Serbia e ka mbyllur rrugëtimin në Botërorin e Rusisë dhe për këtë “fajtorët” kryesor janë Granit Xhaka dhe Xherdan shaqiri. Komentet rreth golave të tyre ndaj serbëve dhe aq më shumë festa me simbolin e shqiponjës ka bërë xhiron e botës dhe është interpretuar në forma nga më të ndryshmet.
Së fundmi ai që shkuar për gjestin e shqiptarëve të Zvicrës është Sputnik-u rus, i cili në një koment pas përfundimit të aventurës serbe në Rusi 2018, ua ka vënë fajin SHBA-ve dhe disa vendeve perëndimore, duke pretenduar se kanë planifikuar gjithçka për të ushqyer mitin shqiptar.
Dushan Porokoviç, një nga komentatorët kryesor të Spitnik-ut që merret me shkrime ndaj shqiptarëve, ku shpesh e quan politikën e Sllobodan Millosheviçit, si të “domosdoshme për shpëtimin e popullit serb”, në komentin e tij të fundit në portalin e Kremlinit shkruan se “antagonizmi” i shfaqur në Botëror mes serbëve dhe shqiptarëve është i “prodhuar në laborator”.
Sipas tij, “Shkaqet e kësaj përplasje nuk duhet të kërkohen në ‘papajtueshmërinë’ e serbëve dhe shqiptarëve. Deri tani kemi jetuar së bashku dhe do të jetojmë të tillë. Marrëdhëniet tona janë komplekse, të ngarkuara me konflikte në shekullin e 20-të.
Megjithatë, dallimi është se marrëdhëniet serbo-shqiptare janë ‘helmuar’ nga fuqitë perëndimore, helmim i cili arriti kulmin në shpalljen e njëanshme të pavarësisë së shqiptarëve të Kosovës në vitin 2008.
Shqiptarët ishin një pakicë kombëtare në kohën e Jugosllavisë, por ajo që u imponohet serbëve është poshtëruese. Për fat të keq, individë nga Beogradi, madje edhe anëtarë të qeverisë, këtë imponim nga fuqitë perëndimore e quajnë ‘zgjidhje për Kosovën’”.
Sputnik vijon në sulmin e krerëve të Beogradit, që sipas portalit të financuar nga Putin, ka bërë gati heqjen e Kosovës nga Kushtetuta serbe që e njeh si pjesë të shtetit të Serbisë.
Madje Porokoviç arrin edhe më larg në komentin e tij kur thotë se kriza e Kosovës do të zgjidhej në mënyrë tjetër dhe gjithçka ndryshoi në Rambuje.
“Edhe Sllobodan Millosheviç ra dakord për të nënshkruar marrëveshjen e Rambujesë, por gjatë natës, Madeleine Albright, me anë të një dokumenti solli idenë e referendumit të shqiptarëve të Kosovës tre vjet pas marrëveshjes. Ajo u tha me guxim anëtarëve të delegacionit nga Beogradi se ‘kjo nuk negociohet’”.
Dhe këtu nis qarjen e tij komentatori i Sputnik-ut, se që atëherë kur u bombardua Serbia, “shqiptarëve u lejohet të bëjnë gjithçka e serbëve asgjë. Edhe pushtimi u quajt ndërhyrje humanitare në vitin 1999”.
Dhe pikërisht më pas Porokoviç e lidh gjithçka me Botërorin e futbollit në Rusi. “Kjo është arsyeja pse ndeshjet e futbollit janë instrumentalizuar me qëllim të presioneve të mëtejshme në Serbi. Prandaj Stipe Mesiç bëri shqiponjën për të mbështetur Xhakën dhe Shaqirin.
Edhe Edi Rama hapi një llogari për të mbledhur fonde për mbrojtjen e tyre në FIFA. Ai incident, është shumë më i gjerë sesa mund të duket në shikim të parë. Pasi çdo veprim prodhon një reagim.
Përkundër propagandës shurdhuese gjatë dekadës së kaluar se ‘Kosova tashmë është e humbur’, ku ne jemi fajësuar për çdo gjë që ka ndodhur, e vërteta është se serbët nuk janë pajtuar me padrejtësi. Ndaj provokimeve shqiptare reagojmë me forcë. Presionet e jashtme ose përpjekjet për të relativizuar këto procese nga politikanët vendas nuk mund ta ndalojnë reagimin popullor”, shkruan Sputnik, që më pas paralajmëron Beogradin dhe natyrisht SHBA, Britaninë e Madhe, Gjermaninë dhe Francën se nuk mund të imponojë një zgjidhje për Kosovën nga Serbia, pasi përndryshe “do të ketë revolucion serb”.
Ky shkrim ka pasur mbështetjen e Moskës, përderisa kjo tezë është shtruar as më pak e as më shumë por në portalin zyrtar të Kremlinit./Ina/