10 Dhjetor 1936 – Vdes shkrimtari i shquar italian Luigi Pirandello
Luigi Pirandello ishte shkrimtar dramaturg, novelist dhe poet i njohur italian. Ai u nderua me Çmimin Nobel për Letërsi në vitin 1934 për “fuqinë pothuajse magjike të tij, për ta kthyer analizën psikologjike në një teatër cilësor”. Farsat tragjike të Pirandellos, cilësohen shpesh si pararendëse të Teatrit të Absurdit.
Pirandello lindi në një familje të klasës së lartë në Agrixhento, një qytet në jugun e Siçilisë. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, ku u hipnotizua nga mitet dhe legjendat, që i tregonte shërbëtorja e shtëpisë Maria Stella. Kur ishte vetëm 12-vjeç, shkroi tragjedinë e tij të parë. Me insistimin e babait të tij, regjistrohet në një shkollë të mesme profesionale, por kaloi përfundimisht në studimin e shkencave humane, diçka që e kishte tërhequr gjithmonë.
Në vitin 1880, familja Pirandello u shpërngul në Palermo. Atje Luigi mbaroi shkollën e mesme, teksa filloi të lexonte shumë, duke u përqendruar kryesisht tek poetët italianë të shekullit XIX-të, si Giosuè Carduçi dhe Arturo Graf. Pastaj filloi të shkruante poezitë e tij të para, ndërsa ra në dashuri me kushërirën e tij Lina.
Gjatë kësaj periudhe nisën edhe konfliktet e para midis tij dhe të atit. Luigi kishte zbuluar rastësisht disa shënime, që zbulonin ekzistencën e marrëdhënieve jashtëmartesore të babait Stefano. Në vitin 1887, transferohet në Romë për të vazhduar studimet për letërsi. Por për shkak të një konflikti me profesorin e latinishtes, detyrohet të largohet në Universitetin e Bonit në Gjermani, ku qëndroi 2 vjet.
Atje lexoi romantikët gjermanë, Jean Paul, Tieck, Chamisso, Heinrich Heine dhe Goethe.
Pas një rrikthimi të shkurtër në Sicili, gjatë së cilës hoqi dorë nga martesa me kushërirën e tij, shkon sërish në në Romë, ku u miqsua me një grup gazetarësh të njohur të kohës, që e inkurajuan të shkruante tregime, dhe në vitin 1893 ai shkroi punën e tij të parë të rëndësishme, “Marta Ajala”. Një vit më vonë boton koleksionin e tij të parë të tregimeve të shkurtra, “Dashuri pa dashuri”.
Viti 1903 shënoi një pikë kthese në jetën e Pirandellos. Përmbytja e minierave të squfurit në Siçili, ku babai i tij Stefano kishte investuar jo vetëm një sasi të madhe të kapitalit të tij, por edhe prikën e të nuses së djalit, Antonietta, e çuan familjen në faliment. Pas hapjes dhe leximit të letrës që paralajmëronte katastrofën, kjo e fundit pësoi një tronditje të fortë psikike, nga e cila nuk e mori veten kurrë.
Vetë Pirandello, që fillimisht mendoi të vetëvritej, u përpoq ta përmirësonte situatën financiare, duke rritur numrin e orëve të mësimeve private në italisht dhe gjermanisht, dhe duke kërkuar kompensim nga revistat të cilave u kishte dërguar më herët për t’i botuar falas tregimet e tij.
Në këtë kohë, romanet e tij fillojnë të përmbajnë shumë element autobiografikë.
Në vitin 1909, Pirandello filloi bashkëpunimin e tij me revistën prestigjioze “Corriere della Sera”, ku botoi pjesë-pjesë romane si “Botë prej letre”, dhe në vitin 1910 dramën “Mendohu Xhakomino”. Pirandello ishte vazhdimisht në rritje si shkrimtar. Por jeta e tij private, u helmua nga xhelozia obsesive e Antonietës, që filloi të ishte e dhunshme.
Në 1919 Pirandello e dërgon gruan e tij në një azil. Pavarësisht nga xhelozitë dhe haluçinacionet e saj të tmerrshme, ai vazhdoi të ndjejë një tërheqje shumë të fortë për të, edhe pse ajo nuk doli më nga azili. Në vitin 1921 ai shkroi komedinë “Gjashtë opersonazhe që kërkojnë autor, e cila u vu në skenë në Romë, duke shkaktuar debate të mëdha, ndërsa në Milano korri një sukses të madh.
Në 1925, Pirandello, me ndihmën e Benito Musolinit, merr drejtimin artistik të Teatrit të Arteve në Romë. Ai e përshkroi veten si “një fashist, pasi unë jam italian”. Pirandello publikoi një deklaratë ku shprehte mbështetjen e tij për aneksimin e Etiopisë nga Italia. Ai madje ia dorëzoi medaljen e artë të çmimit Nobel qeverisë fashiste, për ta shkrirë dhe përdorur si një fond për fushatën ushtarake në Afrikë.
Mbështetja e Musolinit, i solli famë ndërkombëtare dhe një turne në mbarë botën, duke prezantuar veprat e tij në Londër, Paris, Vienë, Pragë, Budapest, Berlin deri në Argjentinë dhe Brazil. Megjithatë shumë shpejt ai u zhgënjye nga fashizmi, duke patur konflikte të ashpra me udhëheqës të ndryshëm.
Në 1927, e gris teserën e tij të anëtarësimit para sekretarit të përgjithshëm të Partisë Fashiste.
Deri në fundin e jetës së tij, Pirandello, ishte gjithmonë nën mbikëqyrje të ngushtë nga policia sekrete fashiste OVRA. Ai vdiq i vetmuar në shtëpinë e tij në Romë më 10 dhjetor 1936.
10 Dhjetor 1901 – Jepen çmimet e para Nobel
Çmimet e para Nobel ndahen në Stokholm të Suedisë, në fushën e fizikës, kimisë, mjekësisë, letërsisë dhe paqes. Ceremonia u organizua në përvjetorin e pestë të vdekjes së Alfred Nobel, shpikësit suedez të dinamitit dhe eksplozivëve të tjerë të fuqishëm. Në testamentin e tij, Nobel, kërkonte që pjesa më e madhe e pasurisë së tij të vendoset në një fond, një pjesë e caktuar e të cilit do të “shpërndahej çdo vit në formën e shpërblimeve, për ata që gjatë vitit të kaluar kishin dhënë më shumë për njerëzimin”. Edhe pse Nobel nuk dha asnjë arsye publike për krijimin e çmimeve, besohet gjerësisht se ai e bëri këtë, për shkak të keqardhjes morale ndaj përdorimeve gjithnjë e më vdekjeprurëse të shpikjeve të tij në luftë.
10 Dhjetor 1541 – Thomas Culpeper dhe Francis Dereham, ekzekutohen me vdekje për shkak se kanë patur marrëdhënie intime me Catherine Howard, Mbretëresha e Anglisë dhe gruaja e Henry VIII.
10 Dhjetor 1898 – Traktati i Parisit, i jep fund luftës disa mujore mes Spanjës dhe SHBA mbi Kubën, gjatë së cilës vdiqën mbi 10 mijë njerëz.
10 Dhjetor 1906 – Presidenti i SHBA Theodore Roosevelt fiton Çmimin Nobel për Paqen për rolin e tij në ndërmjetësimin e Luftës Ruso-Japoneze, duke u bërë amerikani i parë që e fiton këtë çmim.
10 Dhjetor 1907 – Në Londër, 1000 studentë të mjekësisë përleshen me 400 oficerë policie, për shkak të ekzistencës së një memoriali kundër eksperimenteve mjekësore me kafshët.
10 Dhjetor 1948 – OKB miraton Konventën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.
10 Dhjetor 1949 – Ushtria komuniste fillon rrethimin e Chengdu, qytetit të fundit kinez në duart e nacionalistëve të Kuomintang, duke e detyruar Presidentin e Republikës së Kinës Chiang Kai-Shek dhe qeverinë e tij, të tërhiqen në ishullin e Tajvanit.
10 Dhjetor 1953 – Kryeministri britanik, Winston Churchill, fiton çmimin Nobel në letërsi.
10 Dhjetor 1983 – Në Argjentinë restaurohet demokracia, pas disa viteve të egra të një diktature ushtarake, me inaugurimin e presidentit rë ri të vendit, Raul Alfonsin.
10 Dhjetor 1984 – Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miraton Konventën Ndërkombëtare kundër Torturës.
10 Dhjetor 2016 – Dy shpërthime të njëpasnjëshme jashtë një stadiumi futbolli në Stamboll, Turqi, shkaktojnë vdekjen e 38 njerëzve dhe plagosjen e 166 të tjerëve.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce