerë guxojnë të futen.
Më shumë se gjysma e vendeve pjesëmarrëse në këtë nismë, kanë vlerësime problematike të borxhit sovran.
Theksi i Kinës tek ndërtimi i projekteve të mëdha infrastrukturore, rezonon me liderët e huaj që kërkojnë të bëjnë përshtypje në shtëpi, dhe lënë pas trashëgiminë e tyre. Udhëheqësit vështirë se mund t’u rezistojnë ceremonive të prerjes së shiritave, dhe ndërsa marrëveshjet grumbullohen, zhvillimi mund t’i hapë rrugë varësisë.
Në një lagje të ish-presidentit të Sri Lankës, projektet kryesore – duke përfshirë një aeroport ndërkombëtar, një stadium kriketi dhe një port – kishin 3 gjëra të përbashkëta:ato përdorën financimin kinez, kontraktorët kinezë dhe emrin e tij. Tani që mezi po hyjnë në përdorim, Sri Lanka ka borxhe dërrmuese, dhe Kina kontrollin e portit.
Lavdërimet rrjedhin lirisht përgjatë Brezit dhe Rrugës. Kina cakton një partneritet strategjik “sipas të gjitha sezoneve” me Pakistanin, një “partneritet gjithëpërfshirës strategjik” me Rusinë, një “partneritet gjithëpërfshirës strategjik bashkëpunimi” me Vietnamin, dhe marrëdhënie “bashkëpunuese strategjike” me një listë të gjatë fqinjësh.
Ajo është bërë “mbreterësha” e partneriteteve, duke ofruar shije për të gjithë. Por ajo që Kina ka ende për të ofruar, është multilateralizmi i thellë në shkallë. Përpjekja e saj më e afërt, Banka Aziatike e Investimeve në Infrastrukturë, ka tërhequr pjesëmarrje të gjerë dhe ka miratuar rregulla të ngjashme me ato të Bankës Botërore.
Por, duke dhënë vetëm 5 miliardë dollarë hua deri më sot, AIIB është lënë në hije nga mekanizmat dypalëshe të huamarrjes nga ana e Pekinit. Gjatë 5 viteve të ardhshme, Banka Kineze e Zhvillimit është zotuar të investojë 250 miliardë dollarë në vendet që shtrihen përgjatë Brezit dhe Rrugës.
Më pak se një javë pas samitit 16+1 të Kinës, krerët e shteteve të NATO-s, u mblodhën në Belgjikë. Normalisht, një takim i aleancës më të fuqishme të sigurisë kolektive në botë, do të siguronte një kontrast të thellë me samitin e cekët të Pekinit. Por, në mungesë të mbështetjes së fortë të SHBA-ve për multilateralizmin autentik, po bëhet gjithnjë e më e vështirë të dallosh kush është ai i gënjeshtërti. PËRSHTATI TIRANA TODAY
Shënim:Jonathan Hillman, është drejtor i projektit “Reconnecting Asia” në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.