15 prill 1936, 82 vjet më parë, është ndoshta data që i afrohet më tepër kohës së fillimit të konfliktit midis hebrenjve dhe arabëve në Palestinë. Kishin ndodhur shumë gjëra më parë, dhe do të ndodhnin shumë të tjera më pas, por ajo që ndodhi atë ditë është konsideruar nga shumë ekspertë dhe historianë si momenti kur izraelitët arritën të kuptojnë se problemet me arabët e Palestinës, do të zgjidheshin vetëm me forcë.
Për të kuptuar se çfarë ndodhi atë ditë, duhet të kthemi për një moment pas në kohë. Në vitin 1904, Izrael Zanguill, një nga shkrimtarët më të njohur hebrenj të fillimshekullit XX, mbajti një fjalim të famshëm në Nju Jork, duke argumentuar nevojën që populli hebre, prej disa shekujsh i shpërndarë në të gjithë Evropën, të pushtonte me forcë Palestinën, të cilën hebrenjtë e cilësonin përherë “tokën e premtuar” që u ishte dhënë atyre nga Perëndia.
Një lëvizje politike dhe kulturore, që mbështeste një prani më të madhe hebreje në Palestinë kishte ekzistuar për dekada të tëra, dhe mes viteve 1800-1900 ishin krijuar komunitete të ndryshme hebraike në Palestinë:por në atë kohë udhëheqësja e lëvizjes sioniste, përbëhej kryesisht nga intelektualë dhe filantropë të borgjezisë evropiane, dhe rrallë mori forma të tilla të dhunshme.
Për shkak të qëndrimeve të tij radikale, Zanguill u përjashtua nga lëvizja sioniste, për t’u ripranuar vetëm disa vite më vonë, edhe pse vazhdoi të kishte të njëjtën qasje ekstremiste.
Disa vjet më vonë, në 1918-ën, edhe David Ben Gurion – kryeministri i ardhshëm i Izraelit, – kritikoi ashpër qëndrimet e Zanguill, duke theksuar se “dhuna nuk është qëllimi i sionizmit, dhe se për asnjë arsye ne s’duhet të cenojmë të drejtat e banorëve të Paletsinës”.
Vetëm 18 vjet më vonë, arabët dhe hebrenjtë zhvilluan përplasjen e parë e vërtetë të një lufte që vazhdon edhe sot. Midis viteve 1936-1939, arabët palestinezë u rebeluan kundër “mandatit” lokal të Britanisë të Madhe – një lloj protektorati – pasi sipas tyre ai favorizonte ardhjen e emigrantëve të rinj hebrej.
Në tri dekadat e para të shekullit XX, një numër në rritje i hebrenjve kryen aliyah – që në hebraisht do të thotë “rrikthimin” – në territorin palestinez, ku blenë toka nga pronarët arabë, bonifikuan kënetat dhe zonat shkretëtinore për të ndërtuar Kibucë – komunitete egalitare, ku prona private qe shumë e rrallë – shkollat dhe institucione të tjera hebraike.
Megjithatë për shumë hebrenj të mbërritur në Izrael, vendasit e etnisë arabe nuk qenë problemi kryesor:kur në vitin 1917 Perandoria britanike, e cila kishte një lloj protektorati mbi Palestinën, e njohu legjitimitetin e krijimit të një shteti hebre, izraelitët iu përkushtuan kryesisht ndërtimit të një sistemi të qëndrueshëm ekonomik dhe socialist – dhe u fokusuar shumë tek kultivimi dhe tregtimi i agrumeve –apo dhe hapja e institucionet të para shtetërore (Universiteti Hebraik i Jeruzalemit u themelua në vitin 1918). Në atë kohë, rreth 90 për qind e popullsisë palestineze ishte e etnisë arabe.
Në vitet që pasuan pati shembuj të shumtë të tolerancës, por edhe të bashkëjetesës paqësore mes arabëve dhe hebrenjve. Në Lida, një koloni e lashtë greke, që më vonë u bë një qytet arab, 20 kilometra nga Tel Avivi, mjeku gjerman Sigfried Lehman ngriti në vitin 1927 një shkollë me konvikt për fëmijët hebrenj, ndërsa ofroi kujdes mjekësor për banorët e fshatrave arabë. Gjithashtu, djemtë e kolegjit shkonin shpesh në të njëjtat fshatra, dhe në kolegj ishte ngritur
një “panair” për të kremtuar dhe studiuar kulturën arabe.
Por ndërmjet viteve 1920-1930, situata ishte duke u bërë gjithnjë e më e tensionuar:hebrenjtë vazhduan të mbërrinin në Palestinë me mijëra, duke blerë toka dhe ngritur kibuce. Kriza ekonomike globale e vitit 1929, e kishte bërë të vështirë jetesën për fermerët, sidomos ata arabë, të cilët kishin humbur punët e tyre ose qenë të detyruar t’ua shisnin tokën e tyre hebrenjve, që zotëronin sasi të mëdha burimesh financiare nga Evropa.
Në kundërpërgjigje të kushteve të këqija ekonomike të Palestinës arabe, dhe përparimit të projektit sionist, nacionalistët palestinezë u organizuan në organizata nacionaliste dhe para-ushtarake, duke kritikuar emigracionin hebre dhe projektin sionist, që donte të impononohej në një terren që ata e konsideronin pronën e tyre.
Përplasja e parë e madhe ndodhi në vitin 1929:në fundin e muajit gusht u përhapën zëra se hebrenjtë në Palestinë, do të përpiqeshin të vinin nën kontroll Murin e Lotëve, një vend që konsiderohet pjesë e tempullit të lashtë hebre të shkatërruar nga romakët. Megjithatë, Muri gjendet nën Kodrën e Xhamive, ku më e rëndësishme është xhamia Al-Aksa, e ndërtuar pikërisht në vendin ku profeti Muhamed u ngjit në qiell.
Pas thashethemeve, popullsia arabe sulmoi disa banorë hebrenj të Palestinës. Në përplasjet që zgjatën disa ditë u vranë rreth 130 hebrenj – gjysma e të cilave në Hebron, një qytet me shumicë arabe në Bregun Perëndimor.
Sa më shumë hebrenj që mbërrinin në Palestinë, aq më shumë agjentët sionistë blinin toka të reja. Çmimet e tokës bujqësore shënuan rekorde të papara më herët, dhe jo pak pronarë, banorë arabë në qytet, vendosën të përfitojnë nga kjo. Kur përfunduan pronat e mëdha, atëherë agjentët sionistë filluan të blejnë parcelat e vogla të një numri në rritje palestinezësh, që jetonin në kufijtë e mbijetesës.
Në vitin 1931, blerjet e tokës nga sionistët kishin çuar në dëbimin e 20 mijë familjeve fermere arabe jashtë tokave të tyre. Brenda disa viteve, përqindja e palestinezëve të mbetur pa tokë do të arrinte në mbi 30 për qind. Për më tepër, 75-80 për qind e pronarëve të ngastrave, zotëronin një tokë të pamjaftueshme për mbijetesë. Sionizmi, që më herët qe diçka shumë abstrakte për shumë nga banorë autoktonë të Palestinës, ishte shndërruar tashmë në një prani të prekshme dhe problematike.
Në tetor të 1935 situata u përkeqësua edhe më tej:në fund të vitit një zyrtar britanik zbuloi në portin e Xhafas- një qytet i lashtë në jug të Tel Avivit – një ngarkesë me armë për komunitetin hebre në Palestinë, e fshehur në një ngarkesë me çimento që vinte nga Belgjika. Pas këtij zbulimi, një predikues popullor dhe udhëheqës ushtarak islamik i quajtur Iz Abdyl Kader Mustafa Yusuf Din al Kassam, bëri thirrje për xhihad kundër popullsisë hebreje.
Pavarësisht popullaritetit të Kasam – që shfrytëzonte varfërinë dhe pakënaqësinë e popullsisë arabe – shumë pak vetë iu bashkuan brigadave të tij, dhe vetë Kasam vdiq gjatë një përleshje me ushtrinë britanike në 20 nëntorit të vitit 1935. Kjo çoi në ngjarjen e15 prillit 1936, kur një grup njerëzish të armatosur pushtuan rrugën Tulkarem në Tel Aviv.
Në fillim ata iu kërkuan kalimtarëve para për çështjen arabe. Kur mbërritën dy tregtarë shpendësh hebrenj, që po shkonin në Tel Aviv, Izrael Kazan dhe Zvi Danenberg, banda e armatosur i plaçkiti dhe më pas i vrau. Pas vrasjes së dy tregtarëve, e përditshmja izraelite “Haaretz”, doli me një editorial shumë shqetësues në të cilën shkruhej:”Këto ditë atmosfera është elektrizuese. Humori i masave, është helmuar nga një propagandë krejtësisht ideologjike, për të cilin qëllimi justifikon të gjitha mjetet. Kjo energji mund të shkarkohet në çdo kohë, si në “akte të “vogla” kriminale si ai i dy ditëve më parë, ashtu edhe në masakra masive”.
Në 17 prill, gjatë funeralit të Kazan, një grup hebrenjsh u përpoqën të vrisnin në shenjë hakmarrje punëtorët arabë që gjendeshin rastësisht nëpër rrugë. Në ditët në vijim, komuniteti hebre u bë shenjestër e disa sulmeve, përfshirë edhe një bombë që u hodh në një nga rrugët më të ngarkuara të Tel Avivit, si dhe disa vrasje të kryera nga snajperët. Gjatë verës së vitit 1936, u vranë 88 hebrenj.
Ndërkohë udhëheqësit popullorë palestinezë popullore – historikisht të përçarë – qenë më në fund në gjendje të themelonin “Komitetin e Lartë Arab”, që do të përfaqësonte interesat e tyre tek britanikët. Ky komitet, organizoi një grevë të përgjithshme të punonjësve arabe, e cila shkaktoi probleme të ndryshme, dhe në një periudhë afatgjatë e zgjeroi hendekun mes dy komuniteteve. Britanikët dhe hebrenjtë i zëvendësuan punëtorët arabe që kishin hyrë në grevë me punëtorë të tjerë hebrenj, dhe greva përfundoi pa pasoja të mëdha në tetor të vitit 1936 (dhe disa muaj më pas Komiteti i Lartë Arab u nxor jashtë ligjit nga britanikët, dhe pushoi së ekzistuari).
Dhuna vazhdoi edhe gjatë viteve që pasuan. Në vjeshtën e vitit 1937, 9-10 mijë luftëtarë palestinezë filluan të bredhin fshatrave, duke sulmuar forcat britanike e vendbanimet sioniste dhe përhapur panik. Viti 1938 qe më i dhunshmi i të gjithë revoltës. Më 19 qershor, 18 civilë arabë u vranë nga shpërthimi i një bombe në një treg të Jeruzalemit; dhe një tjetër bombë shpërtheu më 6 korrik në tregun arab të Haifas, duke vrarë 21 arabë.
Të dyja sulmet iu atribuuan Irgun-it, një brigadë paraushtarake hebreje e themeluar disa vite më pare, dhe që gjatë trazirave kreu me dhjetëra sulme. Në muajt që pasuan revolta arabe u shtyp nga forcat britanike, por përplasjet e bindën komunitetin hebre se bashkëjetesa paqësore me palestinezët nuk qe më e mundur . Në të njëjtin përfundim mbërritën edhe autoritetet britanike, që disa vjet më vonë propozuan një plan ndarje, i cili parashikonte krijimin e dy shteteve të veçanta, një shtet hebre dhe një tjetër arab.