Situata e krijuar gjatë zgjedhjeve në FSHF për shoqatat “Fantazmë” bënë bujë të madhe dhe për këtë arsye akoma nuk janë regjistruar zgjedhjet në Gjykatën e Tiranës. Por Komisioni i Disiplinës në FSHF i së premtes ka zbuluar pa dashje një nga mashtrimet e mëdha sa u përket Shoqatave Rajonale që Armand Duka dhe institucioni i futbollit insistuan që të votonin në zgjedhjet e 7 shkurtit. Një nga absurditetet e mëdha ishte emërimi i personave që nuk kishin lidhje me rrethet në fjalë si njerëz me të drejtë vote në Asamble, duke vërtetuar plotësisht se këto shoqata fantazmë funksiononin vetëm kur u duhej vota për zgjedhje.
Një prej tyre ishte edhe Shoqata Rajonale e Lezhës, për të cilën votoi në Asamblenë e 7 shkurtit Eduart Tanushi. Ish-futbollisti u denoncua që në fillim nga Bashkim Fino si një shkelje me emërimin që ishte bërë me shoqatat nga FSHF, ku Duka kishte vënë persona të besuar në krye. Nga FSHF u refuzua gjithçka, duke insistuar se personat në krye të shoqatave, ishin njerëz që merreshin me punë e përditshme të tyre në qytetet përkatëse. Por pikërisht Shoqata e Lezhës është një nga ato të cilat nuk janë regjistruar ën Gjykatë, për mungesë dokumentacioni përkatës, shkruan vipsport.al.
Vendimet e dhënë dje nga Komisioni i Disiplinës, nxjerrin në pah edhe më mirë mashtrimin e FSHF-së, pasi Eduart Tanushi, përshkruhet aty si një zyrtar i klubit të Laçit, i cili u dënua me 2 ndeshje pezullim për protesta ndaj gjyqtarit të ndeshjes së ekipit U19 të kurbinasve.
Vetë institucioni i futbollit bën të qartë se “transferimi” në Lezhë ishte bërë vetëm për të hedhur votën për Dukën në Asamble, ndërsa më pas është kthyer përsëri në “bazë”, te klubi kurbinas i cili është një prej mbështetësve më të zjarrtë të presidentit të FSHF-së.