Milani është ekipi që po vuan më shumë në këtë kampionat, ku pavarësisht investimeve të mëdha që u bënë në merkaton e verës, frytet që po jep ekipi të lenë për të dëshiruar. Gattuso ka përgatitur ekipin anti-Inter, që do të përballet me zikaltërit në kuadër të cerekfinales së Kupës së Italisë. Për teknikun kuqezi është momenti i duhur për të fituar në derbi dhe për të bërë kthesën e madhe që pritet kaq shumë.
“Të luash derbin e Milanos, për lojtarët e mi është si të luash një finale Botërori. Mendoj se ky takim vjen në momentin e duhur për ne, pasi të gjithë jemi gati të luajmë dhe të sakrifikohemi dhe dua të shoh shpirtin e vërtetë të kësaj skuadre”, u shpreh Gattuso.
Interi ka zhvilluar një sezon mjaft të mirë, të paktën deri pas sfidës me Juventusin në ‘Allianz Stadium’, sepse në 2 takimet e fundit ka dalë pa pikë në kampionat. Në derbin e Serisë A Icardi shënoi 3 herë, ndërsa Gattuso tregon se e ka gati strategjinë se si të mposhtë zikaltrit.
“Nuk do të ketë asnjë markim special për Icardin, por vetëm markim zonal. Pika më e fortë e Interit janë krahët, ndaj ne duhet të bllokojmë Candrevën dhe Perisiçin dhe këtë duhet të bëjmë për 90 minuta, jo vetëm për 25-30, siç kemi bërë në ndeshjet e fundit”, tha trajneri i kuqezinjve. Gattuso vlerësoi edhe rikthimin e Susos për derbin, pasi spanjolli është nga ata lojtarë që mund ta zgjidhë i vetëm një ndeshje.