12 Mars 2003 –Vritet në një atentet kryeministri serb Zoran Djindjic
Zoran Djindjic ishte kryeministër i Serbisë nga viti 2001 dhe deri në vrasjen e tij në 2003. Ai kishte qenë kryetar i bashkisë së Beogradit më 1997-ën, dhe një nga 13 themeluesit e parë të Partisë Demokratike serbe, duke u bërë kryetar i saj në vitin 1994.
Gjatë viteve 1990, ai ishte një nga bashkë-udhëheqësit e opozitës kundër rregjimit të Sllobodan Millosheviçit, dhe u bë kryeministri i vendit pas rrëzimit të këtij të fundit nga pushteti. Si kryeministër, Djindjic mbështeti reformat pro-demokratike dhe integrimin e Serbisë në strukturat evropiane. Në shtatorin e vitit 1999, ai u cilësua nga revista “Time” si një nga politikanët më të rëndësishëm në fillim të shekullit XX-të.
Sikurse u raportua nga Reuters më 18 mars 2003, sipas Karla del Pontes , Djindjic e kishte parashikuar vrasjen e tij më 17 shkurt, vetëm pak javë para se të ndodhte. Pavarësisht akuzave të Vojisllav Koshtunicës se Djindjic ishte i afërt me krimin e organizuar, ky i fundit këmbëngulte gjithmonë se ishte i vendosur të spastronte Serbinë nga krimi, dhe nëfunksion të këtij qëllimi krijoi “Gjykatën Speciale”, me një program të veçantë për mbrojtjen e dëshmitarëve.
Kjo lëvizje alarmoi krerët e krimit të organizuar, të cilët ishin të ndërthurur me elementë të policisë sekrete serbe, që i mbetën besnikë Millosheviçit të rrëzuar nga pushteti.
Me urdhër të Milorad Ulemek, i njohur ndryshe me nokfën “Legija” ish-komandanti i njësisë së operacioneve speciale të policisë sekrete të Jugosllavisë, Djindjic u vra nga ushtari i Ulemek Zvezdan Jovanoviç në Beograd më 12 mars 2003. Jovanoviç qëlloi kryeministrin serb me snajper, teksa i ndjeri ishte duke dalë nga godina kryesore e e qeverisë serbe, duke e goditur vetëm një herë në gjoks.
Plumbi i depërtoi direkt në zemër, ndërsa kryeministri ndërroi jetë pak pak minutash në spital. Ulemek u bë menjëherë përgjegjes si organizatori i krimit. Ai ishte një nga personat kryesorë në klanin e Zemunit , një grup kriminal i organizuar në Serbi. Më pas, ai u ndoq penalisht dhe u dënua për përfshirje në disa nga vrasjet misterioze dhe atentatet për vrasje që tronditën Jugosllavinë, në muajt para se Djindjic të merrte pushtetin.
Këtu përfshihej vrasja e ministrit jugosllav të Mbrojtjes Pavle Bulatoviç më 7 shkurt 2000 në një restorant. Në prill të po atij viti, shefi i shtabit të përgjithshëm të Armatës Jugosllave dhe anëtari i së majtës së bashkuar, Zika Petrovic u qëllua për vdekje teksa po ecte në rrugë me qenin e tij.
Në fund të gushtit, u zhduk befas ish-presidenti i Jugosllavisë Ivan Stamboliç.
Ai ishte vrarë në malin Frushka Gora nga anëtarët e Njësisë së Operacioneve Speciale të Serbisë. Djindjic dhe aleatët e tij akuzuan haptazi Millosheviçin për këto ngjarje, duke pretenduar se ai ose i kishte urdhëruar vrasjet, ose nuk qe më në gjendje të ruante kontrollin dhe prandaj duhet të largohej nga pushteti.
12 Mars 1938 – Gjermania anekson Austrinë
Më 12 mars 1938, trupat gjermane marshuan në Austri për të aneksuar kombin gjermanisht-folës dhe e bërë pjesë të Rajhut të Tretë. Në fillim të vitit 1938, nazistët austriakë komplotuan për herë të dytë në 4 vitet e fundit për të pushtuar me forcë godinën e qeverisë austriake, dhe për të bashkuar kombin e tyre me Gjermaninë naziste.
Pasi mësoi mbi komplotin, kancelari austriak Kurt von Schuschnigg, u takua me udhëheqësin nazist Adolf Hitler me shpresën e rivendosjes së pavarësisë së vendit të tij, por në vend të kësaj u detyrua të fusë në kabinetin e tij disa nga drejtuesit e lartë nazistë austriakë.
Më 9 mars, Schuschnigg thirri një referendum kombëtar për të zgjidhur çështjen Anschluss, ose apo “aneksimin”. Megjithatë, para se të merrej vendimi mbi plebishitin, Schuschnigg iu dorëzua presionit të Hitlerit dhe dha dorëheqjen më 11 mars. Në fjalimin e tij të dorëheqjes, nën presionin e nazistëve, ai u lut që forcat ushtarake austriake të mos u rezistonin një “përparimi” gjerman në vend.
Të nesërmen, më 12 mars, Hitleri shoqëroi trupat gjermane që hynin në Austri, ku u pritën nga një turmë e madhe entuziaste. Hitleri emëroi një qeveri të re naziste, dhe më 13 mars u shpall Anschluss, “bashkimi”. Austria ekzistoi si një shtet federal i Gjermanisë deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, kur fuqitë aleate anuluan Anschluss-in, dhe rivendosën një Austri të pavarur. Schuschnigg, i cili u burgos menjëherë pas dorëheqjes, u lirua në vitin 1945.
12 Mars 1496 – Komuniteti hebre nis të dëbohet nga Siria.
12 Mars 1642 – Eksploruesi holandez Abel Tazman, bëhet evropiani i parë që zbarkon në Zelandën e Re.
12 Mars 1908 – Në Athinë krijohet organizata mbarë-maqedonase, për të mbështetur luftën greke për pushtimin e Maqedonisë.
12 Mars 1922 – Armenia, Gjeorgjia dhe Azerbajxhani formojnë Republikën Sovjetike Federale Socialiste të Transkaukazisë.
12 Mars 1928 – Në Kaliforni, çahet Diga e Shën Frensis, dhe nga përmbytja gjejnë vdekjen 431 njerëz.
12 Mars 1930 – Mahatma Gandi fillon marshimin e gjatë prej 300 kilometrash, për të protestuar kundër taksës britanike të kripës. Gandi u nis vetëm dhe kur mbërriti në kriporen në bregun e oqeanit, kishte me vete mbi 100 mijë njerëz.
12 Mars 1940 – Lufta Dimërore:Finlanda nenshkruan Traktatin e Paqes në Moskë me Bashkimin Sovjetik , duke lëshuar pothuajse të gjithë gadishullin e Karelias. Trupat finlandeze dhe popullata atje, u evakuan menjëherë.
12 Mars 1945 – Partia Komuniste e Italisë bën thirrje për kryengritje të armatosur.
12 Mars 1993 – Programi i armëve bërthamore të Koresë së Veriut:Pheniani, thotë se ka në plan të tërhiqet nga Traktati i Mospërhapjes së Armëve Bërthamore, dhe refuzon të lejojë inspektorët qasje në vendet e saj bërthamore.
12 Mars 1994 – Kisha e Anglisë shuguron priftëreshën e parë grua.
12 Mars 1999 – Ish anëtaret e Paktit të Varshavës, Republika Çeke, Hungaria dhe Polonia anëtarësohen në NATO.
12 Mars 2009 – Financieri Bernard Madoff pranon në Nju Jork fajin për një mashtrim financiar me një dëm prej 18 miliardë dollarësh, më i madhi në historinë e Wall Street.