Shkrimtari austriak emigrant, Stefan Cvajg, e shkroi variantin fillestar të librit të tij me kujtime, “Bota e djeshme”, nën një ekstazë ethshme gjatë verës së vitit 1941, teksa titujt kryesorë në media, jepnin të gjithë treguesit e mundshëm se qytetërimi qe duke zhytur në errësirë.
Franca e dashur e Cvajgut, kishte rënë në duart e nazistëve një vit më parë. Lufta rrufe kishte arritur kulmin në maj, me thuajse 1500 londinezë të vdekur në një natë të vetme. Operacioni Barbarosa, pushtimi masiv i Bashkimit Sovjetik nga ana e fuqive të Boshtit, gjatë të cilit do të vdisnin gati 1 milionë njerëz, kishte nisur në qershor. Einsatzgruppen të Adolf Hitlerit, skuadra lëvizëse të vdekjes, që shkonin pas ushtrisë, qenë duke masakruar hebrenjtë dhe grupime të tjera të diskriminuara – shpesh me ndihmën e policisë lokale dhe qytetarëve të thjeshtë.
Vetë shkrimtari, kishte arritur të largohej në kohë nga Austria në vitin 1934. Gjatë luftës së shkurtër e të përgjakshme civile në vend në shkurtin e atij viti, kur Engelbert Dolfus, kancelari kleriko-fashist i vendit, shkatërroi opozitën socialiste, shtëpia e Cvajgut në Salcburg ishte kontrolluar me dyshimin e pasjes së armëve sekrete për furnizimin e milicive të krahut të majtë.
Shkrimtari i njohur, cilësohej në atë kohë si një nga humanisto-pacifistët më të shquar të Evropës, dhe vulgariteti absurd i aksionit policor, e zemëroi aq shumë sa filloi të bëjë që atë natës gati valixhet për t’u larguar. Nga Austria, Cvajgu dhe gruaja e tij të dytë, Lote, shkuan në Angli, më pas në Botën e Re, ku Nju Jorku u bë baza e tij, pavarësisht neverisë që kishte për turmat dhe konkurrencën gërryese të qytetit.
Çifti mori me qira një shtëpi modeste njëkatëshe në një vend të zymtë në Manhatan. Atje, Cvajgu nisi në punën e tij të ethshme për shkrimin e autobiografisë – duke punuar si “shtatë demonët, pa një shëtitje të vetme”, siç u shpreh ai. Arriti të shkruante mbi 400 faqe brenda disa javësh.
Produktiviteti i tij, pasqyronte ndjenjën e urgjencës:libri u konceptua si një lloj mesazhi për të ardhmen. Është një ligj i historisë, shkroi ai, “që bashkëkohësve u mohohet njohja me fillimet e hershme të lëvizjeve të mëdha, të cilat përcaktojnë epokën e tyre”.
Për të mirën e gjeneratave të mëvonshme, të cilave do t’u ngarkohej detyra e rindërtimit e shoqërisë nga rrënojat, ai ishte i vendosur të zbulonte se si ishte bërë i mundur mbretërimi i terrorit nazist, dhe si ai dhe shumë të tjerë kishin qenë aq shumë të verbër në fillimet e saj.
Shkrimtari vuri në dukje, se nuk e mbante mend kohën kur kishte dëgjuar fillimisht emrin e Hitlerit. Ajo qe një epokë e konfuzionit, e mbushur me agjitatorë të shëmtuar. Gjatë viteve të hershme të ngritjes së Hitlerit, Cvajgu ishte në kulmin e karrierës së tij, dhe një kampion i njohur i kauzave që synonin të promovonin solidaritetin midis kombeve evropiane.
Ai bëri thirrje për themelimin e një universiteti ndërkombëtar, me degë në të gjitha kryeqytetet kryesore evropiane, dhe me një program të shkëmbimeve, që synonte t’i ekspozonte të rinjtë ndaj komuniteteve, etnive, dhe feve të tjera. Ai ishte tepër i vetëdijshëm, se pasionet nacionaliste të shprehura në Luftën e Parë Botërore, përbëheshin nga ideologjitë e reja raciste.
Vështirësitë ekonomike dhe ndjenja e poshtërimit që përjetoi qytetari gjerman si pasojë e Traktatit të Versajës, krijuan një pakënaqësi të madhe, e cila mund të nxiste çdo lloj projekti radikal e gjakatar. Cvajgu kishte vënë re disiplinën, por edhe burimet e shumta financiare në tubimet e Nacional Socialistëve – lëvizjet e tyre të sinkronizuara, uniformat e reja dhe numrin mbresëlënës të automjeteve, motorëve dhe kamionëve teksa ata parakalonin.
Ai udhëtonte shpesh përtej kufirit gjerman, në qytetin e vogël turistik të Bershtesgadenit,
ku shihte ”skuadra të vogla, por gjithnjë e në rritje të të rinjve me çizme dhe këmisha ngjyrë kafe, secila me një svastika në krahë”. Ata të rinj stërviteshin qartazi për të sulmuar një ditë, kujton Cvajg.
Por pas shtypjes së tentativës për grusht shteti të Hitlerit në vitin 1923, Cvajgu nuk iu dha më rëndësi nazistëve deri në zgjedhjet e 1930, kur kulmoi mbështetja për këtë forcë politike – nga nën 1 milionë vota dy vjet më pare, në më shumë se 6 milionë. Në këtë pikë, ende i pavëmendshëm për atë që mund të kumtonte kjo lloj prirjeje, Cvajgu duartrokiti pasionin entuziast të shprehur në ato zgjedhje.
Ai fajësoi demokratët e modës së vjetër për fitoren e nazistëve, duke e quajtur rezultatin në atë kohë si “një revoltë, ndoshta të pamend, por krejtësisht të shëndoshë dhe të pranueshme të të rinjve kundër ngadalësisë dhe pavendosmërisë së “politikës së lartë”.
Në kujtimet e tij, shkrimtari nuk justifikon veten apo kolegët e tij intelektualë, për dështimin e njohjes më të hershme të rëndësisë së Hitlerit.
“Ata pak njerëz në mesin e shkrimtarëve, që kishin marrë mundimin të lexonin librin e Hitlerit, talleshin me gjuhën bombastike të prozës së tij të ftohtë, në vend se të analizonin programin e tij”- shkroi ai. Edhe në vitet 1930, “gazetat e mëdha demokratike, në vend se të paralajmëronin lexuesit e tyre, i siguronin ata ditë pas dite se lëvizja. . . në mënyrë të pashmangshme do të shembej shumë shpejt”.
Tek e fundit, Gjermania ishte një shtet ku ligji mbështetej mbi një themel të fortë, ku një shumicë në parlament i kundërvihej Hitlerit, dhe ku çdo qytetar besonte se “liria dhe të drejtat e tij të barabarta, ishin të siguruara nga kushtetuta”.
Cvajgu pranon se propaganda kishte luajtur një rol vendimtar në gërryerjen e ndërgjegjes së botës. Ai përshkroi se si batica e propagandës u rrit gjatë Luftës së Parë Botërore, duke “përmbytur” gazetat, revistat, dhe radiot, ndërsa ndjenjat e lexuesve u ngurtësuan. Përfundimisht, gazetarët dhe intelektualët u bënë fajtorë për atë që ai e quajti “nxitje të eksitimit”, një emocion artificial që kulmoi në mënyrë të pashmangshme, në urrejtje masive dhe frikë.
Propaganda mpiu bazën e mbështetësve të Hitlerit, dhe u përdor si një mbulesë për agresionet më brutale të regjimit të tij. Edhe kur njerëzit dëgjonin zëra në lidhje me ndërtimin e kampeve të posaçme të internimit, dhe dhomave të fshehta ku njerëz të pafajshëm ekzekutoheshin pa gjyq, tregon shkrimtari, njerëzit refuzuan të besonin se ky lloj realiteti i ri do të mund të vazhdonte gjatë. Sipas tyre diçka e tillë, si mund të zgjaste në shekullin XX.
Një nga skenat më prekëse për të, ishte ajo e refugjatëve të parë nga Gjermania, teksa ngjiteshin kodrave të Salsburgut për të larguar nga Austria, menjëherë pas emërimit të Hitlerit si kancelar. “Të uritur, të lënë pas dore, nervozë. . . ata ishin duke ikur në panik nga çnjerëzorja që do të përhapej në të gjithë botën. Por edhe atëherë unë nuk dyshoja, dhe as e perceptoja se në ato fytyra të zbehtë do të shihja si në pasqyrë jetën time, dhe se ne të gjithë, do të bëheshim viktima të lakmisë për pushtet të një njeriu”.
Cvajgu ndihej i mjerë në Shtetet e Bashkuara. Amerikanët dukeshin indiferentë ndaj vuajtjeve të emigrantëve; Evropa, thoshte ai në mënyrë të përsëritur qe duke kryer vetëvrasje. I rrefeu një miku se ndihej sikur ishte duke jetuar një ekzistencë “pas vdekjes”.
Në një përpjekje të dëshpëruar për të ripërtërirë vullnetin e tij për të jetuar, ai udhëtoi në Brazil në gushtin e vitit 1941. Në letrat e atyre ditëve, ai tingëllon kronikisht i trishtuar, sikur të qe duke udhëtuar sërish në botën e djeshme. E megjithatë, pavarësisht dashurisë së tij për popullin brazilian, dhe vlerësimin e bukurive natyrore të këtij vendi, vetmia e tij u bë gjithnjë e më e thellë.
Shumë nga miqtë e tij më të ngushtë kishin vdekur. Të tjerët qenë mijëra kilometra larg. Ëndrra e tij për një Evropë pa kufij dhe tolerante (gjithnjë atdheu i tij i shpirtëror), ishte shkatërruar. Ai i shkroi shkrimtarit Zhyl Romen:”Kriza ime e brendshme, qëndron në atë që unë s’jam në gjendje të identifikoj veten tek pasaporta dhe migracioni”.
Në shkurtin e vitit 1942, së bashku me gruan e tij, Cvajgu mori një mbidozë me pilula gjumi. Në mesazhin formal që la pas, shkroi se i dukej më mirë të tërhiqej me dinjitet, kur ende mund të kishte “një jetë, në të cilën puna intelektuale, nënkuptonte gëzimin më të pastër, dhe lirinë më të mirë personale në botë”.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce