Paraprakisht u hodhën hipotezat e para se një lidhje e mohuar nga prindërit ishte bërë “mollë sherri” që një i ri në Durrës ti plagoste me thikë në sy të nuses. Por burime të tjera thonë se situata ka qënë e rënduar prej kohësh, por vetëm kur djali ka kërkuar një pjesë të shtëpisë, aty dhe ka agravuar gjendja. I riu së bashku me të fejuarën nuk ishin në punë, e ndërsa prindërit insistonin që ata të stabilizoheshin nga ana ekonomike.
Por jetesa ishte bërë edhe më e vështirë, pasi djali i papunë linte pensionet e prindërve të tij në lojëra fati, ç’ka ishte bërë shpesh shkak debati mes tyre. Edhe dje ka ndodhur i njëjti konflikt dhe në debat e sipër, të moshuarit i vunë kusht çiftit të ri, të gjenin punë, ose të largoheshin nga shtëpia, pasi nuk mund t’i mbanin më me para dhe strehim.
25- vjeçari ka refuzuar dhe u ka kërkuar pjesën e tij të shtëpisë. Këtu situata është ndezur duke përfunduar mjaft rëndë, pasi ai ka qëlluar disa herë me thikë të dy prindërit. Të moshuarit, Destan dhe Hasie Neziri, kanë marrë plagë në pjesë të ndryshme të trupit.
Sipas mjekëve, 25- vjeçari ka qëlluar gjashtë herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit nënën, duke i shkaktuar dëme të rënda edhe në organet jetësore. Ai ka qëlluar dy herë me thikë edhe babain, një herë në faqe dhe një herë në kokë, duke e lënë edhe atë të plagosur rëndë. Në momentin e ngjarjes, në shtëpinë e familjes Neziri ndodhej edhe e fejuara e Hajriut, e cila dyshohet ta ketë ndihmuar atë në sulmin barbar ndaj prindërve të tij, raporton “Panorama”.
Pas krimit të rëndë, çifti i ri u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës disa orë më pas, pasi autori i plagosjes së rëndë, Hajri Neziri, u paraqit në Spitalin e Traumës për të marrë ndihmë mjekësore.
Bashkëshortët e plagosur, Destan dhe Hasie Neziri, 75 dhe 64-vjeçe, janë në gjendje të rëndë në sallën e reanimacionit në Spitalin e Durrësit, ndërsa mjekët pohuan se është ende herët për të konfirmuar nëse ata janë jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja
Ngjarja e rëndë u regjistrua një ditë më parë, rreth orës 14:45, në banesën e familjes Neziri, në lagjen Nr. 17 të Durrësit. Konflikti brenda familjes dyshohet se është ndezur në momentin që prindërit, të dy ish- mësues, i kërkuan 25- vjeçarit të largohej nga shtëpia së bashku me të fejuarën e tij, e cila gjithashtu nuk punonte. Të moshuarit iu kërkonin vazhdimisht dy të rinjve që të gjenin punë, dhe të mos prisnin më vetëm nga pensioni i tyre.
Vetëdorëzimi i autorit
“Kam plagosur dy prindërit e mi në Durrës. Nga përleshja kam marrë edhe vetë plagë (gërvishtje jo të thella). Dua të dorëzohem në polici”, mësohet të jetë shprehur 25- vjeçari për bluzat e bardha.
Këta të fundit, ashtu sikurse e parashikon edhe ligji për rastet kur paraqiten të plagosur me armë zjarri, apo mjete prerëse, kanë sinjalizuar policinë. Blutë e Tiranës mbërritën menjëherë në spital, dhe ndaluan djalin bashkë me të fejuarën e tij. Kjo e fundit ende nuk ka të dhëna nëse do të ketë një akuzë bashkëpunimi, pasi roli i saj në ngjarje pritet të zbardhet pas një hetimi më të plotë.