3 Tetor 1990 – Gjermania Lindore dhe ajo Perëndimore, ribashkohen pas 45 vjetësh
Më pak se një vit pas rrëzimit nga Muri i Berlinit, Gjermania Lindore dhe Perëndimore ribashkohen në atë që kremtohet çdo vit si “Dita e Unitetit”. Që nga viti 1945, kur forcat sovjetike pushtuan Gjermaninë Lindore, Shtetet e Bashkuara dhe forcat e tjera aleate pushtuan gjysmën perëndimore të kombit në fundin e Luftës së Dytë Botërore, Gjermania e ndarë u shndërrua në një nga simbolet më të jetëgjata të Luftës së Ftohtë.
Disa nga episodet më dramatike të Luftës së Ftohtë, ndodhën pikërisht atje. Bllokada e Berlinit (qershor 1948 – maj 1949), gjatë së cilës Bashkimi Sovjetik pengoi të gjithë transportin tokësor në Berlinin Perëndimor, dhe ndërtimi i Murit të Berlinit në vitin 1961, qenë ndoshta ngjarjet më të famshme. Me rënien graduale të fuqisë sovjetike në fundin e viteve 1980, Partia Komuniste në Gjermaninë Lindore filloi të humbiste kontrollin e saj mbi pushtetin.
Dhjetëra mijëra gjermano-lindorë filluan të arratisen, dhe në fundin e vitit 1989 Muri i Berlinit ra. Menjëherë pas këtij akti, nisën bisedimet midis zyrtarëve të Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore, të cilave iu bashkuan zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Francës dhe Bashkimit Sovjetik, ku u shqyrtua mundësia e ribashkimit.
Dy muaj pas ribashkimit, u zhvilluan zgjedhjet parlamentare dhe Helmut Kohl u bë kancelari i parë i Gjermanisë së ribashkuar. Ndonëse ky proces ndodhi më shumë se një vit përpara shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, për shumë vëzhgues ribashkimi i Gjermanisë shënoi efektivisht fundin e Luftës së Ftohtë.
3 Tetor 1929 – Formohet Mbretëria Jugosllave
Mbretëria e Jugosllavisë, “Toka e Sllavëve të Jugut”, u formua më 3 tetor 1929. Ajo përfshinte rajonet e Serbisë, Malit të Zi, Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Maqedonisë. Më herët ajo njihej si Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, e krijuar më 1 dhjetor 1918. Mbretëria Jugosllave u pushtua nga fuqitë e Boshtit në vitin 1941, dhe për shkak të ngjarjeve që pasuan, ajo u anulua në vitin 1945, ndërsa u shpall Federata e Republikave Socialiste të Jugosllavisë, me në krye marshallin Josip Broz Tito.
Pavarësisht diferencave dhe armiqësive që ishin përfocuar gjatë luftës, sidomos me kroatëve dhe serbëve, Tito arriti të ruante me forcë kohezionin e brendshëm entik, ndërsa pas vdekjes së tij në vitin 1980, përçarjet ridolën shumë shpejt në sipërfaqe. Kriza ekonomike e federatës, borxhet e mëdha ndaj Perëndimit, pabarazia e dukshme e zhvillimit të republikave të ndryshme, i hapën rrugë shpërbërjes graduale të Federatës Jugosllave.
Kroacia, Sllovenia dhe Maqedonia shpallën pavarësinë e tyre nga Jugosllavia më 1991; Bosnja dhe Hercegovina e bënë këtë vitin e ardhshëm. Në rastin e Kroacisë dhe Bosnjës, akti u pasua nga një luftë e tmerrshme 4 vjeçare, që shkaktoi qindra mijëra viktima, dhe një eksod masiv refugjatësh. Republikat e Serbisë dhe Malit të Zi, shpallën një Republikë të re Federale të Jugosllavisë në prillin e 1992-it. Ato u bënë vende të veçanta të pavarura, përkatësisht në qershor dhe tetor të vitit 2006.
3 Tetor 1952 – Mbretëria e Bashkuar teston bombën e saj të parë bërthamore
Operacioni i koduar “Uragani” u zhvillua në afërsi të Ishujve Montebello në Australinë Perëndimore. Ai e bëri Mbretërinë e Bashkuar, vendin e tretë në botë që zotëronte armë bërthamore, pas Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik.
3 Tetor 1942 – Ushtria naziste në Gjermani lëshoi me sukses një raketë V-2/A4 nga qendra e saj e testimeve në Pinemunde. Rekat ishte objekti i parë i ndërtuar nga njeriu që mbërriti në hapësirë. Gjermanët e zhvilluan raketën, e cila përmbante një motor me karburant të lëngshëm, si një “armë hakmarrëse” për të sulmuar qytetet aleate si kundërpërgjigje ndaj bombardimeve të aleatëve mbi qytetet gjermane në Luftën e Dytë Botërore.
3 Tetor 1932 – Iraku fiton pavarësinë nga Mbretëria e Bashkuar
Me pranimin e Irakut në Lidhjen e Kombeve, Britania i dha fund mandatit të saj mbi kombin arab, duke e bërë Irakun të pavarur pas 17 viteve të sundimit britanik dhe shekujve të sundimit osman. Qeveria irakiane, ruajti lidhje të ngushta ekonomike dhe ushtarake me Britaninë, çka shkaktoi disa revolta anti-britanike.
Kështu një revoltë pro vendeve të Boshtit në vitin 1941, çoi në një ndërhyrje ushtarake britanike, pas së cilës qeveria irakiane ra dakord të mbështeste në luftë aleatët. Në vitin 1958, monarkia Hashemite u rrëzua, dhe për dy dekadat që pasuan Iraku u drejtua nga një sërë qeverish ushtarake dhe civile. Në vitin 1979, nëpërmjet një grushti shteti ngjitet në pushtet gjenerali Saddam Hussein, që do të udhëhiqte në mënyrë diktatoriale vendin deri në vitin 2003, kur u rrëzua pas ndërhyrjes ushtarake të SHBA-së.
3 Tetor 1995 – O.J. Simpson lirohet nga akuza për vrasjen e Nicole Simpson dhe Ronald Goldman. Ish-lojtari i mirënjohur i futbollit amerikan, ishte akuzuar për vrasjen e ish-bashkëshortes dhe mikut të saj më 13 qershor 1994. Ky rast, tërhoqi për disa muaj me rradhë vëmendjen e publikut në Shtetet e Bashkuara dhe mbarë botën.
3 Tetor 1739 – Perandoria Ruse nënshkruan një traktat me Perandorinë Osmane, duke i dhënë fund një konflikti 3-vjeçar midis tyre.
3 Tetor 1863 – Presidenti amerikan Abraham Lincoln, shpalli të enjten e fundit të nëntorit si Ditën Kombëtare të Falënderimeve. Ajo është ende sot festa më popullore në SHBA.
3 Tetor 1908 – Leon Trotsky, Adolph Joffe, Matvey Skobelev dhe emigrantë të tjerë rusë në Vjenë, themelojnë gazetën “Pravda” (E Vërteta), që do të ishte për shumë dekada organi zyrtar i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.
3 Tetor 1944 – Trupat gjermane largohen nga kryeqytetin grek, Athinë.
3 Tetor 1963 – Një grusht shteti i dhunshëm në Honduras, i jep fund një periudhe reformash politike, dhe i hap rrugë dy dekadave të sundimit ushtarak.
3 Tetor 1989 – Në Panama dështon një grusht shteti i ushtarakëve të Manuel Noriegës.
3 Tetor 1993 – Ndodh Beteja e Mogadishut, gjatë së cilës 18 ushtarë amerikanë dhe rreth 1.000 somalezë u vranë në një përpjekjeje për të kapur kreun e trupave rebele, Mohamed Farrah.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce