Ish ministri i Jashtëm i Shqipërisë: UÇK në axhendën diplomatike të Shqipërisë në pranverë-verë 1998. Qëndrimi i Ramiz Alisë dhe mandej i qeverisë së Berishës ndaj luftëtarëve kosovarë dhe roli i Ibrahim Rugovës.
Cilët ishin mbështetësit dhe cilët sabotatorët e luftës për çlirimin e Kosovës. Takimi i fshehtë i ministrit të Jashtëm të Shqipërisë me përfaqësuesit e UÇK-së në Mynih në shkurt 1998.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) si faktor ushtarak e politik ka historinë e saj për të cilën është folur e shkruar shumë. Ajo ka zhvilluar edhe diplomacinë e saj, në fillim në kushtet e ilegalitetit nëpër Evropë por duke filluar nga pranvera e vonë e vitit 1998 edhe kontaktet e para publike përmes përfaqësuesve të saj në vënde të ndryshme por edhe në Kosovë.
Për t’i dalë përpara çdo keqkuptimi, termi diplomaci i përdorur në këtë rast ka karakter relativ dhe nënkupton kontakte me përfaqësues të vendeve e qeverive të ndryshme, jo zyrtare, informuese dhe sensibilizuese për gjëndjen në Kosovë, për lirinë e të drejtat e shqiptarëve aty. Kjo është faza e parë e diplomacisë së UÇK. Faza e dytë e saj fillon pas maj-qershorit 1998 kur me iniciativën amerikane fillojnë kontaktet e para për të tërhequr UÇK në procesin e një negociate politike ndërshqiptare në Kosovë për të krijuar një grup të përbashkët negociator për të filluar bisedimet me Beogradin. Kjo fazë ka zgjatur deri në janar 1999.
Faza e tretë e kësaj diplomacie, më e strukturuar dhe e organizuar, më intensive dhe me një platformë të qartë negociuese ishte Konferenca e Rambujesë dhe vijimi i saj në Paris në shkurt – mars 1999 dhe që shënoi një pikë sa kulmore aq edhe kthese në fatin e Kosovës e në luftën e UÇK-së për liri e pavarësi të saj. Faza e katërt u zhvillua në kushtet e luftës, mars – qershor 1999. Ajo u zbatua e tëra jashtë Kosovës, në Evropë e SHBA, me qeveri e në institucione, konferenca e organizata ndërkombëtare. Ishte një kohë e paharrueshme e një shkollë e madhe për udhëheqësit e UÇK-së e për përfaqësuesit e saj që u përgatitën për të nesërmen e çlirimit, për drejtimin e vendit e për marrëdhëniet me jashtë të tij.
Qasja e diplomacisë së UÇK-së ishte revolucionare si vetë lufta e saj, shpesh edhe naive dhe e ndrojtur nga mungesa e përvojës por edhe të kulturës së saj. Në Kosovë kishte edhe një diplomaci tjetër, ajo e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e presidentit Ibrahim Rugova dhe e qeverisë së tij në emigracion. Ndonëse patën të njëjtin objektiv strategjik, pavarësinë e Kosovës, metoda e tyre diplomatike e veprimit ishte e ndryshme. LDK e kërkonte pavarësinë përmes metodës tradicionale pacifiste, përmes sensibilizimit të qeverive, organizmave ndërkombëtare dhe konferencave javore të shtypit në Prishtinë. LDK kishte njerëz më me përvojë, më shumë lidhje me kancelaritë evropiane dhe amerikane, instrumente e mjete financiare.
UÇK në fillim ishte e izoluar e nuk pranohej si aktor në bisedime, por ajo iu imponua tavolinave dhe kancelarive të diplomacisë ndërkombëtare. Jo me diplomatë të përgatitur dhe as me taktika diplomatike të stërholluara, por me diplomacinë e luftës në terren, në Drenicë e Dukagjin, në Llap, në Shalë e kudo tjetër që vepronin njësitë e armatosura të saj. Kjo metodë bëri që ajo të ftohej e të dëgjohej në tavolinat diplomatike edhe atje ku më parë nuk dëshironin dhe nga qeveri e njerëz që nuk e pëlqenin.
Çfarë thashë deri tani është një temë e një studim krahasues më vete, që do të mund të trajtohej më gjërë në një rast tjetër. Po kështu koha nuk na lejon që të marrim në analizë të katër fazat e diplomacisë të UÇK, por do të përqëndrohemi vetëm në fazën e parë të saj, në pranverë të vitit 1998.Dhe këtu nuk do të flasim për embrionet e diplomacisë së UÇK, por për përfaqësimin në një mënyrë ose një tjetër të saj nga diplomacia e shtetit shqiptar që u bë natyrshëm zëdhënës i saj përsa e lejuan koha e rrethanat.
***
UÇK nuk doli as brenda një muaji dhe as brenda një viti si një strukturë e mirorganizuar ushtarake dhe me një hierarki të zgjedhur qendrore. Ndaj edhe shfaqja e saj si një faktor ushtarak në Kosovë erdhi në rritje nga disa aksione lokale të shpërndara e të kryera nga grupe atdhetare kundër njësive policore dhe ushtarake serbe deri në krijimin e shtabit të përgjithshëm të saj. Këto aksione nuk tërhoqën vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar, madje nuk u bënë të njohura aq shumë edhe në Shqipëri, ndonëse edhe dëshmorët e parë të UÇK si Zahir Pajaziti, Luan Haradinaj, Ardian Krasniqi e të tjerë hynin e dilnin në vënd, qëndronin në Tiranë, në Tropojë, Kukës e Has.
Shteti shqiptar në kohë e në mënyra të ndryshme ka qënë strehë e mbështetje për luftëtarët shqiptarë kundër sundimit serb në Kosovë. Pa u zhytur thellë në histori, disa nga udhëheqësit e ardhshëm të UÇK-së e të strukturave aktuale të shtetit të pavarur të Kosovës që në vitet 80-të të shekullit të kaluar kanë qënë në kontakt me përfaqësitë diplomatike shqiptare nëpër Evropë, por edhe me organe të specializuara të shtetit shqiptar, janë udhëzuar e kanë marrë mbështetje.Në fund të vitit 1990, udhëheqësi komunist Ramiz Alia ka pritur dhe ka biseduar me drejtuesit e Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), Fazlli Veliu, Xhavit Haliti, Emrush Xhemajli, etj, ndërsa në 24 shkurt 1991 edhe kryetarin e LDK, Ibrahim Rugova.
Fillimi i shpërbërjes së Jugosllavisë i shtoi kontaktet ndërshqiptare mes dy anëve të kufirit dhe shumë shqiptarë nga Kosova , veçanërisht të rinj erdhën në Shqipëri. Në gusht 1991, presidenti i Shqipërisë, Ramiz Alia priti një grup deputetësh të Kuvendit të Kosovës. Në dokumentin arkivor që reflekton këtë vizitë është shënuar një deklaratë e tyre se “po përpiqemi të tregohemi të matur në këtë situatë shumë të vështirë të krijuar, por jemi të përgatitur që dhunës do i përgjigjemi me dhunë”.
Politika zyrtare njohu Republikën e Kosovës, presidentin e saj Ibrahim Rugova dhe qeverinë në emigracion të Bujar Bukoshit. Po në këtë kohë, tetor – nëntor 1991, me urdhër të Ramiz Alisë, Ministria e Mbrojtjes dhe Komanda e Akademisë Ushtarake filluan stërvitjen luftarake të dy grupeve shqiptarësh nga Kosova në Surrel, njëri prej të cilëve kishte në krye Adem Jasharin dhe tjetri Zahir Pajazitin. Pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike në prill 1992 e deri në vitin 1996 marrëdhëniet e LDK me Tiranën u intensifikuan dhe në protokollin e shtetit shqiptar, presidenti i Kosovës dhe qeveria Bukoshi kishin një vend kryesor. Atyre iu ofruan mbështetje dhe ministria e mbrojtjes e qeverisë së Kosovës zyrat qëndrore të saj i kishte në Tiranë. Po kështu edhe forcat e armatosura të Republikës së Kosovës krijuan në Shqipëri baza logjistike e stërvitore.
Gjatë këtyre viteve në Shqipëri gjetën strehë e mbështetje edhe veprimtarë të tjerë shqiptarë nga Kosova, studentë e të rinj që hynin e dilnin ilegalisht prej saj ose me banim të përkohshëm në Zvicër, Gjermani, Austri, etj, por që nuk kishin bindjet e LDK. Më tepër ishin anëtarë të Lëvizjes Popullore të Kosovës ose të bindjeve të majta në përgjithësi. Mes tyre në vitin 1993 Adem Jashari ka ardhur përsëri në Shqipëri.
Qëndrimi dhe veprimtaria e këtyre grupeve ra ndesh me filozofinë dhe politikën pacifiste të I. Rugovës e të LDK. Ato ishin për luftë të armatosur për çlirimin e Kosovës. Presidenti i Shqipërisë Sali Berisha dhe qeveria shqiptare në vitet 1993-1997 duke mbështetur vetëm Ibrahim Rugovën dhe qasjen e tij të lëvizjes pacifiste në Kosovë nuk i shihnin me sy të mirë aktivitetin e këtyre grupeve. Përmes shërbimeve sekrete të drejtuara nga Bashkim Gazidede u përndoqën dhe u vunë nën presion mjaft anëtarë të LPK dhe disa si Zahir Pajaziti, Ardian Krasniqi, Hashim Thaçi, etj, edhe u burgosën përkohësisht.
Ngjarjet fatkeqe të pranverës 1997 dhe shpërthimi i depove të armëve të ushtrisë shqiptare solli ndër shumë e shumë të këqija edhe një mundësi për grupet revolucionare të Kosovës për t’u armatosur. Në kushtet e një rënieje thuajse të plotë të shtetit e të një anarkie të pashembullt, shqiptarët nga Kosova grumbulluan sasi të mëdha armatimi dhe krijuan baza logjistike në veri të vëndit nga ku pastaj futeshin armët në Kosovë. Kështu u zgjeruan dhe u armatosën grupe të reja luftarake me emblemën e UÇK në Kosovë.
Ardhja në pushtet e qeverisë së koalicionit të majtë pas zgjedhjeve të qershorit 1997 në Tiranë u prit mirë nga grupet revolucionare të armatosura të UÇK në Kosovë dhe po kështu nga udhëheqja politike e LPK dhe organizatave të tjera të majta. Përfaqësues të tyre tentuan në fund të nëntorit 1997 që të takoheshin me kryeministrin Fatos Nano por nuk iu arrit qëllimit. Kjo tentativë përkoi edhe me daljen e parë publike të përfaqësuesve të UÇK-së në Kosovë. Si përfundim mund të thuhet se deri në fundin e vitit 1997 nuk ka patur asnjë kontakt zyrtar të nivelit të lartë në Tiranë mes qeverisë shqiptare dhe strukturave të veçanta ushtarake apo politike që u shfaqën me emblemën e UÇK-së. Por ka patur takime jo zyrtare e bashkëpunim të fshehtë mbi baza njohjeje personale me funksionarë të lartë në Tiranë, në ministrinë e Mbrojtjes e në atë të Rendit, e pa dyshim me drejtues të shërbimeve sekrete shqiptare. Përmes tyre u garantuan në përgjithësi furnizimet me armatim e municione për në Kosovë.
***
Shfaqja e UÇK-së dhe rritja e aksioneve të saj luftarake në dhjetor 1997 e fillim i janarit 1998 rrezikuan prishjen e një lloj status-quo-je që ishte vendosur në Kosovë midis kërkesave paqësore të Rugovës dhe regjimit policor të Millosheviçit. Por aktiviteti luftarak i UÇK-së kërcënoi të nxirrte jashtë loje e të bënte të pavlerë edhe strategjinë e Grupit të Kontaktit (Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia e Rusia) të miratuar në 24 shtator 1997 në New York për të nxitur bisedimet mes Rugovës e Millosheviçit qoftë edhe me ndërmjetës ndërkombëtar, në kërkim të përmirësimit të statusit të Kosovës drejtë një autonomie në fushën e lirive e të drejtave të njeriut, zhvillimit të arsimit e kulturës kombëtare.
Shtetet e Bashkuara dhe pesë vendet e tjera anëtare të Grupit të Kontaktit e kishin bërë të qartë dhe këtë mesazh ia kishin përcjellë edhe qeverisë shqiptare se statusi i ardhshëm i Kosovës nuk do të ishte as më shumë e as më pak veçse një autonomi e zgjeruar në kufijtë e asaj që kishte ekzistuar në Kushtetutën e RFJ të vitit 1974. Gjithashtu qeveritë e këtyre vendeve njihnin e vlerësonin si udhëheqës politik të shqiptarëve të Kosovës vetëm Ibrahim Rugovën dhe mbështesnin lëvizjen e tij pacifiste. Këtë qëndrim Sekretarja amerikane e Shtetit, Madelene Ollbrajt ia bëri të ditur Fatos Nanos që në takimin e parë në New York në shtator 1997 kur deklaroi se “ne mendojmë se Rugova është një udhëheqës i dobishëm “ dhe se “Kosova duhet të ketë autonomi të gjërë por jo pavarësi”. Këto vlerësime nga shtatori i vitit 1997 e deri në mars të vitit 1998 iu përcollën qeverisë shqiptare nga të gjithë ministrat e jashtëm të qeverive të vendeve të Grupit të Kontaktit.
Deri në nëntor 1997 UÇK-ja apo alternativa radikale e shqiptarëve të Kosovës për të arritur pavarësinë e saj nuk ekzistonte në axhendën diplomatike të Uashingtonit dhe jo e jo në ato të qeverive të vendeve të tjera të Grupit të Kontaktit që ishin të prirura në mënyrë të përshkallëzuar të shihnin një formulë më të thjeshtë zgjidhjeje në krahasim me atë amerikane. Ndaj edhe reagimet e para të qeverive të vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit ishin kundërshtuese.
Ambasadori Robert Gelbard, përfaqësuesi i posaçëm i presidentit të SHBA, Bill Klinton dhe i Sekretares së Departamentit të Shtetit, Madelen Ollbrajt për zbatimin e marrëveshjeve të paqes të Dejtonit për Bosnje-Hercegovinën, në 6 janar 1998 në një konferencë shtypi dha vlerësimin dhe paralajmërimin e parë publik për UÇK. Është një grup tha ai, “i cili duhet të jetë shumë i kujdesshëm në çfarë bën dhe çfarë kërkon të bëjë. Ajo po merr mbi vete rrezikun e të etiketuarit organizatë terroriste nga qeveria e SHBA”. Një muaj më vonë ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Klaus Kinkel në vizitën e tij në Tiranë, ndërsa deklaroi se “Kosova nuk është çështje e brendshme e Jugosllavisë”, pohoi gjithashtu se “pavarësinë e Kosovës nuk e mbështesim” dhe “as nuk përkrahim lëvizjen separatiste”.
Përballë këtyre paralajmërimeve amerikane dhe evropiane e në situatën e brendshme politike të vendit ende të pastabilizuar, qeveria shqiptare u ndodh në dilemën e orientimit. Ajo nuk kishte zyrtarisht asnjë kontakt me strukturat e UÇK-së e asnjë njohje të drejtuesve të saj, por vetëm njohje periferike të përfaqësuesve të veçantë të LPK në emigracion që qëndronin në Tiranë ose që vinin herë pas here aty. Për të mësuar diçka konkrete e për të krijuar një kontakt, në fund të shkurtit ministri i Jashtëm shqiptar duke shfrytëzuar një vizitë në Mynih u takua në mënyrë jo publike e në orët e vona të natës me një grup përfaqësues të LPK, njëkohësisht edhe të UÇK. Kryesorët ishin Bedri Islami, Fehmi e Ramiz Lladrovci dhe Rexhë Ibërdemaj.
Sekreti në të cilin u organizua ky takim nuk ishte thjeshtë për arsye të sigurisë personale të përfaqësuesve të rëndësishëm të LPK-UÇK-së, por edhe të mos kompromentimit të ministrit të jashtëm e të qeverisë shqiptare në raportet sidomos me qeverinë amerikane që këshillonte distancim, siç i cilësonte ajo nga ekstremistët e terroristët shqiptarë. Katër – pesë ditë më parë, Gelbard pas takimit me Millosheviçin në Beograd e në vijim të aksioneve të UÇK, sidomos në Drenicë, bëri deklaratën më të ashpër kundër saj. Ai tha në qendër të Beogradit se “ne dënojmë shumë fortë veprimet terroriste në Kosovë. UÇK është, pa dyshim një grup terrorist”.Nëse deklarimi i parë i tij në janar në Uashington ishte paralajmërues e kërcënues, deklarata e Beogradit shënoi një cilësim të plotë zyrtar amerikan ndaj UÇK.
Në këto rrethana u zhvillua takimi në Mynih. Aty ministri i jashtëm shqiptar u njoftua për ekzistencën e UÇK-së dhe për vendosmërinë e saj për ta çuar deri në fund luftën e armatosur.Ata kërkuan më shumë mbështetje politike nga qeveria shqiptare si dhe furnizime me armë. Fehmi Lladrovci që më la mbresën e Çe Guevarës të Kosovës, ishte shumë i informuar se çfarë pritej sepse në përfundim të bisedës ai lëshoi frazën se “keni për të parë se çfarë ka për të ndodhur së shpejti në Kosovë”.
Ajo çfarë ai paralajmëroi duke u gdhirë 28 shkurti ndodhi po atë ditë. Sllobodan Millosheviçi deklaratën e Gelbardit në Beograd në 23 shkurt e interpretoi si dritë jeshile dhe si inkurajim për të sulmuar bazat e UÇK-së në Drenicë e për t’i eleminuar ato. Forcat e policisë speciale e të ushtrisë serbe shpërthyen një ofensivë të madhe e të egër kundër Drenicës duke vrarë e masakruar dhjetra njerëz civilë, gra, fëmijë, pleq e mes tyre edhe luftëtarë të UÇK me në krye Adem Jasharin.
DITA