22 Janar 1788 – Lind poeti britanik George Gordon, Lord Byron
Poeti romantik lindin në Aberdin të Skocisë. Pavarësisht pasurisë dhe titullit të tij të mëvonshëm, Byron u rrit në varfëri. Në moshën 10-vjeçare, ai trashëgoi titullin e xhaxhait të madh, dhe u bë Lordi Byron. Ai ndoqi studimet në Harrow, më pas në Trinity College, Kembrixh. Vëllimi i tij i parë me poezi “Orët e Përtacisë”(1807), u prit me kritika të forta, sidomos në Skoci, dhe vepra e tij e dytë “Recezentët skocezë” (1809), sulmoi parinë letrare angleze.
Pasi u diplomua për magjistraturë më 1809, ai udhëtoi në Portugali, Spanjë dhe Lindjen e Mmesme për dy vjet. Përvojat e tij frymëzuan punën e tij poetike “Këngët e Çajld Haroldit” (1812), që u prit me entuziazëm në Angli. Në vitin 1815, martohet me Anne Isabella Milbanke, Çifti lindi një vajzë, August Ada, vitin e ardhshëm.
Por martesa u fundos shpejt, dhe çifti u nda. Në këtë kohë, shpërtheu skandali mbi inçestin e dyshuar të Byron me gjysmë-motrën e tij, Augusta Leigh, pas së cilës ai u përjashtua nga shoqëria e lartë, ndërsa u detyrua të largohej nga Anglia më 1816-ën. Byron u vendos në Gjenevë, pranë Percy Shelley dhe bashkëshortes së tij, Mary Wollstonecraft Shelley.
Byron u shpërngul në Venecia po atë atë vit, dhe pati për disa kohë një jetë të shthurur. Në 1819 vitin, lidhet me konteshën italiane Teresa Guiccioli, dhe të dy mbetën të lidhur për shumë vite. Byron, gjithmonë një mbështetës i zjarrtë i kauzave liberale dhe pavarësisë kombëtare, mbështeti luftën greke për pavarësi.
Ai u angazhua në trajnimin e trupave greke në qytetin e Misolongjinit, ku dhe vdiq pak ditë pasi kishte fetsuar ditëlindjen e tij të 36-të. Byron ka udhëtuar edhe nëpër Shqipëri, ndërsa ka shkruar edhe një poezi kushtuar Shqipërisë.
22 Janar 1901 – Vdes mbretëresha britanike Victoria
Vdekja e Mbretëreshës Victoria, i dha fund një epoke në të cilën shumica e nënshtetasve të saj britanikë nuk njohën ndonjë monark tjetër. Sundimi i saj 63-vjeçar, më i gjati në historinë britanike, pa rritjen e një perandorie, në të cilën dielli nuk perëndonte kurrë. Victoria rivendosi dinjitetin e monarkisë angleze. E lindur në vitin 1819, ajo u ngjit në fron pas vdekjes së xhaxhait të saj, Mbretit William IV, më 1837.
Në vitin 1840 ajo u martua me kushëririn e saj të parë, princin Albert. Ai pati një ndikim të madh në jetën e saj, dhe shërbeu si sekretari i saj privat. Ndër arritjet e tij më të mëdha si bashkëshorti i mbretëreshës, ishte organizimi i Ekspozitës së Madhe të vitit 1851, panairi i parë i botës, në Pallatin e Kristaltë të Londrës.
Më 1861, Alberti vdiq, dhe pikëllimi i Victorias ishte i tillë, saqë ajo nuk u shfaq në publik për 3 vjet me rradhë. Kur ajo vdiq, la pas 37 fëmijë nipër dhe stërnipër, dhe monarkitë e tjera i vunë nofkën “gjyshja e Evropës”.
22 Janar 1905 – Në Rusi nis Revolucioni i Parë anticarist
Në Rusi, revolucioni i vitit 1905 filloi kur trupat cariste hapin zjarr mbi një grupi paqësor të punëtorëve, që marshonin drejt Pallatit të Dimrit në Shën Petersburg, për t’i paraqitur ankesat e tyre ndaj Carit Nikolla II. Rreth 500 protestues u masakruan në të “Djelën e Përgjakshme”, duke shkaktuar disa muaj protesta dhe trazirash në mbarë Rusinë.
Në tetor 1905, Nikolla, nën presion nga të gjitha anët, u detyrua të miratonte liritë themelore qytetare, dhe krijimin e një organi përfaqësues kombëtar, i cili do të zgjidhej nga një votim i kufizuar. Megjithatë, ky parlament, i njohur si Duma, u shpërbë pas kundërshtimit të autoritetit të Nikollës dhe mbetjet e lëvizjes revolucionare u shtypën brutalisht nga trupat cariste.
Një dekadë më vonë, Rusia cariste u rrëzua në fundin e Luftës së Parë Botërore, duke nxitur Revolucionin Rus të drejtuar nga bolshevikët në vitin 1917, i cili shkatërroi opozitën e carit, dhe e shpalli Rusinë shtetin e parë marksist në botë.
22 Janar 1506 – Kontigjenti i parë i 150 rojeve zvicerane, mbërrin në Selinë e Shenjtë në Vatikan.
22 Janar 1517 – Perandoria Osmane nën Selimin I, mposht Sulltanatin e Mamlukëve dhe pushton Egjiptin në Betejën e Ridanijas.
22 Janar 1808 – Familja mbretërore portugeze arrin në Brazil, pasi u arratis si pasojë e pushtimit francez të vendit dy muaj më parë.
22 Janar 1915 – Më shumë se 600 vetë vriten në Guadalajara, Meksikë, kur një tren rrëzohet në një kanion të thellë.
22 Janar 1917 – Në kulmin e Luftës së Parë Botërore, presidenti amerikan Ëoodroë Ëilson, bën thirrje për “paqe pa fitore” në Evropë.
22 Janar 1946 – Në SHBA krijohet Grupi Qëndror i Inteligjencës, paraardhësja e Agjencisë Qëndrore të Inteligjencës, CIA.
22 Janar 1957 – Izraeli tërheq trupat e tij ushtarake nga gadishulli i Sinait.
22 Janar 1963 – Charles de Gaulle dhe Konrad Adenauer, nënshkruajnë Traktatin i Eliesë për bashkëpunimin midis Francës dhe Gjermanisë.
22 Janar 1987 – Forcat e sigurisë në Filipine, hapin zjarr mbi një turmë prej 10-15 mijë demonstruesish në Manila, duke vrarë 13 persona.
22 Janar 1995 – Në Izraelin qendror, pranë Netanjas, dy palesstinezë shpëthyen veten në një post-bllok ushtarak, duke vrarë 19 ushtarë izraelitë.
22 Janar 2015 – Një shpërthim pranë një autobuzi pasagjerësh në Donjeck të Ukrainës Lindore, shkakton vdekjen e të paktën 13 vetëve.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce