Gratë luftëtare që u ndeshën me Herkulin dhe joshën Aleksandrin e Madh, ishin pjesë e legjendave, e megjithatë ndikimi artistik dhe social i mitit të tyre është edhe sot i dukshëm…
Grekët e lashtë e dinin që Amazonat ishin të vërteta – ose të paktën kishin qenë dikur. Heronjtë e vjetër, i kishin hasur ato në mbretërinë e grave të arteve marciale, Themiskrira, që gjendej në brigjet jugore të Detit të Zi. Amazonat pushtuan në një moment edhe vetë Greqinë, por përparimi i tyre u ndal pas një beteje të madhe. Herodoti tregon se si ato u kapën rob, u morën me vete në anijet greke, dhe më pas arritën të arratisen në brigjet e lumit Don, ku u lidhën dhe u shumuan me pjesëtarët e fisit Skithian.
Askush nuk e dinte prej nga vinte emri “Amazonë”, kështu që grekët ndërtuan vetë një etimologji, duke pretenduar se termi rridhte nga ‘a-mazdos’ që do të thotë pa gjoks:pretendohej se ato gra të frikshme, i kishin prerë gjinjtë e tyre për të mos penguar mbajtjen si duhet të të harkut, arma e tyre kryesore. E si mund të mos jetë kjo e vërtetë? Në fakt, shumica e saj – përfshirë etimologjinë e supozuar – nuk ishte. Ishte thjesht folklor.
S’kishte asnjë mbretëri Amazonash. Por kishte një grimë të vërtetë tek ajo legjendë. Në kullotat e pa mata në brendi të kontinentit aziatik, nga Deti i Zi deri në Kinën Perëndimore, gratë skithiane kishin të njëjtat aftësi luftarake si burrat e tyre:përdorimin e harkut, hipjen dhe ngritjen e kuajve, duke luftuar dhe vdekur nga plagët e marra. Skeletet e tyre janë gjetur në varre të lashta, nga Krimeja në Kinën Perëndimore.
Ndërkohë, miti grek mbijetoi në imagjinatën evropiane, duke gjetur shprehje në romane, teatër dhe kinematografi, si dhe artet figurative. Ai u transportua në Botën e Re nga spanjollët të cilët, duke eksploruar një lumë të madh, dëgjuan tregime të mjegullta mbi luftëtaret femra, dhe i vunë emrin e tyre edhe lumit gjigant, lumit Amazona në Brazilin e sotëm.
Për shekuj me radhë, gratë luftëtare janë quajtur “Amazona”. Regjimente të tilla grash, ekzistonin në Dahomey (në Beninin e sotëm në Afrikë), forcat ajrore sovjetike, dhe luftëtaret femra të Kurdistanit që kanë një reputacion të frikshëm. Gjithçka filloi me Herkulin, personazhin legjendar që grekët e ëndërronin përpara se të mësonin të shkruanin.
Për të shlyer krimin e vrasjes së fëmijëve të tij, Herkuli u sfidua nga Euristeni, mbreti i Argosit, për të realizuar 12 detyra, njëra prej të cilave ishte vjedhja e brezit të artë të Hipolitës- mbretëreshës së Amazonëve dhe bijës së Aresit, Zotit të luftës. Këto gra luftarake, jetonin në lumin Thermedon (Terma e sotme), në brigjet jugore të Detit të Zi. Sipas legjendës ato kapnin njerëz të cilët i përdornin për të kryer marrëdhënie seksuale, ndërsa ku lindin fëmijë, rrisnin vetëm vajzat dhe vrisnin djemtë.
Por sipas legjendës, Herkuli e gjeti Hipolitën, i rrëmbeu brezin (me ose pa luftë – variantet ndryshojnë), e vrau apo ndoshta jo, dhe u rikthye në Greqi. A kishte ndonjë të vërtetë pas legjendave të tilla? Jo dhe aq. Kombi i Amazonave, ishte kërcënimi i fundit i imagjinuar për grekët. Gjithsesi, fakt është që grekët e mijëvjeçarit të parë para Krishtit, kishin eksploruar brigjet e Detit të Zi, duke pasur njohuri për skithianet kalorëse; vetë Herodoti i përshkroi ato në shekullin e pestë para erës sonë.
A ka dëshmi që grekët takuan ndonjë “Amazonë”? Një histori rreth Aleksandrit të Madh sugjeron se po. Në vitin 330 P.E.S, luftëtari ambicioz maqedonas pushtoi Persinë, dhe po përparonte drejt lindjes përgjatë brigjeve të Detit Kaspik (në Iranin e sotëm). Në një version të një tregimi të shekullit I PE.S., një mbretëreshë amazoniane e quajtur Talestri kërkoi të takohej me Aleksandrin e Madh.
Së bashku me 300 gra të tjera, ajo bëri një kërkesë të pazakontë:donte “të kishte fëmijë me mbretin, për të qenë të denjë të ishin trashëgimtarë në të dyja mbretëritë”. Aleksandri ishte – sipas portretit të Plutarkut – shtatshkurtër, me një trup jo shumë të palestruar, dhe pak i interesuar mbi seksin.
Por Talestri këmbënguli dhe iu plotësua kërkesa. “Aleksandri kaloi 13 net për të kënaqur epshin e saj seksual. Pastaj ajo u rikthye në mbretërinë e saj, për të mos u bërë më e gjallë”. Forma e hershme e këtij rrëfimi u shkrua nga një ndihmës i Aleksandrit, Onesikritusi, si një dëshmitar okular. Por shumë studiues dyshojnë se bëhej fjalë më shumë për diçka të trilluar, me gjasë për të kënaqur egon e Aleksandrit.
Besimi në ekzistencën e Amazonave mbijetoi edhe në Mesjetë, dhe ato mbetën një temë e preferuar në Evropën Mesjetare. Rreth viteve 1500, një spanjoll i quajtur Garcia Rodríguez de Montalvo shkruante për Amadisin, një kalorës që dilte nga vendi i rruzullit Gaula (Uellsi i sotëm), dhe që përballet në një betejë me gratë luftëtare të Amazonës dhe Kalifia-n e tyre (mbretëresha).
Në verën e vitit 1969, pranë një liqeni të vogël në lindje të Almatit, qytetit më të madh të Kazakistanit, një fermer vuri re diçka që shkëlqente:një copë të vogël ari të modeluar. Arkeologu i njohur sovjetik Kemal Akishev, zbuloi se bëhej fjalë për një skelet të vogël të rrethuar me thesare. Varri, i njohur si Issyk kurgan, dhe që ndoshta daton nga shekulli V P.E.S, ishte Saka – emri kazak për kulturën e gjerë Skithiane.
Ai përfshinte një xhaketë të zbukuruar me 2.400 pllakëza të arta një brez që përmbante 13 koka të drerësh të artë, një shpatë të stampuar, një palë vathë dhe një përkrenare. Kafka ishte shumë e dëmtuar për të përcaktuar me saktësi gjininë e personit që i përkiste, por Akishev bëri një rindërtim, dhe e shfaqi atë si “Burri i Artë”. Kur Kazakistani shpalli pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik, ai u bë simboli i kombit kazak.
Megjithatë, arkeologia amerikane Jeannine Davis-Kimball, që bashkëpunoi me Akishev në fillim të viteve 1970, filloi të dyshonte mbi mashkulloritetin e burrit të supozuar. Kafka qe në fakt e ngjashme me kafkat e tjera të gjetura në varret e femrave skithiane. Davis-Kimball u bind se eshtrat i përkisnin në fakt një “Gruaje të Artë”, ”një princeshe të rangut të lartë”, siç shprehet në revistën ‘Archaeology” më 1997-ën.
Kush ka të drejtë? S’do ta marrim vesh kurrë. Sot që është i mundur analizimi i kockave për të përcaktuar gjininë, mungojnë eshtrat që u zhdukën në mënyrë misterioze. Në vitin 1993, arkeologia ruse Natalia Polosmak ishte duke gërmuar në Plateau Ukok në Republikën gjysmë autonome të Altajit në jug të Siberisë, pranë kufirit kinez, kur bëri një tjetër zbulim që shtoi njohurinë mbi gratë skithiane. Ajo dhe ekipi i saj zbuluan pajimet e ngrira të 6 kuajve dhe në fund të tyre një arkivol, brenda së cilës gjendej trupi i një gruaje, që mendohej se i përkiste një luftëtareje skithiane.
Ndonëse mbretëria e Amazonëve ishte një legjendë e thjeshtë, emri është përdorur në disa grupe luftarake. Midis tyre ishte një regjiment i piloteve sovjetikë, që u angazhuan në Luftën e Dytë Botërore. Më e famshmja mes tyre, ishte padyshim themeluesja e grupit Marina Raskova. Në vitin 1933, Raskova 21 vjeçare, u bë pilotja e parë sovjetike.
Pas pushtimit të vendit nga Gjermania, Raskova, formoi një njësi vullnetare me rreth 400 pilote femra të ndara në 3 regjimente: Duke kryer deri në 100 misione në një natë për secilin nga regjimentet, ato u dëshmuan kaq shkatërruese për armikun, saqë gjermanët i quajtën “Nachthexen” (Shtrigat e natës).
Raskova vdiq në janarin e vitit 1943, kur avioni i saj u rrëzua në brigjet e lumit Vollga. Këtë vit, Hollivudi, e ka ripunuar mitin e Amazonës në një film të ri me sloganin:”Para se ajo të ishte Gruaja e Dëshiruar, qe Diana, Princesha e Amazonave”. Lidhja midis dy legjendave, krijon një histori të ndërlikuar, me origjinën e saj që shtrihet një shekull pas në luftën për të drejtat e grave.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce