Humbja ndaj Luftëtarit në “Zeqir Ymeri”, ishte dhe fundi i durimit për Safet Gjicin. Ky i fundit në përfundim të takimit ka filluar edhe spastrimin në ekip duke larguar tre lojtarë. Krkotic, Memini e Shtubina nuk do të jenë më pjesë e Kukësit duke u larguar nga skuadra menjëherë pas disfatës më Luftëtarin që shkaktoi një gjendje kaotike në radhët e kampionëve, të cilët po kalojnë një moment shumë të vështirë. Kjo gjë ishte paralajmëruar pak ditë më parë nga numri një i klubit verilindorë, ku u shpreh se në klub do të ketë shumë ndryshime.
Dy nga lojtarët e larguar Krkotic dhe Shtubina, janë bashkuar vetëm në fillim të këtij sezoni me Kukësin, ndërsa Memini ka zhvilluar plot tre sezone aty dhe vitin e shkuar u shpall kampion. Spastrimi pritet të jetë më i madh në ditët në vijim dhe pikëpyetja më e madhe mbetet trajneri serb, Mladen Milinkovic, fati i të cilit mbetet në duart e presidentit Gjici pasi skuadra e tij e mbylli këtë vit me 12 pikë më pak se kryesuesit e Skënderbeut, shumë larg objektivave të vendosura në fillim të sezonit.