Bashkim Fino ka reaguar në lidhje me buxhetin e FSHF dhe ka premtuar që nëse ai zgjidhet President i FSHF do të ketë ndarje të barabartë për të gjitha klubet, duke i ndihmuar edhe në krijimin e ekipeve zinxhir. Do të kërkojë një audit të plotë të punës së Armand Dukës në aspektin e ndarjes së fondeve për ekipet. Ai shprehet se kjo do të jetë Asambleja e fundit e mbyllur dhe jo transparente sa i përket çështjes së Buxhetit të FSHF, pasi do të vendosi dy parime.
Dua t’i drejtohem edhe një herë komunitetit të futbollit, posaçërisht atyre klubeve që janë përjashtuar nga ndarja dhe përfitimi i fondeve të komunitetit të futbollit që administron FSHF.
Kjo do jetë Asambleja e fundit e mbyllur dhe jo transparente sa i përket çështjes së Buxhetit të FSHF. Dy parime dua të vendos:
E para, transparencë maksimale për të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e FSHF.
E dyta, shpërndarja e fondeve do të përmbysë menjëherë raportin e turpshëm ku presidenti dhe administrata e FSHF-së marrin për shpenzimet e tyre të luksit shumicën dërrmuese të fondeve dhe klubet lihen në mjerim ekonomik. Po e përsëris, dy angazhimet e mia janë konkrete: auditim i plotë për të gjitha shpenzimet e FSHF-së dhe një ndarje e re e fondeve, bashkë me ju dhe duke dërguar shumicën e tyre tek klubet e futbollit, ekipet e tyre, madje duke ndihmuar me to krijimin e zinxhirit të ekipeve. Dua ta bëjmë këtë bashkarisht, menjëherë dhe në mënyrë të hapur, transparente ku të gjithë të përfitojnë.
Karrigia ime nuk ka asnjë vlerë para mjerimit ekonomik të komunitetit të futbollit!