Gazeta zviceriane Neue Zürcher Zeitung ka bërë një shkrim goditës për librin biografik të Presidentit Hashim Thaçi të cilën shefi i shtetit po e promovon nëpër qendra botërore. NZZ shkruan se Thaci këtë libër e ka porositur nga frika e Gjykatës Speciale dhe në përpjekje për të përmirësuar imazhin e tij të dëmtuar.
Në një biografi të autorëve britanikë, presidenti kosovar dhe ish- kreu i guerrilës Hashim Thaçi duket si një superyll. Në Prishtinë besohet se fushata e imazhit ka të bëjë me akuzat e frikshme të krimeve të luftës, shkruan Zürcher Zeitung.
Një politikan që dëshiron të përjetësojë veten në një biografi zakonisht ka tri opsione: Së pari, ai është duke kërkuar një ‘shkrimtar-fantazamë’ për kujtimet e tij.
Së dyti, ai u përgjigjet pyetjeve nga gazetarë të pavarur të cilët mbledhin të dhëna për të shkruar një libër jofiktiv. Së treti, ai punëson autorë që shkruajnë pikërisht atë që ai dëshiron të lexojë rreth vetes për një tarifë të përshtatshme.
Kjo e fundit është varkë shpëtimi ideal për politikanët me një imazh të dëmtuar, përfshirë edhe për Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi. Ish shefi i guerrilës është i përfshirë në shumë çështje deri në fyt.
Ai mund të akuzohet për krime lufte nga një gjykatë ndërkombëtare speciale në Hagë. Thaçi, i cili gjithmonë ka mohuar akuzat, thuhet se ka nënshkruar miliona euro gjatë viteve të fundit me firma lobuese dhe firma ligjore në SHBA dhe Angli. Tani 50-vjeçari shkëlqen me flokët e thinjura me buzëqeshje të filmave vizatimorë në kopertinën e librit të sapo botuar.
Njëlloj lavdërues është edhe titulli: “Shtet i ri, burrështetasi modern”. Autorët janë dy gazetarë britanikë që nuk kanë raportuar më parë nga Kosova apo rajoni.
Në Prishtinë, libri, në të cilin Thaçi është krahasuar me Churchill, Mandela dhe George Washington, ka nxitur debate. Gazetarët akuzojnë autorët për shtrembërimin e fakteve dhe thurjen e legjendave.
Anëtarët e opozitës kërkojnë një hetim parlamentar. Mbi të gjitha, duhet të qartësohet një pyetje: a pagoi presidenti biografinë me paratë e taksapaguesve? Në Vjenë, ku Thaci prezantoi librin e tij në Akademinë Diplomatike prestigjioze, askush nuk duket ta ketë bërë këtë pyetje.
Diplomatët në pension i dolën në mbështetje mikut të tyre. Në vend të një diskutimi kritik pati lavdërime në podium – edhe nga nikoqiri, drejtor i Akademisë. Kosovarët që jetojnë jashtë shtetit nënshkruan autografe dhe bënë ‘selfie’ me presidentin, i cili buzëqeshte me kopertinën e librit. Katër televizione i transmetuan fotot dhe pamjet në Kosovë. Rastësisht, libri atje nuk mund të gjendet.