Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë publikoi sot raportin e ndërmjetëm të monitorimit të procesit zgjedhor për zgjedhjet e 25 Qershorit.
Duke analizuar fushatën zgjedhore, raporti konstaton se ajo u dominua nga lidershipët partiakë, duke lënë mënjanë argumentet dhe platformat elektorale.
KVV ka vlerësuar rolin e Task Forcës, në shmangien e rasteve flagrante të përdorimit të administratës publike. Megjithatë, baza ligjore e ndjekur dhe transparenca e punës së saj ishin problematike, thuhet në raport.
Sipas KVV-së, në fushatë nuk mungoi angazhimi i burimeve shtetërore dhe eksponentëve politikë, veçanërisht atyre drejtues apo zyrtarë të pushtetit vendor.
Veprimtaria financiare e subjekteve zgjedhore për këtë fushatë zgjedhore dyshohet të jetë e lartë. Akoma më shqetësuese janë kanalet financiarë të kësaj fushate, ku format e “fushatës hije” apo nga te tretët janë sofistikuar edhe më, thuhet në raport.
KVV u bën thirrje partive të përmbushin sa më parë detyrimin ligjor në plotësimin e KQV-ve dhe të respektojnë vullnetin e qytetarëve shqiptarë, si mbajtës të sovranitetit dhe forcave të rendit të kryejnë në respektim të ligjit ruajtjen e rendit publik Ditën e Zgjedhjeve. P
Po ashtu, KVV i bën thirrje qytetarëve të distancohen nga çdo formë demagogjie elektorale apo shit-blerje vote, dhe militantëve partiakë i kërkon të distancohen nga format e korrupsionit zgjedhor.