Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), ashtu si u premtoi shtangistëve një ditë më parë ka dalë në një konferencë për shtyp pasditen e sotme dhe ka komunikuar vendimin. Ata nuk kanë ndryshuar asgjë dhe duket se shtangistët nuk do të marrin pjesë në Lojërat Mesdhetare që do të zhvillohen në Spanjë. Po ashtu kanë dënuar me forcë dhunën që sportistët dhe trajnerët ushtruan një ditë më parë duke hyrë me forcë në zyrat e KOKSH.
Konflikti që ka nisur mes KOKSH dhe sportistëve, pas pezullimit 2-vjeçar që olimpizmi shqiptar i ka bërë këtij sporti nga evenimentet olimpike, ka sjellë irritimin e shtangistëve, që kërkojnë anulimin e vendimit.
“KOKSH dënon dhunën e spotistëve dhe trajnerëve të tyre, që dje (e mërkurë) uzurpuan zyrat tona. Për ne kjo është një sjellje antisportive, e pa denjë dhe e papranueshme, në thyerje të kodit të etikës. Ne do të njoftojmë organizmat ndërkombëtarë: Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe atë Europian, Federatën Botërore dhe atë Europiane të Peshëngritjes si dhe komitetin organizator të Lojërave Mesdhetare “Tarragona 2018”.
Acarimi i sportistëve vjen si pasojë e mosregjistrimit të tyre në Lojërat Mesdhetare, pasi Federata Shqiptare e Peshëngritjes nuk ka respektuar afatet e regjistrimit. Më datën 26 mars, komiteti ekzekutiv i KOKSH mori vendimin për të pezulluar 2 vjet FSHP-në nga të gjitha aktivitete olimpike.
Ky vendim shpreh qëndrimin e KOKSH ndaj keq-qeverisjes së Federatës së Peshëngritjes, si nga mosrespektimi i afateve për pjesëmarrje në aktivitetet olimpike dhe, sidomos, i mungesës së tolerancës zero ndaj dopingut në këtë sport.”