Turneu WTA Shenzen, në Kinë pritej që të prodhonte një finale spektakolare, ku Numri një i botës së tenisteve femra, Simobe Halep të përballej me Maria Sharapova. Një duel që pritet prej shumë kohësh por që është shtyrë edhe këtë herë kur ishte shumë pranë. Tenistja rumune Simona Halep, ka siguruar sot një biletë për në finalen e turneut WTA të Shenzen, në Kinë, pas fitores 2-0 në gjysmëfinale ndaj patriotes së saj Irina Begu (6-1, 6-4). Një ndeshje e dominuar nga Halep, që pati epërsi në të dyja setet, duke e merituar fitoren.
Nuk ka arritur të shkojë në finale tenistja ruse Maria Sharapova, që u ndal në gjysmëfinale nga çekja Katerina Siniakova, që fitoi 2-1 (6-2, 3-6, 6-3). Kështu, finalja e shumëpritur mes Halep dhe Sharapovës është shtyrë, me rumunen që kërkon të mbrojë kreun e renditjes botërore, duke treguar se është gati për grand slemin e Australian Open, që nis pas 10 ditësh, në Melburn.