Drejtori për Europën Juglindore në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Christian Hellbach, kërkon që të luftohet pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ai ka theksuar se politikanët shqiptarë nuk duhet të abuzojnë me imunitetin parlamentar për t’u mbrojtur nga drejtësia.
Në një intervistë për “Deutsche Welle”, Hellbach komenton edhe rastin e ish-ministrit Tahiri dhe përballjen e tij në Parlament.
Sipas zyrtarit gjerman, nëse ka mjaftueshëm momente konkrete dyshimi, atëherë nuk duhet abuzuar me imunitetin parlamentar që deputetët kanë, për t’u mbrojtur prej aksesit të drejtësisë.
Pjesë nga intervista:
Si e komentoni situatën aktuale politike në Shqipëri? Investigimin për korrupsion dhe lidhje me grupet e trafikut të drogës së ish-ministrit të Brendshëm dhe dorë- heqjen e drejtorit të Shërbimeve Sekrete?
Më lejoni t’i përgjigjem në parim kësaj pyetjeje: një nga detyrat thelbësore të Shqipërisë, në kuadër të përafrimit me BE-në, është lufta pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Për këtë arsye, do të nevojitej konsolidimi i organeve ligjzbatuese në aktivitetin e tyre si edhe procese të ndjekjes penale, pavarësisht personit. Po kështu, nuk duhet të abuzohet me imunitetin parlamentar për të mbrojtur të mandatuarit prej aksesit të drejtësisë, nëse ka mjaftueshëm momente konkrete dyshimi. Ky është një imperativ i shtetit ligjor.
A e mbështet Gjermania ambicien e Shqipërisë për të hapur negociatat e anëtarësimit vitin e ardhshëm?
Gjermania i qëndron premtimit, që të gjitha vendet e Europës Juglindore kanë perspektivën e integrimit dhe ne i mbështesim ata në përpjekjet e tyre për të realizuar reformat e nevojshme. Kriteret për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit janë të njohura. Tani është në dorën e Shqipërisë të arrijë progresin e kërkuar në pesë prioritetet kyçe. Një hap shumë i rëndësishëm është Reforma në Drejtësi dhe ngritja tashmë e përfunduar e Komisioneve të Vettingut. Ne presim me shumë interes punën e tyre dhe do t’i vëzhgojmë imtësisht. Sukses, presim, gjithashtu të arrihet edhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.