30 Shtator 1955 –Vdes në një aksident automobilistik, aktori i famshëm hollivudian James Dean
Ikona e kinematografisë amerikane e fillimit të viteve 1950, u ndaj nga jeta në orën 5:45 të pasdites së 30 shtatorit 1955 në Cholame të Kalifornisë, kur makina e tij Porsche me të cilën po udhëtonte, u përplas me një automjet tip Ford Tudor në një kryqëzim. Shoferi i makinës tjetër, studenti 23-vjeçar i Universitetit Shtetëror Politeknik të Kalifornisë, Donald Turnupseed, mbeti i lënduar lehtë. Ndërkohë, pasagjeri në makinën e Dean, mekaniku gjerman i Porsche Rolf Wütherich u plagos rëndë, por arriti të mbijetonte.
Deri në atë moment tragjik, vetëm një nga filmat e Dean, “Lindja e Edenit”, kishte dalë në ekranet e kinemave (“Rebelë pa një kauzë” dhe “Gjigandi” dolën në kinema pak më vonë, por 24-vjeçari e kishte nisur rrugëtimin e tij drejt famës, dhe aksidenti vdekjeprurës e shndërroi atë në një legjendë.
James Dean ishte i marrosur pas garave me makina, dhe në fakt edhe makina me të cilën po udhëtonte, ishte modifikuar për të marrë pjesë në një garë në Salinas, 90 milje në jug të San Franciskos. Asokohe qarkulluan zëra se makina e Dean, të cilën ai e quante “Bastardi i Vogël”, ishte e mallkuar.
Pas aksidentit, makina u rrëzua nga pjesa e prapme e një kamioni dhe shtypi këmbët e një mekaniku që ndodhej aty pranë. Më vonë, teksa një tregtar makinash të përdorura po i shiste pjesët e Porche të aksidentuar tek blerës të ndryshëm në të gjithë vendin, ndodhën incidente të çuditshme, disa prej të cilave me pasoja fatale.
Për shkak të ndjenjës së fajit, Rolf Wütherich, tentoi dy herë vetëvrasjen në 1960-ën dhe në vitin 1967, kur goditi bashkëshorten e tij 14 herë me një thikë kuzhine në një vrasje/vetëvrasje të dështuar, ndërsa vdiq në një aksident rrugor në gjendje të dehur në vitin 1981. Po atë vit vdiq nga kanceri i mushkërive edhe Turnupseed.
30 Shtator 1938 – Firmoset Marrëveshja e Munihut
Marrëveshja e Munihut, kishte të bënte me rajonin e Sudeteve, që ndodheshin përgjatë kufijve të Çekosllovakisë, i banuar kryesisht nga çekë me origjinë gjermane. Marrëveshja u negociua në një konferencë të mbajtur në Mynih të Gjermanisë, midis fuqive kryesore të Evropës, por pa praninë e Çekosllovakisë. Ajo u pa si një akt për zbutjen e tensioneve. Marrëveshja, e nënshkruar nga Gjermania, Franca, Britania dhe Italia, lejoi aneksimin gjerman të Sudeteve, një rajon me rëndësi të madhe strategjike për Çekosllovakinë, pasi aty ishte e vendosur shumica e mbrojtjes së saj kufitare.
30 Shtator 1949 – Pushon së funksionuari Ura Ajrore e Berlinit
Pas 15 muajsh dhe më shumë se 250.000 fluturime, Ura Ajrore e Berlinit pushoi zyrtarisht së funksionuari. Ajo ishte një nga sipërmarrjet më të mëdha logjistike në historinë moderne, dhe një nga ngjarjet kryesore të Luftës së Ftohtë. Në qershorin e vitit 1948, Bashkimi Sovjetik bllokoi befas gjithë trafikun tokësor në Berlinin Perëndimor, që ndodhej tërësisht brenda zonës ruse të pushtimit në Gjermani.
Ajo qe një përpjekje e qartë për të detyruar Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe dhe Francën (fuqitë e tjera pushtuese në Gjermani), të pranonin kërkesat sovjetike lidhur me fatin e Gjermanisë së pasluftës. Si pasojë e bllokadës sovjetike, banorët e Berlinit Perëndimor mbetën pa ushqim, veshje apo pajisje mjekësore.
Disa zyrtarë amerikanë, kërkuan një reagim agresiv ndaj provokimit sovjetik, por në fund mbizotëruan mendjet më të ftohta, ndaj dhe u zhvillua një plan për transportimin ajror të furnizimeve ushqimore dhe mjeteve të tjera në Berlinin Perëndimor. Gjatë 15 muajve që pasuan, 277.264 avionë u ulën në Berlinin Perëndimor, duke sjellë mbi 2 milionë ton furnizime. Më 30 shtator 1949, avioni i fundit që u ul në Berlin, shkarkoi mbi dy ton qymyr. Ura Ajrore e Berlinit, qe një fitore e jashtëzakonshme e Luftës së Ftohtë për Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin.
30 Shtator 1964 – Nisin protesta e para studentore në SHBA kundër Luftës së Vietnamit
Demonstratat e para në shkallë të gjerë, kundër ndërhyrjes ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Vietnam filluan në Universitetin e Berklit në Kaliforni nga mijëra studentë. Megjithatë, sondazhet treguan se shumica e amerikanëve e mbështesnin në atë moment, politikën e presidentit Lyndon Johnson ndaj luftës.
30 Shtator 1991 – Presidenti i Haitit, Jean-Bertrand Aristide, rrëzohet nga pushteti pas një grushti shteti ushtarak
Më 30 shtator 1991, pasi qeveria e tij, e udhëhequr nga kryeministri Rene Préval, dështoi në mocionin e mosbesimit në parlament, Aristide u përpoq të sundonte i vetëm. Por ushtria kreu një grusht shteti kundër tij. Aristide u rrëzua, dhe në përputhje me nenin 149 të Kushtetutës Haitiane, kryetari i Gjykatës së Lartë, Joseph Nerette u caktua si president i përkohshëm për të shërbyer derisa të mbaheshin zgjedhjet brenda 90 ditëve. Por ato në fund u anuluan (sipas Aristide dhe të tjerëve, si grushti i shtetit ashtu edhe anulimi i zgjedhjeve të reja ishin rezultat i presionit amerikan). Megjithatë, pushteti i vërtetë u mbajt nga komandanti i ushtrisë Raoul Cedras.
30 Shtator 1568 – Mbreti i Suedisë Eriku XIV, rrëzohet nga froni pas shfaqjes së shenjave të çmendurisë.
30 Shtator 1791- Opera e famshme e Mozartit, “Flauti Magjik”, shfaqet për herë të parë në Vjenë.
30 Shtator 1846 – Heqja e parë e dhëmbëve me anë të anestezisë lokale, kryhet nga Dr William Morton në Charleston, Massachusetts në SHBA.
30 Shtator 1911 – Italia i shpall luftë Turqisë për kontrollin e Tripolit në Libi.
30 Shtator 1939 – Ushtria franceze zmbrapset nga pushtimi që nisi ndaj Gjermanisë. Sulmi i koduar si “Operacioni Saar”, arriti të depërtojë vetëm 8 km në kufirin gjerman.
30 Shtator 1954 – Vendet anëtare të NATO-s, bien dakord për armatosjen dhe pranimin në aleancë të Gjermaninë Perëndimore.
30 Shtator 1960 – Pesëmbëdhjetë vende afrikane pranohen në Kombet e Bashkuara.
30 Shtator 1965 – Lëvizja “30 Shtatorit”, u përpoq pa sukses të kryejë një grusht shteti kundër qeverisë në Indonezi. Ky akt shkaktoi një valë spastrimesh të elementëve të dyshuar si komunistë, e cila shkaktoi mbi 500 mijë viktima.