Nga: Marsela Sinani/Padiskutim që Instagrami është kthyer në një platformë, ku si revistat e modës lançon trendet e reja. Trendi më i fundit në Instagram është “#slime”, materiali që shkrin në duar, (përdoret edhe si antistres apo si lodër për fëmijët, pa e ditur çfarë rreziku përmban).
Ekspertët e fushës japin alarmin, duke na treguar se në përbërje të tyre ka nivele të larta kimikatesh. Të vjellat, dhimbjet e barkut apo alergji të ndryshme janë vetëm disa nga efektet anësore që vijnë nga kjo lodër, në dukje argëtuese.
Por çfarë e bën kaq tërheqëse për të rinjtë? Pse ata renden pas realizimit të një videoje të shkurtër, e për ta ndarë me ndjekësit?! A janë në dijeni me çfarë pasojash mund të përballen?
Kjo është ajo çfarë na shqetëson më shumë, e ndodhur përballë këtij rebelimi në masë, edhe prindërit janë dorëzuar duke dhënë vetëm “like” në profilet e fëmijëve të tyre.
“Tirana Today” ka kontaktuar me sociologen Entela Binjaku, për të na folur më tej rreth kësaj manie, e cila është përhapur në kohë reale në masë të gjerë. Fëmijët e moshave 10-12 vjeç që nuk kanë blerë apo bërë vetë një slime, janë thuajse të paktë. Mjaft të shohësh se janë më shumë se 20 milionë klipe me receta “si të bësh një slime” në Yotube, që në vitin 2017 ishte në vendin e parë në kategorinë e artikujve “Si të…”.
Slime në vetvete është një pasion i fëmijëve të të gjitha moshave, pa dallim kombësie. Kjo lloj plasteline xhelatinoze që ata mund ta përgatisin në shtëpi, është bërë shpesh tema qëndrore mes nxënësve në shkolla dhe adoleshentëve. Ata kërkojnë në youtube si mund ta mësojnë vetë, shkëmbejnë me njëri–tjetrin ide ose receta, kërkojnë bashkë kombinimet e përsosura.
Tutorialet në youtube e kanë kaluar shifrën 1 milionë dhe në Instagram po ashtu janë me qindra mijëra postime. Është kaq e pëlqyer nga fëmijët, sa edhe është krijuar edhe një “rrjet” i vertetë përdoruesish. Ata shkëmbejnë, shesin, ia kalojnë njëri-tjetrit.
Sociologia i është përgjigjur interesit tonë, duke na përcjellë në detaje se çfarë e bën kaq shumë të dëshiruar slimen.
“Arsyet janë: ndjehen më të përfshirë në një lojë të përbashkët, japin e marrin me njëri-tjetrin, shoqërizohen përmes lojës, që është shumë e njohur për fëmijët, krijojnë nga fantazia e tyre forma të ndryshme, kanë “rrjetin” e tyre etj. Kjo lojë mund të sjellë edhe një të mirë, siç është zgjimi i pasionit për kiminë tek fëmijët, që nuk duhet anashkaluar”.
Teksa fëmijët e adoleshentët kanë gjetur një lojë ku mund të argëtohen, nga ana tjetër, kërkuesit nuk janë aspak të qetë, pasi kjo lloj plasteline ka në përmbajtje të saj një lloj substance të rrezikshme.
“Por specialistët në SHBA dhe Britani kanë zbuluar se kjo lloj plasteline xhelatinoze mund të ketë në përbërje një substancë të rrezikshme, që mund të sjellë edhe pasoja tek të vegjlit. Ndaj të rriturit duhet të ngrenë pyetjen; a janë të sigurta për shëndetin dhe sidomos kur e dinë që përdoren substanca kimike.
Diskutimet lindin tek substanca që përdoret, borax, e cila njihet edhe për prodhimin e sapunit dhe detergjentëve larës. Pluhuri i boraxit mund të sjellë dëme të shumta si në lëkurë, në sy, apo brenda organizmit. Duhet të marrim parasysh se në përgatitje e slime, marrin pjesë edhe fëmijë të moshës 6-vjeç, që nuk janë gjithmonë të kujdesshëm më këtë substancë.
Shtypi në Angli dhe Amerikë ka ngritur shpesh shqetësime se ka pasur mjaft vogëlushë me djegie, për shkak të kësaj substance, apo që kanë qenë në rrezik pikërisht prej kësaj substance. Agjencia Evropiane e Substancave Kimike e ka renditur boraxin si një substancë e rrezikshme që çon edhe në infertilitet, që prek shikimin, ndërsa tek gratë shtatzëna mund të sjellë edhe abort.
Por paralelisht me këtë risi kanë dalë edhe falsifikimet, që dmth prodhime për të cilat nuk ke asnjë informacion, ose që janë pa etiketë, thjeshtë në kuti. Shumë nga inspektorët e kësaj agjencie kanë marrë mostra dhe i kanë çuar për analiza në laboratore. Dhe kjo sidomos për Krishtlindje, që të ketë vetëm lodra të sigurta për ta.
Edhe autoritetet franceze kanë tërhequr këtë vit vëmendjen përmes dy organizatave, Agjencisë Kombëtare për Sigurinë Sanitare dhe përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Konkurencës, Konsumit dhe Dëmit Ekonomik. Sipas tyre, përbërësi bazë për këtë lodër është një ngjitës i lëngshëm, që përmban konservantë dhe substanca të forta alergjike që janë përgjegjëse për traktin e frymëmarrjes.
Acidi borik i manipuluar mund të përbëjë rrezik për zhvillimin e toksinave për zhvillimin e embrionit-fetusit etj. Sipas tyre, versioni më helmues është ai home-made. Shpesh prindërit shkojnë te dermatologu për probleme të lëkurës së fëmijës. Kërkuesit francezë kanë marrë 15 mostra prove nga dyqane të ndryshme dhe pasi kanë parë se ato janë shumë të rrezikshme, kanë kërkuar të tërhiqen menjëherë nga tregu francez”, thotë më tej sociologia për “Tirana Today”.
Po në Shqipëri, sa agjenci shqiptare simotër me këtë franceze ka reaguar, apo është shqetësuar?
“Këto janë shtete të pasura dhe të zhvilluara, me agjenci të besueshme, ku fëmijët janë prioritet dhe ku për zhvillimin e tyre, shoqëria reagon në të gjitha kanalet. Tek ne reagimet janë ose të vonuara, ose të munguara, shoqëria nuk merr seriozisht faktin se prej lodrave mund të vijnë dhe shqetësime.
Prindërit nuk janë gjithmonë të ndërgjegjësuar për rreziqet nga këto lodra të popullarizuara, jetojnë me parimin “nuk ndodh vetëm tek ne”.