5 Prill 1588- Lind folozofi anglez Thomas Hobbes
Thomas Hobbes, ishte biri i një prifti anglikan, dhe i një vajze nga një fshati i vogël pranë Malmsur, në jugperëndim të Anglisë. Pasi frekuentoi shkollën e fshatit, ndoqi një shkollë private për mësimin e gjuhëve klasike. Mbështetja financiare e një të afërmi e lejoi të ndiqte studimet në Oksford, të ciat i përfundoi më 1607.
Vitin që pasoi, Hobsi u bë mësues në shtëpinë e zoti Kavendish, kontit të ardhshëm i Devonshirit, dhe bashkë me të birin e këtij të fundit ndërmori udhëtime për qëllime studimore jashtë Anglisë. Me përjashtim të disa ndërprerjeve të shkurtra, qëndroi për shumë kohë në shërbim të kësaj familjeje, duke punuar paralelisht dhe me raste si sekretar i mendimtarit të mirënjohur Frencis Bacon.
Udhëtimet e gjata në vitet 1629-1634, e lidhën me personalitetet më të mëdha europiane të shkencës dhe të filozofisë europiane, që patën një ndikim vendimtar në zhvillimin e mendimit
të tij.
Kështu ai takoi në Itali Galilein, dhe Descartes në Francë.
Takimi me Galilein, nguliti tek ai bindjen se natyra përbëhet nga trupa që lëvizin nëpërmjet një shkëmbimi të tërheqjejes dhe shtytjejes, në një mënyrë të llogaritshme. Hobbes rimori nga atomizmi antik idenë se përfshirja njerëzore ishte e një natyre materiale. Nga kartezianizmi përshtati “metodën gjeometrike”, që qëndronte te përfundimi logjik i të vërtetave të vërtetuara aty për aty, të cilave u jep një vlerë analoge me anë të aksiomave.
Pak kohë para kthimit në Angli u botua vepra e tij e famshme “Leviathan” (1651), që mbetet vepra më e rëndësishme e filozofisë politike në gjuhën angleze. Leviathan, që i referohet përbindëshit të Dhjatës së Vjetër, dhe simbolit të gjithë pushtetit shtetëror. Ky pushtet mund të jetë i mishëruar gjithashtu nga një mbret trashëgimtar si Charles II, nxënës i Hobbes. Sipas tij në të gjitha rastet, sovrani duhet të mbretërojë në mënyrë absolute, pa kontrollin e organeve të tjera, sepse çdo pakësim i pushtetit të tij do të sjellë rrezikun e marrëdhënieve të forcave antagoniste, pra një rrezik të afërt të nje lufte civile.
Me këtë doktrinë të shtetit, Hobbes përsoste sistemin që Niccolo Machiavelli kishte formuluar në fillim të epokës së luftërave civile dhe atyre fetare. Hobbes e përgjithësoi sistemin e vet në tri shkrime të titulluara: Për trupin, Për njeriun dhe Për qytetarin. Ashtu si bota materiale lëviz sipas një mekanizmi të ndërlikuar ingranazhesh, si ajo e një ore të ndërlikuar, edhe njeriu është rrënjësisht si një makinë.
Mjeku William Harvey, një mik i vjetër i Hobbes, e kishte treguar në mënyrë të shkëlqyer këtë nëpërmjet qarkullimit të gjakut. Prandaj, sipas Hobbbes, pulsionet psikologjike dhe gjendjet si kënaqësia dhe dhimbja, dashuria dhe urrejtja, dëshira dhe frika, mund të çojnë te pulsioni fizik i dorës së parë, që është ruajtja e vetes. Një pulsion i tillë i bindet domosdoshmërisë, megjithëse këtu nuk bëhet fjalë për një vullnet të lirë.
Para se të bëhet qytetar i një shteti, njeriu nga natyra është një qenie që priret të ruajë veten dhe të përfitojë sa më mirë nga ekzistenca e tij. Pra ai dëshiron të ketë sa më shumë që është e mundur për veten, pa marrë aspak parasysh të afërmin e tij. Duke mos kërkuar bashkësinë si zoopolitikon (“kafsha politike”) e Aristotelit, ai është një kapitalist “modern”, gjithmonë në konkurrencë me të ngjashmin e tij, një lloj “protokapitalisti”.
5 Prill 1955 – Winston Churchill jep dorëheqjen si kryeministër
Churchill, kryeministri që udhëhoqi Britaninë e Madhe dhe aleatët në krizën e Luftës së Dytë Botërore, jep dorëheqjen nga drejtimi i qeverisë, për shkak të pamundësisë fizike. Ai u bë kryeministër për herë të parë në vitin 1939, kur dhe shpërtheu Lufta e Dytë Botërore, duke e udhëhequr vendin në momentin më kritik, kur ishte për më shumë se një vit i vetëm përballë makinerisë naziste të luftës.
Me një fjalim që mbeti në histori, Churchill i premtoi vendit dhe botës se Britania “nuk do të dorëzohej kurrë”. Ai drejtoi popullin britanik në një rezistencë të vendosur, ndërsa më vonë në aleancë me presidentin amerikan Franklin D. Roosevelt, dhe udhëheqësin komunist sovjetik Joseph Stalin, mposhti fuqitë e Boshtit. Edhe pas daljes në pension si kryeministër, ai mbeti anëtar i parlamentit deri në vitin 1964, një vit para vdekjes së tij.
5 prill 1994 – Këngëtari amerikan Kurt Cobain kryen vetëvrasje
Ylli i muzikës rock Kurt Cobain, solist i grupit “Nirvana” kryen vetëvrasje. Trupi i tij u zbulua brenda shtëpisë së tij në Siatëll, Uashington, tri ditë më vonë nga Gary Smith, një inxhinier elektrik, i cili kishte instaluar një sistem sigurie në shtëpinë e këngëtarit. Pavarësisht nga të të dhënat se Cobain ishte vetëvrarë, disa njerëz dyshuan mbi rrethanat e vdekjes së tij, dhe fajësuan bashkëshorten e tij, Courtney Love .
Imazhi i saj i një gruaje me temperament të paqëndrueshëm dhe me shumë armiq, ndihmuan në qarkullimin e zërave të tillë. Megjithatë, policia mbërriti në përfundimin se vdekja e Cobain ishte pasojë e vetëvrasjes. Kurt Cobain vuante prej kohësh nga ndërvarësia nga drogërat e forta, dhe vetëm një muaj më parë kishte kaluar disa ditë në koma, si pasojë e një mbidoze në kohën kur ndodhej për një koncert në Romë të Italisë.
5 prill 1897 – Fillon Lufta greko-turke, e quajtur “Lufta 30 ditore”, midis Greqisë dhe Perandorisë Osmane. Shkaku ishte çështja e statusit të provincës së Kretës nën kontrollin osman, me grekët që kërkonin bashkimin e saj me Greqinë.
5 Prill 1950 – Në kryeqytetin e Çekosllovakisë Pragë, nis gjyqi për spiunazh kundër peshkopëve dhe priftërinjve, ndërsa qeveria komuniste kishte nisur sekuestrimin e pronave të kishës.
5 prill 1951 – Bashkëshortët amerikanë Julius dhe Ethel Rosenberg, dënohen me vdekje, për shkak të të dhënave mbi bombën bërthamore që u kishin dhënë fshehurazi sovjetikëve.
5 Prill 1969 –Në shumë qytete amerikane, zhvillohen demonstrata të mëdha kundër Luftës së Vietnamit.
5 Prill 1986 – Tre vetë gjejnë vdekjen dhe qindra të tjerë plagosen, nga shpërthimi i një bombe në një diskotekë në Berlinin Perëndimor.
5 Prill 1992 – Protestueset për paqe Suada Dilberoviç dhe Olga Suçiç vriten në urën Vrbanja në Sarajevë, duke u bërë viktimat e para të Luftës së Bosnjes.