Bashkëshorti i aktores së mirënjohur, Hajrie Rondo, e cila u nda dje nga jeta, ka zbuluar fjalët e fundit të saj.
Kiço ka thënë se e shoqja dukej se e kishte ndjerë se ishte pranë vdekjes, pasi i kishte lënë atij disa porosi.
“Po të lë amanet fëmijët. Ki kujdes për ta!”, këto kanë qenë fjalët e fundit të aktores, para se të ndahej nga jeta në moshën 66-vjeçare.
Rondo u shua në Himarë, në shtëpi, ndërsa pranë vetes kishte të bijën, Klean dhe të shoqin, Kiço.
I prekur dhe i dobët, ai tha për “GSH” se “ishte e ndërgjegjshme deri në çastet e fundit. Madje në mëngjes, rreth orës 9 më la disa porosi. M’u duk se e ndjeu. Tha që t’i kem kujdes fëmijët, ta nderojmë”.
Hajrie Rondo vuante prej muajsh nga një sëmundje e rëndë, ndërsa para dy muajsh ajo iu nënshtrua një ndërhyrjeje të vështirë.
Më tej, bashkëshorti i saj shpreh pakënaqësinë e tij me politikanët.
“Nuk u kujdes askush për të. E harruan të gjithë. E harroi edhe politika. Pati një ndërhyrje kirurgjike të vështirë kohët e fundit. Kush u kujtua për të? Askush!”, tha Kiço Rondo për “GSH”, mes trishtimit dhe pafuqisë.
Kiço ka qenë pranë Hajries në ditët më të suksesshme të bashkëshortes, kur imazhi në skenë e ekran ngrihej bashkë me rolet ku shkëlqente, duke sjellë dritë në jetën e spektatorëve dhe shikuesve. Ishin bashkë deri në çastin e mbramë, kur frymëmarrjet e Hajries, u ndaluan.