Nga James M. Lindsay “Council of Foreign Afairs”
Dymijë e shtatëmbëdhjeta pati pjesën e vet të ngjarjeve të mëdha. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me vitin 2018. Disa nga këto ngjarje, do të jenë pa dyshim befasuese. Le t’i ndjekim të renditura më poshtë.
Demokracia po përjeton kohë të errëta
Demokracia ndodhet nën rrethim. Mjafton të shqyrtojmë klasifikimin vjetor të vendeve nga Freedom House – liria globale, ka qenë në rënie për më shumë se një dekadë. Problemi nuk është vetëm se demokracitë në zhvillim si Tajlanda dhe Turqia, kanë bërë hapa prapa në sundimin e ligjit, edhe pse ky është një zhvillim tejet negativ.Edhe shumë demokraci perëndimore, po kalojnë gjithashtu kohë të vështira. BE po kërcënon t’i pezullojë Polonisë të drejtën e votës në institucionet e unionit, pasi Varshava ka miratuar ligje antidemokratike, në një kohë që Spanja ndeshet me një lëvizje separatiste në Katalonjë.
Partitë politike të qendrës në Evropë, kanë humbur ndjeshëm mbështetjen eklektorale, në favor të partive në të dyja ekstremet. Partitë tradicionale të qendrës së majtë, kanë hasur më tepër vështirësi, pasi kanë pësuar humbje poshtëruese në Holandë, Francë dhe Austri.
Por edhe partitë e qendrës së djathtë po përpëliten, sikurse e dëshmojnë zgjedhjet e fundit në Britani dhe Gjermani. Shtetet e Bashkuara, kanë ende një sistem të fuqishëm dypartiak, por demokracia e saj duket gjithashtu larg ditëve të saj të lavdishme. Kongresi po përpiqet të kryejë funksionin e vet më themelor, duke financuar qeverinë, Trump shkel rregullisht normat jetëgjata demokratike, dhe shumë amerikanë i shohin anëtarët palës kundërshtare në një mënyrë të pafavorshme.
Prandaj nuk është për t’u habitur, pse disa e shohin tashmë SHBA si një “demokraci me të meta”. Qeveritë autoritare si Kina dhe Rusia po punojnë, në mënyra të ndryshme, për të minuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme anembanë globit. A është demokracia e dënuar të zhduket? Jo. Ajo mbetet popullore në të gjithë botën, edhe pse është bërë më pak e tillë në mesin e të rinjve në vendet demokratike.
Në vitin 2018 do të mbahen zgjedhje të rëndësishme, të cilat mund të ndryshojnë prirjet negative, edhe pse ato mund të na japin edhe më shumë “demokraci joliberale””. Por këtu qëndron edhe elementi themelor i një demokracie:ajo i fuqizon njerëzit. Dhe është në dorën e tyre, që ta përdorin me mençuri këtë fuqi.
Hetimi i Robert Mueller
Amerikanët nuk janë të vetmit të interesuar, se çfarë ndodh me hetimin e prokurorit special Robert Mueller. Edhe kapitali i huaj, është gjithashtu shumë i interesuar. Presidenti Trump e ka quajtur hetimin si një “gjueti shtrigash”, dhe i hedh poshtë si “lajme të rreme”, akuzat se fushata e tij ishte e ndihmuar nga Rusia.Militantët në të dyja kampet, mendojnë se e dinë se si do të përfundojë hetimi. Ne do të shohim se kush ka të drejtë. Ajo që dimë me siguri, është se ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Trump, Michael Flynn, është shpallur fajtor për mashtrimin e FBI-së, ashtu si ish-këshilltari i fushatës së Trump, George Papadopoulos. Mueller ka paditur gjithashtu ish-menaxherin e fushatës së Trump, Paul Manafort dhe shefin e stafit të fushatës, Rick Gates.
Avokatët e Trump parashikojnë se hetimi do të përfundojë së shpejti; por historia sugjeron se mund të zvarritet për muaj. Më së paku, hetimi e tërheq vëmendjen e Shtëpisë së Bardhë nga politikëbërja, dhe ngre dyshime jashtë vendit nëse Trump zotëron kapitalin e duhur politik për të mbajtur premtimet apo edhe kërcënimet e tij. Më së shumti, hetimi mund të zhysë Shtetet e Bashkuara në një krizë kushtetuese të pashembullt. Pavarësisht nëse marrim rastin më ekstrem apo një rezultat diku në mes, demokracia e Amerikës është duke u testuar.
Ambiciet bërthamore të Koresë së Veriut
Diçka do të ndodhë. Trump është zotuar se do ta pengojë Korenë e Veriut, të fitojë aftësinë për të goditur Shtetet e Bashkuara me raketa balistike bërthamore. Deri tani Koreja e Veriut nuk është trembur, duke vazhduar testet e raketave balistike, që sipas saj “tanimë mund të arrijë të gjithë SHBA-në kontinentale”.Mbase kjo nuk është e vërtetë. Megjithatë, peshorja nuk anon nga Amerika. Fatkeqësisht, opsionet e Uashingtonit për të detyruar Phenianin të tërhiqet nuk janë premtuese. Kina as nuk mundet, ose nuk do të përdorë presionin ekonomik për të zbutur Phenianin. Ndërkohë, kostoja e veprimeve ushtarake amerikane ka gjasa të jetë e madhe, mundësisht edhe “katastrofike”.
Një zgjidhje diplomatike, mund të jetë ende e mundshme. Por kjo thuajse me siguri do të kërkonte njohjen e Koresë së Veriut si një fuqi bërthamore – me rrezikun që Pheniani do të merrte çdo lëshim, dhe më pas do të mohonte angazhimet e tij. Këtë gjë e ka bërë edhe më herët. Niveli aktual i tensioneve, krijon mundësinë që lufta të fillojë jo përmes llogaritjes, por llogaritjeve të gabuara.
Përpjekjet e Trump për të transformuar tregtinë
Presidenti Trump, është ankuar për marrëveshjet tregtare “të tmerrshme” të SHBA-së me vendet e tjera që nga mesi i viteve 1980, dhe e bëri këtë një temë qendrore të fushatës së tij presidenciale të vitit 2016. Por gjatë 11 muajve të parë të tij në detyrë, ai pati më shumë fjalë sesa vepra. Edhe pse nënshkroi një memorandum presidencial duke e tërhequr vendin nga Partneriteti Trans-Paqësor (TPP), ai nuk i imponoi tarifa shtesë Kinës, nuk u tërhoq nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Amerikës së Veriut (NAFTA), apo Organizata Botërore e Tregtisë (OBT), të cilat ai i premtoi gjatë fushatës.Situata së shpejti mund të ndryshojë. Shtëpia e Bardhë, po lëviz për të imponuar akte ndëshkimore ndaj praktikave tregtare grabitqare të Kinës, kërkesat e saj për ringjalljen e NAFTA-s duket të jetë e papranueshme për Kanadanë dhe Meksikën, ndërsa po zhvillon një luftë të nivelit të ulët kundër OBT-së.
Shtysa e Trump për të kundërshtuar atë që ai e quan “agresion ekonomik”, mund të gjenerojë trazira të konsiderueshme jashtë vendit, ashtu edhe në shtëpi. Partnerët tregtarë të Amerikës ka gjasa të hakmerren. Askush nuk e di se deri ku mund të shkojnë kundërpërgjigjet e tyre. Por e sigurtë se disa sektorë të eksportit të SHBA-së do të dëmtoheshin, dhe sigurisht do ta bënin të vështirë uljen e defiçitit tregtar.
Ambiciet e Kinës jashtë vendit
Xi Jinping pati një 2017-ë të jashtëzakoshme. Ai e konsolidoi pushtetin e tij, dhe tanimë renditet si udhëheqësi më i fuqishëm i Kinës që nga koha e Mao Ce Dunit. Çështja është se si do ta përdorë statusin e tij të ri? Gjykuar nga fjalimi i tij 205 minutësh në Kongresin e Partisë Popullore të Kinës në muajin tetor, ai nuk do të qëndrojë në periferi; përkundrazi do të nxjerrë muskujt.Ai i përdori 26 herë termat “fuqi e madhe” dhe “fuqi e fortë” në fjalimin e tij. Politika e jashtme e Xi-së, ka gjasa të jetë një përzierje e fuqisë së butë dhe asaj të ashpër. Ai do të ofrojë ndihmë të konsiderueshme për vendet në të gjithë Azinë, nën flamurin e Nismës Një Brez.
Pekini do të mbështesë ndërkohë politikanët dhe grupet simpatizante ndaj Kinës jashtë vendit, një taktikë që ka filluar të shkaktojë një reagim të ashpër. Pekini do të vijojë përpjekjet për ta kthyer Detin e Kinës Jugore në një “liqen” kinez. Vendet në Azinë Juglindore, do të shohin nga afër se si do të ndodhë kjo, dhe veprimet e SHBA-së kundër synimeve të Kinës për ta shndërruar veten në një hegjemoniste rajonale.
Oferta e Iranit për hegemoninë rajonale
Udhëheqësit iranianë, duhet të jenë të kënaqur me që solli 2017. Presidenti sirian Bashar Al-Assad, duket të jetë i sigurtë në pushtet në Damask. Hezbollahu forcoi pozitat në Liban. Shteti Islamik, humbi shumicën e territorit të tij. Qeveria e Irakut rimori qytetin e pasur me naftë të Kirkukut.
Rebelët Huthi e zhytën Arabinë Saudite në “kënetën” e luftës civile në Jemen. Strategjia e re e Sigurisë Kombëtare të SHBA, zotohet të “neutralizojë ndikimin negativ të Iranit”. Por në kundërshtim me premtimin e tij elektoral, Trump nuk ka tërhequr ende Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore.
Ndërsa Shtëpia e Bardhë dëshiron të nxisë ngrohjen e marrëdhënieve me Teheranin, çështja është se sa larg është gati të shkojë. Tek e fundit, Evropa e kundërshton sabotimin e marrëveshjes bërthamore me Iranin, ndërsa SHBA-ja i ka duart e lidhura me çështjen e Koresë së Veriut. Vetëm për diçka mund të jeni të sigurt:Irani do të thellojë avantazhin e saj, kudo që të jetë e mundur.
Kriza në Venezuelë
Venezuela duhet të jetë në parim një vend i begatë. Në fund të fundit, ajo zotëron rezervat më
të mëdha të provuara të naftës në botë. Në vend të kësaj, vendi është kapluar nga një krizë e tmerrshme ekonomike dhe politike, dhe fajin për këtë e ka presidenti Nicolas Maduro. Ai ka zbatuar politika katastrofike ekonomike, si dhe ka shkelur në mënyrë të përsëritur kushtetutën e vendit.
Situata pritet të jetë edhe më e keqe në vitin 2018. Fondi Monetar Ndërkombëtar, parashikon që inflacioni do të kalojë nivelin 2300 përqind vitin e ardhshëm. Maduro, ka penguar tre parti opozitare të marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale të dhjetorit të ardhshëm. Venezuelët kanë dalë nëpër rrugë për të protestuar ndaj metodave diktatoriale të Maduros.Më shumë se 100 protestues janë vrarë, por asgjë nuk ka ndryshuar. Për pasojë, qindra mijëra venezuelanë kanë emigruar në vendet fqinje. Shtetet e Bashkuara, kanë vendosur tashmë sanksione ndaj zyrtarëve të Venezuelës, dhe mund të imponojnë të tjera. Sugjerimi i Trump për një ndërhyrje të mundshme ushtarake, u prit me kritika të forta nga e gjithë Amerika Latine, dhe me siguri i dha Maduros një fitore shumë të nevojshme, në rrafshin e propagandës. Maduro s’ka gjasa të largohet nga pushteti, nëse nuk e detyrojnë venezuelianët.
Adoleshentja palestineze që lufton për lirinë e vendit të saj
Quhem Ahed Tamimi, jam 14-vjeç. Ahed doli në faqet e para të mëdhave botërore, pasi u përlesh më këta ushtarë izaelitë, që u përpoqën të arrestonin vëllain e saj. Unë pashë ushtarët që kapën vëllanë tim, Muhamedin, dhe e përplasën përtokë. Kur mbërrita atje, mbajta me kujdes dorën e thyer të vëllait, në mënyrë që fraktura të mos përkeqësohej.
Ajo është një aktiviste e mirënjohur në fshatin e saj, ku vazhdojnë protestat kundër ngritjes së vendbanimeve të paligjshme izraelite. Askush nuk më ka detyruar të bëhem pjesë e protestave, dhe t’i rezistoj pushtimit. E bëj këtë pasi shoh çdo ditë kolonët që notojnë, ulen dhe luajnë në tokën time. Ndërsa unë kam frikë se ndonjëri nga ne do të vritet.
Unë u them njerëzve që thonë se s’ka shpresë, se për sa kohë të jetë një brez si i yni, që mund t’i tregojë pushtuesit që ne jemi të fortë, dhe se do të rezistojmë, atëherë sigurisht që ka shpresë se një ditë do të jemi të lirë.
Kryeministri kanadez, përlotet nga rrëfimi i refugjatit sirian
Kryeministri kanadez, Juastin Trudeau, takohet me një familje refugjatësh, të cilën ai e mirëpriti një vit më parë. Kur e takova kryeministrin, ai në atë moment më tha dy fjalë:Mirëserdhe në shtëpi! Pra imagjinoni të jeni të larguar nga një zonë lufte, të keni lënë pas shtëpinë tuaj, dhe të mirëpriteni nga dy fjalë:Mirësëvjen në shtëpi!Prandaj atë ditë dit iu riktheva kujtimeve të mira në Sirinë time të para luftës, jetën tonë, lumturinë jonë atje. Momentet e tmerrshme, që kemi përjetuar gjatë luftës. Prandaj u ndjeva krenar që jam këtu. Dhe tani pas një viti, jam krenar që jam kanadez, ashtu sikundër do të jem gjithmonë krenar që jam sirian.
Përshtati për Tirana Today Alket Goce