29 pes – Oktaviani bëhet i pari romak që mban 3 triumfe të njëpasnjëshme në Romë për të festuar fitoren mbi fiset dalmate. Triumfi Romak ishte një ceremoni civile dhe rit fetar i Romës së lashtë, për të festuar publikisht shenjtërisht arritjen ushtarake të një komandanti, ose që kishte përfunduar me sukses një luftë të huaj. Disa historianë mendojnë se Triumfi daton që nga themelimi i Romës; të tjerë thonë se kjo traditë është edhe më i lashtë. Sipas etimologjisë latine shprehja ‘triumf’ është një huamarrje nga etruskja ‘thriambus’ (thirrje ose bërtitje) gjatë procesioneve pas fitores.
554 – Perandori romak Justinian shpërblen Liberius për shërbimin e tij të gjatë dhe të shquar, duke i dhënë pasuri të shumta në Itali. Historianët thonë se arritjet ushtarake të Liberius, të lëna shpesh në heshtje, mund të krahasohen vetëm me ato të Jul Cezarit dhe Napoleon Bonapartit.
1806 – Fillon beteja e Misarit gjatë kryengritjes serbe kundër perandorisë osmane. Beteja do të përfundonte dy ditë më vonë, me një fitore vendimtare serbe. Beteja shihet si pjesë e luftërave të Napoleonit, pasi që të dyja, Austria dhe Franca kishin pjesë në to; perandori Napoleon dërgoi në betejë artilerinë e tij për të ndihmuar osmanët. Gjithashtu, në anën austriake të lumit Sava, oficerët e ushtrisë austriake dhe banorë të Vojvodinës dolën në breg nga ku mund të shikonin betejën në bregun tjetër.
1831 – SHBA; Skllavi zezak Nat Turner sheh një eklips diellor, dhe beson se ishte një shenjë nga Perëndia se kishte ardhur dita e lirisë – tetë ditë më vonë ai dhe 70 skllevër të tjerë vrasin rreth 55 të bardhë në Southampton, Virginia.
1913 – Otto Witte, aktor e akrobat, shpalli se ishte kurorëzuar mbret i Shqipërisë. Në vitin 1913, disa muslimanë shqiptarë ftuan Halim Eddine, nipin e Sulltanit, që të vinte në Shqipëri dhe të bëhej mbret i saj. Otto Witte, duke vërejtur ngjashmëri të tij me Halim Eddinen, shkoi në Durrës dhe, sipas tij, u kurorëzua mbret nga trupat vendore. Ai gjithashtu pohoi se gjatë pesë ditëve të ardhshme, bëri një jetë luksi, si dhe i shpalli luftë Malit të Zi, para se mashtrimi të zbulohej.
Gjithashtu ai mori një pjesë të konsiderueshme të thesarit të mbretërisë, dhe arriti të ikte jashtë vendit, të paktën kështu tha. Por historitë e Ottos janë parë si të pamundshme. Së pari, nuk ishte nipi Halim Eddine, por biri i Sulltan Abdul Hamidit, Burhan Eddine, të cilit i ishte ofruar froni në vitin 1914, dhe ai nuk erdhi. Fillimisht, Otto pohoi se kjo aventurë kishte ndodhur në shkurt të vitit 1913; por atëherë Shqipëria ishte ende nën pushtimin serb, kështu që Otto e ndryshoi datën duke e vendosur ngjarjen në gusht 1913. Nuk ka asnjë dëshmi të burimeve shqiptare për të mbështetur pretendimet e Otos. Megjithatë, ai u bë i famshëm në Gjermani. Policia në Berlin lejoi që karta e tij e identitetit të mbante pseudonimin “ish Mbreti i Shqipërisë”. Mendohet se Otto Witte ishte gënjeshtar patologjik; për shembull, ai deklaronte se në Gjermani kishte themeluar një parti politike; se kishte qenë kandidat për presidencën gjermane në vitin 1925, dhe se kishte fituar 25.000 nga 230.000 votat në raundin e parë, por dha dorëheqjen në favor të Paul von Hindenburg – të dhënat e votimeve të atij viti nuk e mbështesin këtë pohim. Interesi në Shqipëri ishte i lartë në botën gjermano-folëse, sepse fuqitë e mëdha kishte zgjedhur një princ gjerman që të ulej në fronin shqiptar. Villiam Vidit iu afrua ky fron në vitin 1913 dhe ai qëndroi gjashtë muaj; gjithashtu, ngjashmëria në emër Vidi – Witte mund ta ketë nxitur fantazinë e Ottos. Historia e Otto Witte ka një ngjashmëri edhe me romanin aventurë “Prisoner of Zenda” (1894), realizuar film në vitin 1913. Koncepti i librit “Prisoner of Zenda” është i thjeshtë; një turist i zakonshëm merret për mbret, sepse ai i ngjante mbretit të vendit që po vizitonte. Gazetat dhe revistat e ndryshme e morën historinë e Ottos si fakt dhe e përsëritën a ribotuan atë, përfshi revistën amerikane Time, e cila në gusht 1958, botoi një artikull “The Man Who Was King”, në lidhje me pretendimet e Otto Witte.
1926-Revolucionari kubanez, Fidel Kastro, lindi në provincën Oriente të Kubës lindore. Ai ishte djali i një emigranti spanjoll, i cili ishte bërë i pasur duke ndërtuar sisteme shinash për të transportuar kallam sheqeri. Fideli ndoqi shkolla Katolike Romake në Santiago de Cuba. Ai u përfshi në politikën revolucionare, ndërsa ishte student, dhe në vitin 1947 mori pjesë në një përpjekje, të pasuksesshme, nga të dëbuarit domenikan dhe kubanët, për të rrëzuar diktatorin domenikan, Rafael Trujillo. Në vitin pasues, ai mori pjesë në trazirat urbane në Bogota, Kolumbi. Veçoria më e famshme e politikës së tij ishte besimi i tij antiamerikan; ai ende nuk ishte një Marksist i hapur.
1961 – Gjermania Lindore mbyll kufirin midis sektorëve lindorë dhe perëndimorë të Berlinit për të penguar përpjekjet e banorëve të saj për të shkuar në Perëndim.
1962 – Përfaqësues të Kishës Ortodokse Ruse dhe përfaqësues të Vatikanit takohen në Metz, Francë, dhe arrijnë një marrëveshje ku kisha ruse do të dërgonte vëzhgues në Këshilln e II të Vatikanit dhe në këmbim, Kisha Katolike do të refuzonte të dënonte komunizmin.
1980- Vdes Eqrem Çabej një nga figurat më të shquara të shkencës arsimit dhe kulturës shqiptare.