28 Shtator 1994 – Qindra njerëz humbin jetën nga mbytja e një trageti në detin Balltik
852 njerëz gjejnë vdekjen në një nga tragjeditë më të rënda detare të shekullit XX, kur “Estonia”, një traget i madh automobilash dhe pasagjerësh, u mbyt në Detin Baltik. Anija e ndërtuar në Gjermani, po udhëtonte natën nga kryeqyteti estonez Talin në kryeqytetin suedez Stokholm, kur u mbyt pranë brigjeve të Finlandës.
“Estonia” ishte një traget i njohur për mbrëmjet me muzikë nlive dhe vallëzimet. Pasi u përfshi nga moti i stuhishëm, me dallgë që arrinin 15-20 metra, ajo mbytet në mesnatë. Shumë pasagjerë mbetën të bllokuar brenda anijes, ndërsa ata që arritën të hipnin në varkat e shpëtimit, u mbytën më vonë në ujërat e akullta, si pasojë e hipotermisë.
Helikopterët e ushtrisë, arritën të shpëtonin shumicën e 137 të mbijetuarve nga kjo ngjarje e rëndë. Pas tragjedisë, një komitet i përbashkët qeveritar suedezo-finlandezo-estonez, e përcaktoi ngjarjen një aksident, dhe bëri përgjegjes për të stuhinë e fortë detare, e cila bëri që uji të vërshonte masivisht mbi kuvertë, dhe të përmbyste tragetin në det në më pak se një orë. Megjithatë, pati të tjerë, duke përfshirë familjarët dhe miqtë e viktimave, që besonin se fundosja ishte rezultat i një një të çare të shkaktuar nga një përplasje apo shpërthim.
28 Shtator 1918 – Ushtari britanik i kursen jetën ushtarit të plagosur gjerman Adolf Hitler
Henry Tandey, një ushtar britanik që shërbente në afërsi të fshatit francez Marcoing, tregoi se kishte hasur një ushtar gjerman të plagosur, dhe kishte hezituar ta qëllonte atë. Ky ushtar ishte pikërisht udhëheqësi i ardhshëm i Gjermanisë naziste, Adolf Hitler. “E mora në shenjë, por nuk mund të qëlloja një njeri të plagosur. Ndaj e lashë të ikte”- kujton më vonë Tandey.
Hitleri e falënderoi disa here, dhe u largua me shpejtësi. Ndonëse nuk ekzistojnë burime për të provuar vendndodhjen e Hitlerit 28 shtatorin e 1918-ës, një element intrigues sugjeron se rrëfimi i Tandey është i vërtetë. Një fotografi u shfaq në gazetat e Londrës, me Tandey që mbante një ushtar të plagosur mbi shpinë në Ypres në vitin 1914, u portretizua më vonë në kanavacë nga piktori italian, Fortunino Matania, duke lavdëruar heriozimin e aleatëve.
Kur kryeministri britanik, Neville Chamberlain, udhëtoi në Gjermani në vitin 1938 për të takuar Hitlerin, në një përpjekje të fundit për të shmangur një tjetër luftë në Evropë, ai u prit nga Fyhreri në rezidencën e tij të re në Bavari. Atje, Hitleri i tregoi Chamberlain një kopje të pikturës së Matania-s, duke thënë:”Ky është njeriu që për pak sa nuk më vrau!”.
28 Shtator 1928 – Alexander Fleming zbulon Penicilinën
Në vitin 1928, Fleming po studionte vetitë e stafilokokëve. Ai ishte tashmë i njohur nga puna e tij e mëparshme, dhe kishte krijuar reputacionin e një studiuesi të shkëlqyer, por laboratori i tij ishte shpesh një rrëmujë e madhe. Më 3 shtator 1928, Fleming u rrikthye në laborator, pasi e kishte kaluar muajin gusht me pushime me familjen e tij.
Para se të largohej, ai kishte grumbulluar të gjitha kulturat e stafilokokëve në një rraft në një cep të laboratorit të tij. Kur u kthye, Fleming vuri re se një kulturë ishte e ndotur me një kërpudhë, dhe se kolonitë e stafilokokëve që e kishin rrethuar atë pranë ishin shkatërruar, ndërsa kolonitë e tjera më larg ishin normale. Fleming e identifikoi mykun që kishte kontaminuar kulturat e stafilokokëve si nga gjinia e Penicillium, dhe pas disa muajsh e quajti “lëngu i mykut” substancën që çliroi penicilinën më 7 mars 1929.
28 Shtator 1895 – Vdes biologu i mirënjohur francez Louis Pasteur. Ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në studimin e infeksioneve spitalore, dhe futjen e praktikave revolucionare në sterilizimin e mjeteve spitalore para dhe pas përdorimit të tyre, nëpërmjet metodës që mban edhe sot emrin e tij. Më vonë pasterizimi, u shtri si praktikë edhe në industrinë ushqimore.
28 Shtator 1066 – William, guvernatori i Normandisë pushton Anglinë
Duke pretenduar të drejtën e tij për fronin anglez, William i njohur si “Pushtuesi” zbarkoi në Pevensey, në bregun juglindor të Britanisë. Shumë shpejt përballet dhe fiton përballë ushtrisë së Mbretit Harold II në Betejën e Hastings, e cila shënoi fillimin e një epoke të re në historinë britanike. Pas fitores mbi anglezët, William marshoi drejt Londër dhe e vuri atë nën kontrollin e tij.
Në Ditën e Krishtlindjeve të atij viti, William Pushtuesi u kurorëzua si mbreti i parë Norman i Anglisë, në Westminster Abbey, duke i dhënë kësisoj fund fazës anglo-saksone të historisë angleze. Frëngjishtja u bë gjuha e oborrit mbretëror, dhe gradualisht u përzie me gjuhën anglo-saksone për të krijuar anglishten moderne.
William u dëshmua nje mbret efektiv, dhe “Domesday book”, nje regjistër i madh i tokave dhe banorëve në Angli, renditet midis arritjeve të tij më të dukshme. Pas vdekjes së William I në vitin 1087, djali i tij Ëilliam Rufus u bë Ëilliam II, mbreti i dytë Norman i Anglisë.
28 Shtator 2003 – Vdes regjizori i mirënjohur amerikan Elia Kazan
Regjizor, producent në film dhe teatër, skenarist, romancier dhe bashkë-themelues i studios me ndikim “Actors Studio” në Nju Jork më 1947, Elia Kazan ishte tre herë fitues i “Academy Awards”, pesë here i çmimit “Tony Award”, katër here i “Golden Globe”, si edhe fitues i çmimeve dhe nominimeve të shumta në festivale të tjera prestigjioze si Festivali i Filmit në Kanë dhe ai në Venecia.
28 Shtator 1978- Papa Gjon Pali I, ndërron jetë nga një atak në zemër, vetëm 33 ditë pasi ishte zgjedhur në krye të Selisë së Shenjtë. Ky është versioni zyrtar i ngjarjes, pasi teori të shumta konspiracioni pretendojnë për një helmim të qëllimshëm të Paqës.
28 Shtator 1904- Një grua arrestohet, pasi guxoi të pijë një cigare në publik në bulevardin “Fifth Avenue” në Nju Jork.
28 Shtator 1961 – Një grusht shteti ushtarak në Damask, i jep fund unionit Egjipt-Siri të njohur ndryshe si Republika e Bashkuar Arabe, që u formua më 1 shkurt 1958.
28 Shtator 1995 – Kryeministri izraelit, Yitzhak Rabin, dhe udhëheqësi i Organizatës për Çlirimin e Palestinës, Jasser Arafat, nënshkruajnë një marrëveshje të përkohshme në lidhje me vendbanimet në Rripin e Gazës.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce