Çështja shqiptare në Maqedoni ka ngelur sërish në udhëkryq, ndërsa kryeministri Zaev nuk po jep ‘shenja’ për ndryshimin e saj.
Analisti Muhamer Pajaziti shprehet se zhurma për zgjidhjen e çështjeve të hapura me shtetet tjera ka sjellë heshtje për çështjen shqiptare.
“As një plan, as një strategji për të dalë nga ky qorrsokak, për t’i zgjidhur problemet reale të Maqedonisë, problemet e brendshme, problemet e shqiptarëve, të cilët akoma llogariten si banorë të dorës së dytë.
Zhurma e madhe për zgjidhjen e kontesteve të hapura me shtete tjera, duket qartë se është lansuar për heshtur çështjen shqiptare. Si mund të zgjidhen problemet e jashtme, pa e pastruar oborrin e shtëpisë”, thekson Pajaziti.
Sipas tij, shqiptarët sot në Maqedoni kanë një përfaqësim politik më të dobëtin që mban mend historia dhe që nuk është i aftë të hartojë strategji që avancojnë statusin e tyre juridiko-kushtetues, raporton INA.
“Shqiptarët nuk janë të aftë as të marrin hisen e tyre të buxhetit që u takon, e të përfaqësohen me dinjitet në institucionet shtetërore.
Fatkeqësisht, nuk kanë asnjë plan se si ta bojkotojnë një sistem politik, i cili vetëm ju merr paratë përmes taksave, dhe si kundërshpërblim ju mohon gjuhën e tyre amtare dhe simbolet kombëtare”, thekson ai.