Sot parashikohet të jetë një ditë mjaft e ngarkuar në qytetin e Laçit, pasi 12 qershori është e marta e fundit e pelegrinazhit në Kishën e Shna Ndout, në Laç. Për të garantuar sigurinë e qytetarëve, policia e Lezhës nuk do të lejojë sot dhe nesër lëvizjen dhe parkimin e mjeteve në disa rrugë.
Janë të shumtë pelegrinët të cilët respektojnë të 13 të martat, ndërsa shumë të tjerë i drejtohen Kishës mrekullibërëse për tre të marta rresht.
Ndjekja e tre të martave është ogur i mirë për ata që shkojnë në këtë kishë. E marta e 13-të do të përkojë me 12 qershorin, ndërsa 13 qershori është edhe dita kur fluksi i pelegrinëve arrin kulmin, pasi shënon edhe ditën e festës në përkujtim të Shenjtit Andon.
Sipas policisë, këto janë masat që janë marrë:
– Nga ora 08:00 datë 12.06.2018 – ora 24:00 datë 13.06.2018, do të kufizohen disa segmente rrugore mbi lëvizjen dhe parkimin e mjeteve të cilët janë:
” Nga Kryqëzimi i Gjykatës – Kisha e Shna Ndout ”
” Nga Kryqëzimi i Poliklinikës – Kisha e Shna Ndout”
” Nga Kryqëzimi i Gjimnazit – Kisha e Shna Ndout”
“Nga Pallati 113 – Kisha e Shna Ndout”
Në këto segmente rrugore, do të qarkullojnë vetëm mjete të transportit publik ( autobus/ taxi) të liçensuara dhe të përcaktuara nga Bashkia Laç, mjetet e Kishës, mjetet e personaliteteve të larta shtetërore, mjetet e emergjencave civile, zjarrëfiksja, ambulanca dhe policia.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të automjeteve, të përdorin akse dhe drejtime të tjera lëvizjeje, pasi do të vlerësohej si një ndihmë mjaft e çmuar në mbarëvajtjen dhe garantimin e masave të sigurisë rrugore.
– Nga Kryqëzimi i Gjimnazit deri te Kryqëzimi i Varrezave, do jetë rrugë vetëm për këmbësorët.
– Nga Mbikalimi i Patokut për në qytet Laç, nuk do të lejohen të hyjnë mjete të tonazhit të lartë, pasi bëhen shkak të bllokimit të qarkullimit rrugor.
– Mjetet do të parkohen në vend parkingje të përcaktuara nga Bashkia Laç. Nuk do të lejohen parkime në vende që bëhen pengesë për qarkullimin e lirë të mjeteve.
Policia e Lezhës, kërkon bashkëpunimin e qytetarëve të Laçit, si dhe pelegrinëve përdorues të rrugëve për tek Kisha, drejtues mjetesh apo këmbësorë, që të respektojnë dhe të ndjekin komunikimet e punonjësve të policisë, në lidhje me drejtimet e lëvizjeve apo parkimet e mjeteve, një ndihmë kjo në menaxhimin e fluksit të lartë për një mbarëvajtje sa më të mirë të pelegrinazhit.